Një mesazh në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të shfaqet më 7 shtator në ekranet e Times Square në New York. Veprimtari i diasporës shqiptare në SHBA, Shpend Gjocaj, ka njoftuar se grafika me mbishkrimin “Freedom for the Liberators” do të transmetohet gjatë ditës, me shfaqje nga 15 deri në 30 sekonda, në çdo orë. Aktiviteti zhvillohet pak ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë, më 16 shtator. Përmes këtij aksioni simbolik, diaspora shqiptare synon të shprehë publikisht mbështetjen për katër ish-krerët e UÇK-së. Në Kosovë, ndërkohë, platforma “Liria ka Emër” ka nisur fushatën “Kosova po pret”, në kuadër të së cilës po organizohen aktivitete në qytete dhe zona të ndryshme të vendit. Më 12 shtator në Prishtinë është paralajmëruar “Marshi për Liri”, ndërsa në ish-zonat operative të UÇK-së po zhvillohen “Netët e Lirisë”, me ndezje simbolike të zjarreve. Mbështetësit kanë paralajmëruar aktivitet edhe në Hagë, më 15 shtator, ku pritet të mblidhen gjatë natës, deri në fillimin e seancës së 16 shtatorit. Kështu, në prag të verdiktit, aktivitetet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së po shtrihen nga Kosova deri në diasporë, duke përfshirë edhe një prej hapësirave më të njohura të New Yorkut, Times Square.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
