Vetëm dhjetë ditë e ndajnë Kosovën nga një prej datave më të rëndësishme të procesit gjyqësor në Hagë, ku më 16 shtator, në orën 10:00, Dhomat e Specializuara të Kosovës pritet të shpallin aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Pas një procesi që ka zgjatur për vite dhe që ka tërhequr vëmendje të jashtëzakonshme në Kosovë, në diasporë dhe në skenën ndërkombëtare, trupi gjykues do të japë verdiktin në rastin që lidhet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë periudhës së luftës së Kosovës. Procesi gjyqësor, i cili nisi në vitin 2023, është karakterizuar nga një volum i madh provash, dëshmish dhe seancash, ndërsa shpallja e vendimit është shtyrë disa herë për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe kohës së nevojshme për vlerësimin e materialit gjyqësor. Në Kosovë, ndërkohë, pritja për verdiktin ka marrë edhe dimension publik e simbolik. Platforma “Liria Ka Emër” dhe organizime të tjera kanë nisur numërimin mbrapsht deri në 16 shtator, ndërsa janë paralajmëruar aktivitete në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Në këtë atmosferë, vendimi i Hagës nuk shihet vetëm si një zhvillim juridik, por edhe si një moment me peshë të madhe politike, shoqërore dhe historike për Kosovën. Megjithatë, përtej emocioneve dhe pritjeve që kanë përfshirë opinionin publik, verdikti do të jetë para së gjithash një vendim gjyqësor dhe do të duhet të vlerësohet mbi bazën e provave dhe arsyetimit juridik të trupit gjykues.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
