Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë në misionin ndërkombëtar të stabilizimit në Gaza, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Participimit ndërmjet përfaqësuesve të Bordit të Paqes dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF Gaza) dhe Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Marrëveshja u nënshkrua gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të komandantit të ISF Gaza, gjeneralmajor Jasper Jeffers, në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ky zhvillim e formalizon angazhimin e Kosovës në një prej përpjekjeve ndërkombëtare për stabilizimin dhe ruajtjen e paqes e sigurisë në Gaza, duke i hapur FSK-së mundësi për një rol më aktiv në misionet ndërkombëtare. Gjeneralmajori Jeffers vlerësoi vendimin e Kosovës për t’iu bashkuar misionit dhe gatishmërinë e institucioneve të vendit për të dhënë kontribut konkret, duke theksuar rëndësinë që ky angazhim ka për përpjekjet e përbashkëta në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Ai shprehu mirënjohje për institucionet e Kosovës dhe lidershipin e tyre për mbështetjen ndaj këtij misioni. Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, tha se përfshirja në misionet ndërkombëtare është në përputhje me vizionin e Kosovës për të kontribuar drejtpërdrejt në promovimin e paqes dhe sigurisë përtej kufijve të saj. Sipas tij, FSK-ja synon të zgjerojë vazhdimisht kontributin në sigurinë ndërkombëtare dhe të avancojë drejt objektivit strategjik që Kosova të shndërrohet nga një importuese në një eksportuese të sigurisë. Pjesëmarrja në misionin në Gaza paraqet një tjetër hap në përpjekjet e Kosovës për të forcuar profilin e saj si kontribuuese aktive në misionet ndërkombëtare dhe për të ndërtuar kapacitete të reja në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë. Nënshkrimi i marrëveshjes i jep kështu një dimension të ri angazhimit të FSK-së jashtë vendit, duke e pozicionuar atë në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
