Vlora Çitaku i përgjigjet LV-së: “Kushtetuta nuk mund të lexohet ndryshe varësisht se kujt i konvenon”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i është kundërpërgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje pas deklaratës se nuk do ta mbështesë kandidaturën e saj për nënkryetare të Kuvendit, duke e cilësuar interpretimin e LV-së për Kushtetutën si të njëanshëm dhe, sipas saj, tashmë edhe qesharak. Çitaku ka theksuar se Kushtetuta përcakton qartë se kryetari i Kuvendit i takon shumicës parlamentare, ndërsa tre nënkryetarët u takojnë tri grupeve më të mëdha parlamentare dhe propozohen nga grupet përkatëse. Ajo ka pyetur publikisht LV-në se me votat e kujt janë zgjedhur më herët Aida Dërguti dhe Glauk Konjufca në postin e nënkryetarit të Kuvendit, duke ngritur dilemen nëse, sipas saj, Kushtetuta po interpretohet ndryshe sot vetëm për shkak të interesave politike. Çitaku ka thënë se çështja nuk lidhet me kandidaturën e saj apo me një pozitë në Kryesinë e Kuvendit, por me një parim më të gjerë institucional. LV-ja po tenton të përcaktojë edhe se çfarë opozite duhet të ketë Kosova, duke kërkuar, siç ka deklaruar ajo, një opozitë “të dëgjueshme” dhe “të pranueshme”. “Ose nënshtrohuni, ose do ta mbajmë Kosovën në kaos. Ose bëhuni siç ju duam ne, ose nuk ka Kuvend”, ka thënë Çitaku, duke shtuar se beteja kryesore është nëse Kosova do të funksionojë si Republikë me institucione, Kushtetutë, shumicë dhe opozitë, apo nëse një parti do të pretendojë të përcaktojë edhe mënyrën se si duhet të sillet opozita. Ajo ka vlerësuar se kjo situatë po zhvillohet në një prej periudhave më të ndjeshme politike për Kosovën.

Kontrolloni gjithashtu

Marta Kos: BE-ja duhet të vlerësojë në çfarë mase Serbia është ende e sinqertë me rrugën e saj evropiane

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet të vlerësojë seriozisht …