Deputeti i PDK-së, Jakup Nura, ka deklaruar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në takimet e thirrura nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Nura ka bërë të ditur se PDK-ja mbetet prapa propozimit të Vlora Çitakut për nënkryetare dhe nuk do të tërhiqet nga ky qëndrim, ndërsa e ka cilësuar si “lojë” kushtëzimin e votimit të nënkryetarëve të opozitës me votimin e presidentit. Sipas tij, është e papranueshme që një parti të tentojë t’ua imponojë subjekteve të tjera emrat për nënkryetarë, duke vlerësuar se kjo përbën ndërhyrje në të drejtën e partive për të përcaktuar përfaqësuesit e tyre. “Ne nuk luajmë nga qëndrimet tona. E kemi menduar mirë dhe kemi llogaritur kush e përfaqëson PDK-në si nënkryetare e Kuvendit”, ka thënë Nura, duke shtuar se çdo takim për të diskutuar këtë çështje është i paarsyeshëm për partinë e tij dhe se PDK-ja nuk do të marrë pjesë në të.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
