Sadik Halitjaha: Gjykata Speciale duhet të zhbëhet, nëse abrogohet ligji, çlirimtarët vijnë në shtëpi

Komandant Sadik Halitjaha ka bërë një paraqitje të gjerë në emisionin “Ora News”, të udhëhequr nga moderatori Laun Rama, ku ka folur për aktgjykimin në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për atë që ai e konsideron si pasojat e këtij procesi për Kosovën dhe kombin shqiptar. Halitjaha ka deklaruar se  “Ajo gjykatë duhet të zhbëhet nga Parlamenti i Kosovës. Nëse abrogohet ligji dhe i merren kompetencat, çlirimtarët vijnë në shtëpi”, është shprehur Halitjaha. Duke folur për përgjegjësinë institucionale të Kosovës, komandanti i UÇK-së ka thënë se të dyja qeveritë është dashur të sigurojnë mbështetjen e nevojshme që, sipas tij, “të mos nëpërkëmbet gjaku i çlirimtarëve”. Ai ka kërkuar gjithashtu që Kosova të ketë qasje më të drejtpërdrejtë në proceset dhe zhvillimet që lidhen me këtë gjykatë. Halitjaha ka ngritur edhe çështjen e mënyrës së funksionimit të Dhomave të Specializuara, duke deklaruar se atje, sipas tij, nuk shfaqen simbolet e shtetit të Kosovës dhe duke përdorur termin “pengje” për çlirimtarët që po gjykohen në Hagë. Në paraqitjen e tij, ai i është referuar edhe akuzave fillestare që lidhen me pretendimet për trafikim organesh, duke përmendur raportin e Dick Martyt dhe zhvillimet që pasuan. “Atje s’ka simbole të shtetit të Kosovës. Çlirimtarët tanë atje janë pengje, nga Dick Marty, sepse akuza ishte trafikimi i organeve”, ka deklaruar Halitjaha. “Ne duhet të kemi kujdes, sepse pasojat janë aq të mëdha për kombin shqiptar. Para botës do të kemi një imazh negativ”, është shprehur Komandant Sadik Halitjaha. Në qendër të deklarimeve të tij ishte kërkesa që institucionet e Kosovës ta trajtojnë çështjen e Dhomave të Specializuara si një çështje me rëndësi të veçantë politike, juridike dhe kombëtare, duke kërkuar që të rishikohet baza ligjore mbi të cilën funksionon kjo gjykatë.

Kontrolloni gjithashtu

Bamieh

Një deklaratë e rëndë rikthen në vëmendje pikëpyetjet serioze mbi mënyrën se si është ushtruar drejtësia ndërkombëtare në Kosovë

Një deklaratë e ish-prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, ka rikthyer në vëmendje pikëpyetje serioze mbi …