Ferizaj hap një kapitull të ri në kulturë me sektorin e teatrit për fëmijë dhe të rinj

Ferizaj po pasuron jetën e tij kulturore dhe artistike me një hap të rëndësishëm për brezat e rinj. Sot u inaugurua Sektori i Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj, një hapësirë e re që synon të krijojë mundësi për edukim artistik, zhvillim të talenteve dhe përfshirje aktive të fëmijëve dhe të rinjve në botën e artit skenik.

Inaugurimi u bë në kuadër të takimit të Drejtorit të Kulturës, Gazmend Bytyçi, me stafin e Teatrit të Qytetit “Adriana”, ku u vlerësua rëndësia e këtij sektori të ri për zhvillimin e mëtejmë të kulturës në Ferizaj.

Me këtë rast, drejtori Gazmend Bytyçi shprehu mirënjohje të veçantë për Fatmir Hysenin, i cili për 21 vjet udhëhoqi Teatrin e Qytetit “Adriana”, duke dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen e traditës teatrore dhe zhvillimin e jetës artistike në qytet. Njëkohësisht, ai i uroi suksese drejtorit të sapoemëruar, Mevlan Saraçi, në përgjegjësinë e re dhe në realizimin e projekteve që do të pasurojnë skenën teatrore të Ferizajt.

Sektori i Teatrit për Fëmijë dhe të Rinj përfaqëson një investim të rëndësishëm në të ardhmen kulturore të qytetit, duke krijuar mundësi të reja për një kategori që ka nevojë për më shumë hapësira dhe programe të dedikuara për zhvillimin e shkathtësive krijuese. Përmes këtij sektori synohet që fëmijët dhe të rinjtë të kenë mundësi të njihen më nga afër me teatrin, të zhvillojnë imagjinatën, të kultivojnë talentin dhe të fitojnë përvoja të reja artistike.

Kjo nismë synon që brezat e rinj të mos jenë vetëm shikues të shfaqjeve teatrore, por edhe pjesëmarrës aktivë në proceset krijuese, duke u dhënë hapësirë ideve, kreativitetit dhe shprehjes së tyre artistike.

Me themelimin e këtij sektori, Ferizaj bën një hap përpara drejt zgjerimit të ofertës kulturore dhe krijimit të kushteve për kultivimin e talenteve të reja. Njëkohësisht, kjo hapësirë krijon premisa për ndërtimin e një tradite të qëndrueshme të teatrit për fëmijë dhe të rinj, duke e afruar artin skenik me gjeneratat e reja dhe duke kontribuar në edukimin e tyre kulturor e artistik.

Kontrolloni gjithashtu

Në Skenderaj funksionalizohen shërbimet specialistike nga Gjinekologjia, pulmologjia, fizioterapia

Kryetari i Komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së …