Ramadan Baraliu: Deklaratat e BE-së janë politike, ndryshimet ligjore i takon t’i vlerësojë drejtësia

Analisti Ramadan Baraliu thotë se deklaratat e Bashkimit Evropian lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara duhen parë si qëndrime politike, jo si përfundime juridike. Kuvendi i Kosovës e miratoi nismën për ndryshimin e ligjit, ndërsa komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i cilësoi ndryshimet të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit. Baraliu tha se BE-ja po shpreh shqetësim për detyrimet ndërkombëtare që ka marrë Kosova lidhur me Dhomat e Specializuara. Në të njëjtën kohë, sipas tij, Kuvendi ka ushtruar të drejtën e nismës legjislative me synimin për të rikthyer besueshmërinë në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë. Analisti u shpreh se përgjigjja më e mirë ndaj reagimeve ndërkombëtare është bashkëpunimi mes aktorëve politikë dhe ruajtja e kohezionit institucional. Ai përmendi si shembull zgjedhjen e presidentes, duke thënë se stabiliteti institucional është i rëndësishëm edhe në përballjen me sfidat ndërkombëtare. Baraliu vlerësoi gjithashtu se ngërçi institucional i zgjatur mund të ketë ndikuar në klimën politike përreth procesit në Hagë dhe në vendimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në atë vendim, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.

Kontrolloni gjithashtu

Deputeti kroat Peternel: Kosova është shtet sovran dhe i pavarur

Deputeti kroat Igor Peternel ka deklaruar se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Ai …