Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur shqetësim për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës. Në një përgjigje për Klankosova.tv, ambasada tha se, nëse ndryshimet hyjnë në fuqi, ato do të përbënin shkelje të një marrëveshjeje ndërkombëtare. “Vërejmë dhe ndajmë shqetësimet e Bashkimit Evropian se ndryshimi ligjor, nëse do të hynte në fuqi, do të përbënte shkelje të një marrëveshjeje ndërkombëtare”, thuhet në përgjigje. Ambasada ritheksoi mbështetjen e Britanisë për mandatin e Dhomave të Specializuara, të përcaktuar më 2015, dhe për përdorimin e procedurave të parashikuara për ankesat kundër aktgjykimeve të shkallës së parë. Ajo tha se themelimi i gjykatës ishte një hap i rëndësishëm në luftën kundër pandëshkueshmërisë dhe në forcimin e sundimit të ligjit. Duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ambasada theksoi se mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Sipas saj, respektimi i mandatit të Dhomave të Specializuara do të dëshmonte përkushtimin e Kosovës ndaj drejtësisë së pavarur dhe të paanshme për të gjitha viktimat. Britania e Madhe gjithashtu rikujtoi rolin e saj dhe të aleatëve të NATO-s në vitin 1999, duke riafirmuar mbështetjen për Kosovën e pavarur dhe orientimin e saj euroatlantik. Ambasada e cilësoi vendimin e Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara si kontribut për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
