Akademiku Arsim Bajrami ka propozuar një draft-strategji shtetërore për dokumentimin dhe promovimin e vlerave historike, juridike e shtetformuese të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas sqarimit në dokument, propozimi i është dërguar Presidentes së Kosovës. Drafti vjen pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në dokument, Bajrami shpreh shqetësimin për ndikimin e mundshëm të vendimit në vlerësimin historik të luftës çlirimtare dhe bën thirrje për angazhim institucional në këtë drejtim. Strategjia propozohet në tri periudha zbatimi: afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Ajo synon të bashkërendojë mbështetjen për ushtrimin e së drejtës për ankim, hulumtimin shkencor të luftës, diplomacinë e bazuar në dokumente dhe argumente, si dhe planifikimin e burimeve financiare e njerëzore. Drafti parasheh katër shtylla kryesore: asistencën juridike dhe mbështetjen institucionale, dokumentimin shkencor të luftës, diplomacinë shtetërore dhe financimin e qëndrueshëm. Në fushën juridike, propozohet krijimi i një mekanizmi të specializuar për ekspertizë dhe dokumentim, me pjesëmarrjen e juristëve e studiuesve. Sipas dokumentit, ky mekanizëm do të ndihmonte në identifikimin e burimeve dhe përgatitjen e analizave, ndërsa përgjegjësia për strategjinë dhe parashtresat do të mbetej te ekipet mbrojtëse.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
