Eurodeputeti kroat Davor Ivo Stier ka thënë se procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk e ndryshon atë që ai e cilëson si fakt historik: Kosova, Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina ishin viktima të agresionit të regjimit të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq. Ai i bëri këto komente në një intervistë për Euronews Albania, kur u pyet për procesin gjyqësor. Stier tha se, sipas tij, ky kontekst historik nuk duhet të zbehet nga zhvillimet politike. Ai përmendi edhe Slloveninë, duke thënë se vendet e rajonit u përballën me agresionin e nisur nga Serbia dhe udhëheqja e atëhershme. Duke komentuar qëndrimet e autoriteteve serbe, eurodeputeti tha se ato shpesh theksojnë ndërhyrjen dhe bombardimet e NATO-s, pa e përmendur periudhën që i parapriu. Sipas tij, ndërhyrja e NATO-s kishte si qëllim ndalimin e spastrimit etnik në Kosovë. “Pati një arsye pse NATO ndërhyri, përse këto bombardime u kryen, për të ndalë spastrimin etnik në Kosovë që ishte edhe lufta e fundit e nisur nga Millosheviq”, u shpreh Stier, duke shtuar se këto, sipas tij, janë fakte historike që nuk duhen neglizhuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
