Sadik Halitjaha: SALI BERISHA E SHPËTOI EDI RAMËN!

Deklaratat bizare dhe marrja e përgjegjësisë për rrëmujën, përmes thirrjes që bëri mbrëmë Berisha, ua hoqën dilemat edhe më optimistëve dhe më tolerantëve se kjo revoltë ishte pastër e nisur dhe e organizuar nga studentët.

Për shkaqet dhe arsyet për të cilat filloi, kjo revoltë mund të përkrahej, ashtu siç edhe u përkrah. Ajo nisi me rastin e Vërnecit, të quajtur edhe çështja e Pelikanëve. Këtë situatë Edi Rama e injoroi rëndë, pasi nuk shihte ndonjë rrezik, edhe pse kishte shumë arsye për shqetësim, por protestat ishin paqësore.

Kjo gjendje u prit nga «ujku i vjetër», Sali Berisha, për ta shfrytëzuar deri në ardhjen e studentëve në tetor.

Përfshirja e studentëve në këtë situatë e luhati shumëkënd, duke bërë që të kuptoheshin kërkesat e tyre të drejta për kushte më të mira dhe për sigurinë e së ardhmes.

Këtu, pa vonesë, hyri në lojë ai që e priste këtë gjendje kaosi, ose, më saktë, ai që, përmes elementeve të veta, synoi ta krijonte kaosin. Duke përdorur zjarrin e shkaktuar nga persona të maskuar, si dhe dhunën, ai shfrytëzoi dobësitë e Edi Ramës, të cilin e karakterizon, sipas këtij vlerësimi, një qëndrim shpërfillës dhe narcizist. Rama vazhdoi t’i injoronte protestat, ashtu siç kishte vepruar edhe me protestat e tjera paqësore, që zgjatën katër muaj.

Prania e elementeve të PD-së u vu re edhe në rastin e Balliut, të cilin protestuesit e hodhën në lumin Lana.

Ndërkohë, ka qytetarë që duan të jenë vetvetja, pa u rreshtuar pas partive në pushtet apo atyre që synojnë pushtetin. Ata po bëhen gjithnjë e më të vetëdijshëm se përgjegjës për këtë gjendje të padurueshme janë oligarkët dhe lidershipi politik, si i majtë, ashtu edhe i djathtë.

Deklaratat skandaloze të Berishës, me thirrjet për luftë kundër Ramës dhe aparatit shtetëror, si dhe me cilësimet e rënda ndaj pjesëtarëve të rendit, të cilët i quajti «shtazë», «bisha të tërbuara» dhe «bandë», e ndryshuan krejtësisht natyrën e situatës. Ai bëri thirrje edhe për përshkallëzim të dhunës, duke kërkuar që njerëz nga e gjithë Evropa të vijnë dhe t’i bashkohen revoltës për përmbysjen e pushtetit, me synimin që ai vetë ta marrë drejtimin e vendit.

Kjo thirrje ngre dyshime serioze për qëllimet politike të Berishës, sidomos në një moment kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ajo të kujton rrezikun e rikthimit të gjendjeve të rënda të vitit 1997 apo të 14 shtatorit 1998.

Duke dalë hapur me këto qëndrime, pas thirrjeve të mbrëmshme për t’u vënë zjarrin të gjitha qendrave të PS-së, Berisha jep një sinjal alarmi për qytetarët dhe institucionet shtetërore. Kjo ngre shqetësimin se situata mund të shfrytëzohet për destabilizimin e Shqipërisë dhe marrjen e pushtetit për interesa personale.

Tani shtrohet pyetja se kush po e çon Shqipërinë drejt një tjetër krize të rëndë.

Kjo gjendje kërkon që institucionet shtetërore të veprojnë me seriozitet për mbrojtjen e atdheut, të jetës së qytetarëve dhe të rendit kushtetues.

Megjithatë, çdo veprim i institucioneve duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe parimet demokratike. Mbrojtja e shtetit nuk mund të shërbejë si arsyetim për shtypjen e protestave paqësore apo të kërkesave të drejta të qytetarëve.

Për këtë arsye, deklaratat e Berishës mund t’i japin Ramës një argument politik për të mos dhënë dorëheqje dhe për ta paraqitur situatën si një përpjekje për marrjen e pushtetit nga Berisha. Në këtë mënyrë, një revoltë që mund të kishte mbështetje qytetare për shkak të kërkesave të saj të drejta rrezikon të humbasë legjitimitetin në sytë e një pjese të opinionit publik.

Në këtë situatë, është e vështirë të kuptohen kërkesat e drejta për kushte më të mira dhe interesat që lidhen me mbrojtjen e atdheut, kur ato mbulohen nga retorika e dhunës dhe luftës për pushtet.

Dalja e Berishës në këtë mënyrë, siç duket, ishte pikërisht ajo që i duhej Ramës. Ky i fundit heshti dhe nuk kërkoi zgjidhje, sepse zgjidhja me protestuesit do të kërkonte lëshime politike dhe, ndoshta, ndarje të pushtetit.

Këtë moment priste edhe Berisha. Në çastin kur Edi Rama do të lëkundej nga froni, Berisha synonte të ngjitej vetë në të. Por, pavarësisht nëse do ta drejtonte vendin për mirë apo për keq, ekziston rreziku që Shqipëria të përfundonte sërish në humnerë.

Prandaj thashë se Berisha e shpëtoi Ramën me deklaratat e mbrëmshme. Ai e mori mbi vete një pjesë të përgjegjësisë politike për situatën dhe i dha Ramës mundësinë ta paraqiste mbrojtjen e shtetit si çështje parësore. Në këtë mënyrë, Rama mund të fitojë mbështetjen e një pjese të opinionit publik, i cili, përballë një të keqeje më të vogël, mund të zgjedhë të kundërshtojë atë që e konsideron si një rrezik shumë më katastrofal që mund të vijë nga Berisha.

Këta dy rivalë politikë, Rama dhe Berisha, kanë dominuar skenën politike për vite me radhë, duke e vështirësuar krijimin e hapësirës për liderë të rinj dhe për forca të reja politike. Derisa ata vazhdojnë të jenë në qendër të lojës politike, Shqipëria rrezikon të mbetet peng i të njëjtit cikël, ku pushteti kalon nga njëri te tjetri, si në një lojë pingpongu, pa i lënë hapësirë një alternative të re.

As zonja Spiro Pali nuk mund të dalë lehtë nga këto rrethana politike, të cilat deri më sot kanë penguar shumë figura të reja të dalin jashtë ndikimit të dy poleve kryesore.

Bëj thirrje që Shqipëria të mos digjet, që të ruhet jeta e njerëzve dhe që asnjë interes politik të mos vendoset mbi sigurinë e qytetarëve.

Të ruhet Shqipëria, sepse ajo është nëna e të gjithë shqiptarëve!

Kontrolloni gjithashtu

ISA FERIZAJ

Isa Ferizaj: “ROBËRIA E KODUAR”: A PO E SHNDËRRON “ALGORITMI” NË SIMULANTE, VETËDIJEN NJERËZORE?

Duke u nisur nga shfaqja e shmangjes (devijancës) së sotme të vetëdijes njerëzore e praktikisht, …