Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka shprehur pakënaqësi lidhur me mënyrën se si është trajtuar Ligji për Gjykatën Speciale, duke vlerësuar se për këtë çështje kanë ekzistuar alternativa të tjera procedurale. Limaj e ka cilësuar zhvillimin e fundit si befasues, ndërsa ka theksuar se nuk i ka të gjitha informacionet për mënyrën se si është marrë vendimi për kthimin e ligjit në Kuvend për rishqyrtim. “Është goxha shokuese kjo që e pamë ”, ka deklaruar ai. Sipas Limajt, është zgjedhur rruga më e pafavorshme, ndonëse çështja mund të trajtohej përmes mekanizmave të tjerë. Ai ka përmendur si mundësi dekretimin e ligjit nga presidentja dhe ndërhyrjen e mëvonshme për ndryshimin ose plotësimin e tij. Si alternativë tjetër, Limaj ka sugjeruar që presidentes t’i paraqiteshin amendamentet problematike, së bashku me arsyetimin përkatës, në mënyrë që ligji të kthehej për rishqyrtim me kërkesa të qarta për ndryshime. Në fund, ai ka shprehur bindjen se zgjidhja përmes një ligji kushtetues nuk është e realizueshme. “Ai ligj Kushtetues nuk bëhet”, ka përfunduar Limaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
