Intervistë me poeten Ilirjanë Baraliu Lladrovci

RKL: E dashur Ilirjana Baraliu Lladrovci, mirë se erdhët në Radion Kosova e Lirë.

Ilirjanë Baraliu Lladrovci:  Fillimisht, dua t’ju falënderoj për ftesën, e dashur Arbana.

Dëshiroj t’ju përgëzoj ju dhe Radio Kosova e Lirë, e cila ishte burim frymëzimi, shprese dhe force për shumë djem e vajza që iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftuan për lirinë e atdheut.

RKL:  Për fillim, do të dëshironim t’ju prezantonit shkurtimisht para dëgjuesve tanë, kush është Ilirjana Baraliu Lladrovci?

Ilirjanë Baraliu Lladrovci:  Unë jam Ilirjanë Baraliu Lladrovci, bashkëshorte dhe nënë e dy djemve, Flamurit dhe Jonit. Kam lindur më 10 shtator 1969, në fshatin Bukosh të komunës së Therandës. Shkollën fillore e kam përfunduar në vendlindje, në shkollën „Vëllezërit Frashëri“, ndërsa gjimnazin në Therandë. Më pas, studimet i kam vazhduar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filologjik, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Jam rritur në një familje të kulluar atdhetare, të njohur për qëndresën dhe veprimtarinë e saj kundër sistemit titist. Për angazhimin kombëtar dhe kundërshtimin e regjimit, babai im, Izet Rrahman Baraliu, dy xhaxhallarët, Besimi dhe Shefqeti, si dhe halla ime, Shpresa, u përballën me burgosje, përndjekje dhe represion nga pushteti serb. Pasojat e këtij represioni i përjetuan edhe anëtarët e tjerë të familjes sonë. Myzaferja u largua nga sistemi arsimor, pasi u konsiderua e papërshtatshme për të punuar si mësuese e historisë. Rabies ju dhanë disa vrejtje për largim nga puna vetëm për shkak se vinte nga një familje që regjimi e konsideronte të rrezikshme. Në pyetje informative u morën edhe Halimi dhe Salija.Edhe unë u përballa drejtpërdrejt me pasojat e përkatësisë sime familjare. U përjashtova dy herë nga shkolla: herën e parë, kur isha vetëm 13 vjeçe si filloriste, ndërsa herën e dytë, në moshën 17-vjeçare, kur isha nxënëse e gjimnazit. Shkaku i vetëm ishte fakti se isha bija e një familjeje atdhetare, bija e Izet Rrahman Baraliut. Megjithatë, historia e qëndresës dhe e angazhimit atdhetar të familjes sonë nuk fillon vetëm me brezin e babait tim. Ajo i ka rrënjët më herët, që nga Izeti i parë, i cili shërbeu si ushtar në Brigadën „Skënderbeg“, në radhët e ushtrisë gjermane, e më pas vazhdon me gjyshin tim, Rrahmanin, gjyshen Rahime dhe brezat që pasuan. Kjo trashëgimi atdhetare u dëshmua ndër breza, përmes qëndresës së xhaxhallarëve të mi, Besimit dhe Shefqetit, si dhe angazhimit të motrave të mia, Vlorës dhe Aromës, dhe vëllait tim, Labinotit. Ky i fundit, pa i mbushur ende 18 vjeç,u radhiten Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shtëpia jonë ishte një strehë e sigurt dhe një burim frymëzimi për veprimtarët e grupeve ilegale të kohës. Gjatë luftës çlirimtare, ajo u shndërrua në një bazë të rëndësishme mbështetëse, ku strehoheshin dhe prej nga përcilleshin shumë ushtarë që vinin nga Shqipëria, për t’u shpërndarë më pas në zona të ndryshme të Kosovës. Vëllai im Bleroni si fëemijë ka marrë pjesë në pajtimin e gjaqeve me Anton Qetën. Kjo histori familjare, e shënuar nga sakrifica, përndjekja, qëndresa dhe përkushtimi ndaj çështjes kombëtare, ka qenë një pjesë e pandashme e formimit tim jetësor. Ajo ka ndikuar thellësisht në bindjet, në rrugëtimin tim dhe në mënyrën se si e kam kuptuar përgjegjësinë ndaj familjes, popullit dhe atdheut.

RKL: E nderuar Ilirjanë Baraliu Lladrovci, fëmijëria juaj u shënua nga represioni i regjimit serb, ndërsa babai juaj u burgos për veprimtarinë e tij atdhetare. Sa kanë ndikuar këto përjetime në formimin e personalitetit tuaj dhe në rrugëtimin tuaj si krijuese?

Ilirjanë Baraliu Lladrovci:  Kur erdha në jetë, babai im ndodhej prapa grilave të burgut të Prizrenit, ku vuante dënimin për veprimtari atdhetare. Ishte pikërisht ai që më pagëzoi me emrin Ilirjana, një emër mjaft i rrallë për atë kohë. Këtë emër e mbaj me kënaqësi dhe krenari të veçantë, sepse për mua ai përfaqëson dashurinë për atdheun, identitetin kombëtar dhe qëndresën. Jam e lumtur që jam rritur dhe brumosur në një familje që ishte vatër e atdhedashurisë. Ne, fëmijët, u edukuam me frymën patriotike të të parëve tanë dhe vazhduam rrugën e tyre për lirinë e Kosovës. Të rritesh në një familje që ishte strehë dhe frymëzim për veprimtarinë atdhetare ka ndikuar thellësisht në formimin e personalitetit tim, si veprimtare, por edhe si krijuese.

RKL: Në shumë prej poezive tuaja ndihet pesha e kujtesës historike dhe e sakrificës kombëtare. A është poezia për ju vetëm art, apo edhe një formë e dëshmisë dhe e rezistencës?

Ilirjanë Baraliu Lladrovci:  Shumë poetë e lidhin artin me jetën, vuajtjen, lirinë dhe shpirtin krijues. Edhe për mua, poezia është një mënyrë për të shprehur revoltën, dhimbjen, dinjitetin dhe përjetimet e mia. Përmes vargut kam shprehur atë që kam ndier dhe përjetuar, duke e shndërruar përvojën personale dhe kujtesën familjare në krijimtari letrare.

RKL: Libri juaj më i ri, “Këngët e Shekullit Kallkan”, mbart një titull mjaft simbolik. Çfarë përfaqëson “shekulli kallkan” në vizionin tuaj poetik dhe çfarë mesazhi dëshironi t’i përcillni lexuesit?

Ilirjanë Baraliu Lladrovci:  Titulli „Këngët e Shekullit Kallkan“ përfaqëson një kohë të ftohtë e të vështirë, të mbushur me vuajtje për popullin shqiptar, por njëkohësisht edhe shpirtin e tij qëndrestar, i cili nuk u mposht nga shtypja e egër e regjimit. Në ato rrethana, kënga dhe poezia ndihmuan në ruajtjen e ndjenjave kombëtare, të shpresës dhe të besimit në liri. Përmes poezive të këtij libri, lexuesve u përcjell rrëfimet dhe përjetimet e mia, duke u ofruar mundësinë të kuptojnë më mirë rrugën e vështirë nëpër të cilën kemi kaluar për të arritur te liria që gëzojmë sot.

RKL: Në krijimtarinë tuaj zënë vend të rëndësishëm atdheu, familja dhe liria. Si arrini t’i ndërthureni këto vlera pa humbur dimensionin artistik të poezisë?

Ilirjanë Baraliu Lladrovci:  Të lindësh, të rritesh dhe të edukohesh në një familje të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare do të thotë të formohesh me vetëdijen se vlerat kombëtare dhe familjare janë ndër prioritetet më të rëndësishme të jetës.Në poezinë time jam përpjekur të shpreh atë që kam përjetuar, pa shtuar gjëra të paqena apo rrëfime të padëgjuara. Besoj se kur krijimtaria buron nga përjetimet e vërteta dhe ndjenjat e shpirtit, ajo e gjen vetvetiu formën e saj autentike artistike.Për mua, poezia nuk është vetëm shprehje e imagjinatës, por edhe dëshmi e jetës, e kujtesës dhe e historisë sonë.

RKL: Në një kohë kur letërsia shpesh anon drejt temave individuale, ju vazhdoni t’i kushtoni vëmendje identitetit kombëtar dhe historisë sonë. Çfarë ju motivon të mbeteni besnike këtij misioni letrar?

Ilirjanë Baraliu Lladrovci:  Të rritesh në gjirin e një familjeje atdhetare, duke dëgjuar ninullat dhe këngët e kreshnikëve që flijoheshin për lirinë dhe kombin, lë gjurmë të pashlyeshme në karakterin e njeriut. Këto rrëfime kanë qenë dhe mbeten burim frymëzimi për formimin tim jetësor dhe letrar. Ato më kanë mësuar të çmoj sakrificën, qëndresën, dinjitetin dhe dashurinë për atdheun.

RKL: Cila poezi e librit “Këngët e Shekullit Kallkan” është më afër shpirtit tuaj dhe pse pikërisht ajo ka një domethënie të veçantë për ju?

Ilirjanë Baraliu Lladrovci:  Secila poezi në librin „Këngët e Shekullit Kallkan“ mbart përjetime personale dhe një pjesë të historisë sime jetësore. Megjithatë, do të veçoja poezinë kushtuar gjyshes sime, „Loti i vjetër“, sepse jam rritur me rrëfimet e saj dhe kam qenë dëshmitare e vuajtjeve dhe sfidave të shumta që ka përjetuar familja jonë.

RKL: Sa e rëndësishme është, sipas jush, që brezi i ri ta njohë historinë e sakrificës së familjeve shqiptare përmes letërsisë dhe poezisë?

Ilirjanë Baraliu Lladrovci:  Sot, bota e teknologjisë ka arritur nivele të jashtëzakonshme zhvillimi. Brezi i ri ka mundësi të shumta për të mësuar, për të krijuar dhe për të komunikuar, ndaj është e rëndësishme që këto mundësi t’i shfrytëzojë edhe në shërbim të ruajtjes dhe përhapjes së vlerave kombëtare e familjare. Besoj se një popull që e njeh dhe e çmon historinë e vet ka themele më të forta për të ndërtuar të ardhmen. Përmes letërsisë dhe poezisë, të rinjtë mund të pasurojnë njohuritë e tyre për historinë, kulturën dhe traditat shqiptare, duke e ruajtur gjallë kujtesën kolektive dhe krenarinë për identitetin tonë kombëtar.

RKL: Në krijimtarinë tuaj vërehet një ndjeshmëri e veçantë për figurën e gruas shqiptare. Çfarë roli mendoni se ka gruaja në ruajtjen e identitetit kombëtar, të kujtesës historike dhe të kulturës sonë?

Ilirjanë Baraliu Lladrovci:  Duke parë nga afër rolin e jashtëzakonshëm të grave të familjes sime në çështjen kombëtare, kam kuptuar se qëndresa e tyre meriton të kujtohet dhe të vlerësohet gjithmonë. Ka pasur periudha kur në shtëpinë tonë kishin mbetur vetëm gratë dhe fëmijët, ndërsa burrat e familjes ndodheshin në burgje ose në arrati. Megjithatë, gratë nuk u gjunjëzuan përballë sfidave të kohës. Ato mbajtën familjen, ruajtën frymën e qëndresës dhe përcollën te brezat e rinj dashurinë për atdheun. Duke njohur edhe rolin e rëndësishëm të grave shqiptare në historinë tonë kombëtare, vendosa që këtë libër t’ua kushtoj grave të shtëpisë sime, si shenjë mirënjohjeje për sakrificën, forcën dhe dinjitetin e tyre.

RKL: Pas botimit të “Këngëve të Shekullit Kallkan”, cilat janë projektet tuaja të ardhshme letrare dhe çfarë synoni të sillni më tej në letërsinë shqipe?

Ilirjanë Baraliu Lladrovci:  Libri im „Këngët e Shekullit Kallkan“ u prit mirë jo vetëm nga lexuesit shqiptarë, por edhe nga lexuesit gjermanë, siç dëshmohet nga vlerësimet dhe kritika letrare. Ky vlerësim më ka dhënë motivim për të vazhduar krijimtarinë në këtë drejtim. Shpresoj që gjatë vitit të ardhshëm të botoj librin tim të radhës, duke kontribuar më tej në pasurimin e letërsisë shqipe me krijimtari që buron nga përjetimet personale, kujtesa historike dhe vlerat kombëtare.

RKL: Cili është mesazhi juaj për lexuesit, veçanërisht për brezin e ri, që përmes letërsisë të njohin historinë, sakrificën dhe vlerat mbi të cilat u ndërtua liria e Kosovës?

Ilirjanë Baraliu Lladrovci:  Mesazhi im për brezin e ri është që të lexojë sa më shumë letërsi dhe poezi. Përmes leximit, të rinjtë pasurojnë fjalorin, zhvillojnë mendimin kritik, kultivojnë ndjeshmërinë dhe gjejnë qetësi shpirtërore. Njëkohësisht, ata njihen më thellë me vlerat tona historike, kulturore dhe letrare. Dëshiroj që brezat e rinj ta njohin historinë e popullit të tyre, të mos i harrojnë sakrificat e të parëve dhe të kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar. Vetëm duke e njohur të kaluarën, mund ta ndërtojmë me përgjegjësi të ardhmen.

RKL: E nderuara, ju falënderojmë që u bëtë pjesë e intervistave në Radio Kosova e Lirë. Ishte një kënaqësi të dinim për rrugëtimin tuaj jetësor, për krijimtarinë letrare dhe veçanërisht për veprën tuaj më të re, ‘Këngët e Shekullit Kallkan’. Ju urojmë suksese në krijimtarinë tuaj të mëtejshme dhe shpresojmë që poezia juaj të vazhdojë të frymëzojë lexuesit dhe të ruajë të gjallë kujtesën historike e kombëtare.

Faleminderit për praninë tuaj dhe mirë u takofshim në emisionet e ardhshme të Radio Kosova e Lirë.”

Kontrolloni gjithashtu

Nga Sejda i vogël i Karaçicës te 60 vjetët e një jete në rrugën e lirisë

RKL: I nderuar Sejdi Elezi, përpara se të bëheshit luftëtar, i burgosur politik, pjesëtar i …