Time Kadrijaj përlotet teksa kujton luftën, plagët e ushtarëve dhe sakrificën për liri

Ish-mjekja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Time Kadrijaj, ka rrëfyer përjetimet e rënda gjatë luftës, duke kujtuar guximin e ushtarëve të UÇK-së dhe sakrificën e tyre për çlirimin e vendit. Kadrijaj nuk i ka mbajtur lotët teksa ka kujtuar të rinjtë që shkonin në vijat e para të frontit me guxim, pa e ditur nëse do të ktheheshin më. “Ishin djem të rinj, me vullnet, me plot energji, që s’e kanë ditur çka është frika, që kanë dalë në vijat e para të frontit duke kënduar. Edhe ndoshta në mbrëmje s’janë kthyer fare”, është shprehur ajo. Kadrijaj ka thënë se i dhemb shpirti për mënyrën se si trajtohen sot njerëzit që sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Gjatë rrëfimit, ajo ka kujtuar edhe kushtet tejet të vështira në të cilat punonte personeli mjekësor gjatë luftës, kur mungonin pajisjet dhe materialet e nevojshme për trajtimin e të plagosurve. Sipas saj, transfuzioni i gjakut bëhej drejtpërdrejt nga një person te tjetri, ndërsa në raste të rënda mjekët detyroheshin të ndërhynin me mjete rrethanore për t’ua shpëtuar jetën ushtarëve. Ajo ka treguar raste tronditëse të plagosjeve, duke përmendur edhe ushtarë të cilëve u ishte dashur t’u amputoheshin gjymtyrët për të parandaluar vdekjen. “Dikujt prej ushtarëve dora i është prerë me sharrë të drurit. Nëse s’ia kishin prerë atë dorë prej granatave, ai kish vdekur krejt. Është i gjallë, i ka mbijetuar pa atë dorë”, ka rrëfyer Kadrijaj, duke kujtuar vështirësitë e jashtëzakonshme me të cilat përballeshin të plagosurit dhe ata që kujdeseshin për ta. Ish-mjekja e UÇK-së ka rikujtuar edhe takimin e parë me Ramush Haradinajn në vijat e frontit. Në rrëfimin e saj, Kadrijaj ka veçuar edhe kontributin e grave, të cilat, mes rrezikut dhe krismave të luftës, përkujdeseshin për ushqimin dhe nevojat e ushtarëve.

Kontrolloni gjithashtu

BE-ja dhe senatori amerikan dënojnë dhunën gjatë zgjedhjeve në Serbi

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për incidentet e dhunshme të raportuara në disa …