NATO-ja ka nisur riorganizimin e misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, në kuadër të ndryshimeve më të gjera në ndarjen e përgjegjësive ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane. Sipas Radios Evropa e Lirë, Aleanca synon që përmes këtij procesi të ruajë efektin strategjik të misionit, duke përdorur më me efikasitet burimet dhe duke vazhduar udhëheqjen evropiane. Një zyrtar i NATO-s ka bërë të ditur se riorganizimi lidhet me konceptin NATO 3.0, i cili parashikon një rol më të madh të Evropës në mbrojtjen e kontinentit. Megjithatë, Aleanca ka theksuar se mandati i KFOR-it, i përcaktuar nga Kombet e Bashkuara, mbetet i pandryshuar. Po ashtu, sipas saj, vazhdon angazhimi për sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. KFOR-i është i pranishëm në Kosovë që nga viti 1999 dhe ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes. Rëndësia e këtij misioni është dëshmuar veçanërisht gjatë tensioneve në veri të Kosovës, përfshirë përplasjet e vitit 2023, kur u plagosën edhe pjesëtarë të KFOR-it. Sipas të dhënave të publikuara nga Radio Evropa e Lirë më 23 tetor, në Kosovë shërbejnë gjithsej 4.739 trupa nga 31 vende të botës. Ndërkohë, në raportimet për planet e ardhshme është përmendur mundësia që numri i përgjithshëm i trupave të KFOR-it të reduktohet në rreth 3.500.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
