Kushtetuesja në Hagë nuk gjen shkelje në procesin gjyqësor ndaj Pjetër Shalës

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë ka refuzuar ankesat e Pjetër Shalës, duke konstatuar se procesi gjyqësor ndaj tij nuk ka shkelur Kushtetutën e Kosovës apo standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në aktgjykimin e 23 tetorit 2026, Dhoma shqyrtoi pretendimet e Shalës për zgjatjen e procedurave, përdorimin e deklaratave të dhëna gjatë marrjes në pyetje pa përfaqësues ligjor, bazën ligjore të veprave penale dhe dënimin e shqiptuar. Sipas vlerësimit të saj, Shala kishte pasur mundësi të mjaftueshme për ta kundërshtuar përdorimin e deklaratave të mëparshme, ndërsa disa prej tyre nuk ishin përdorur fare dhe të tjerat nuk kishin qenë vendimtare për shpalljen e tij fajtor. Dhoma vlerësoi gjithashtu se veprat penale dhe format e përgjegjësisë për të cilat ishte dënuar kishin bazë në të drejtën ndërkombëtare në kohën përkatëse. Po ashtu, informacionet e paraqitura në aktakuzë ishin konsideruar të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes. Disa pretendime u shpallën të papranueshme, pasi Shala nuk i kishte shteruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion, përfshirë ankesën për krahasimin e dënimit të tij me raste të tjera. Pjetër Shala është dënuar për krime lufte me 13 vjet burgim, pasi Gjykata e Apelit ia uli dënimin fillestar prej 18 vjetësh. Vendimi i fundit konstaton se pretendimet kushtetuese të shqyrtuara nuk dëshmojnë shkelje të të drejtave të tij gjatë procesit gjyqësor.

Kontrolloni gjithashtu

Prokuroria shqyrton ankesën e Arlindës, tri ditë para se ajo të vritej

Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se më 22 tetor kishte pranuar një parashtresë nga …