Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet vrasja e Arlinda Zekajt. Tahiri ka vlerësuar se ministrja duhet të marrë përgjegjësi morale për rastin, duke i bërë thirrje Qeverisë që të reflektojë për përgjegjësinë institucionale dhe të ndërmarrë veprime konkrete. “Znj. Gërvalla, sot minimumi i minimumit do të duhej që të mbani përgjegjësi morale. Si reflektim i përgjegjësisë dhe i ndjeshmërisë së kësaj Qeverie, sot do të duhej të jepnit dorëheqje”, deklaroi Tahiri. Deputeti i PDK-së kritikoi qasjen ndaj diskutimit për vrasjen, duke theksuar se, sipas tij, situata kërkon përgjegjësi politike dhe veprime konkrete, e jo vetëm deklarata për rolin e gruas në shoqëri. “Nuk është seminar, nuk është diskutim për të moralizuar për rolin e gruas në shoqëri. Sot duhet të jepet përgjegjësi, sot duhet të veprohet”, u shpreh ai. Kërkesa e Tahirit për dorëheqjen e Gërvallës e zhvendos debatin parlamentar te përgjegjësia politike për mbrojtjen e grave dhe funksionimin e mekanizmave institucionalë. Megjithatë, përtej përplasjeve politike, mbetet e domosdoshme të sqarohet nëse institucionet i kanë përmbushur detyrimet e tyre në rastin e Arlinda Zekajt dhe nëse tragjedia mund të ishte parandaluar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
