Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke kërkuar mbrojtje konkrete për gratë që raportojnë dhunë dhe duke vënë theksin te përgjegjësia e institucioneve për t’iu përgjigjur rasteve të tilla. Në reagimin e saj, ambasada ka theksuar se kërkimi i ndihmës nga viktimat duhet të pasohet me veprime të mirëfillta nga institucionet përgjegjëse. “Askush që ndërmerr hapin e guximshëm për të kërkuar ndihmë nuk duhet të mbetet pa mbrojtje”, thuhet në reagimin e ambasadës. Përfaqësuesit britanikë kanë nënvizuar se siguria e grave që përballen me dhunë në familje duhet të jetë prioritet, ndërsa rasti i Arlinda Zekajt rikthen vëmendjen te rëndësia e trajtimit serioz të çdo raportimi për rrezik. Ambasada ka bërë thirrje për bashkëpunim më të mirë ndërmjet institucioneve, llogaridhënie për veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve, si dhe qasje efektive të viktimave në drejtësi. Reagimi britanik vjen në një kohë kur vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur pikëpyetje të rënda për efektivitetin e mekanizmave institucionalë të mbrojtjes së grave. Përtej ngushëllimeve dhe deklaratave, mbetet thelbësore të sqarohet nëse institucionet i kanë përmbushur detyrimet e tyre dhe nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar tragjedinë. Në përfundim, Ambasada e Britanisë së Madhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të Arlinda Zekajt, duke shprehur shpresën që drejtësia të vihet në vend.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
