Daut Haradinaj nga Aleanca ka reaguar pas pretendimeve për lidhje të familjes Haradinaj me të dyshuarin për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë, duke mohuar se mbiemri i familjes së tij mund të përdoret si mburojë për persona që pretendohet se kanë kryer vepra penale. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka dënuar vrasjen e rëndë dhe ka kërkuar llogaridhënie institucionale, shkarkime dhe ndëshkime për përgjegjësit. Ai ka theksuar se fotografitë me persona të caktuar nuk dëshmojnë fajësi, por as nuk mund të përdoren për të arsyetuar një krim të tillë. Në fund, ai ka deklaruar se familja e tij nuk përbën mburojë për askënd dhe se angazhimi i tyre, sipas tij, është për sigurinë e qytetarëve, sovranitetin dhe të ardhmen e Kosovës. Haradinaj ka drejtuar kritika edhe ndaj avokates që kishte përfaqësuar Arlinda Zekajn, duke pyetur pse shqetësimet e pretenduara për ndikim apo mbrojtje të të dyshuarit nuk ishin ngritur përmes rrugëve institucionale para tragjedisë. Ai ka kërkuar gjithashtu reagimin e Odës së Avokatëve të Kosovës për çështjet që lidhen me përgjegjësinë profesionale. Duke i cilësuar si të pabazuara akuzat që, sipas tij, synojnë të përfshijnë familjen e tij pa fakte, Haradinaj ka paralajmëruar masa ligjore ndaj kujtdo që përdor mbiemrin Haradinaj për të kërcënuar të tjerët ose për të krijuar përshtypjen e paprekshmërisë. “Dështimi i shtetit për t’i mbrojtur gratë që bëhen viktima të dështimit katastrofal të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë është krim mbi krim”, ka shkruar Daut Haradinaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
