Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë një mesazh urimi nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, me rastin e zgjedhjes së saj në krye të shtetit. Në mesazhin e tij, Mbreti Charles III, së bashku me bashkëshorten, i ka përcjellë Presidentes urimet më të sinqerta, duke vënë në pah marrëdhëniet e afërta dhe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ai ka theksuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve mbështetet në vlera të përbashkëta dhe është forcuar ndër vite përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm. Mbreti Charles III ka rikujtuar edhe vizitën e tij të parë në Kosovë, më 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, si dhe vizitën e vitit 2016, kur së bashku me bashkëshorten vizitoi në Prizren një ekspozitë me veprat e babait të ndjerë të Presidentes Shiroka Pula. Në mesazhin e tij, ai ka nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë, në një kohë kur bota përballet me sfida të shumta gjeopolitike dhe klimatike. Në fund, Mbreti Charles III ka shprehur dëshirën që gjatë mandatit të Presidentes Shiroka Pula të thellohen edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, duke përcjellë urimet më të mira për të dhe për popullin e Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
