Siguria në Kosovë dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia kanë qenë në fokus të raportimit të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, para Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e kësaj agjencie. Pas mbledhjes, anëtari i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Rrahman Rama, deklaroi se situata e sigurisë në vend është stabile, ndërsa vëmendje e veçantë i është kushtuar luftës hibride dhe kërcënimeve kibernetike. Rama theksoi se këto sfida nuk prekin vetëm Kosovën, por janë pjesë e një shqetësimi më të gjerë rajonal dhe ndërkombëtar. Ai vlerësoi se kërcënimet e mundshme nga Serbia mbeten të vazhdueshme, duke nënvizuar rëndësinë e vigjilencës institucionale dhe të forcimit të kapaciteteve për t’u përballur me format e reja të rrezikimit të sigurisë. “U informuam për situatën e sigurisë, sidomos për kërcënimet që mund të vijnë dhe që janë permanente nga ana e Serbisë, luftën kibernetike, për të cilën realisht të gjithë jemi të shqetësuar, si dhe për luftën hibride që po ndodh jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon e më gjerë”, deklaroi Rama. Ai bëri të ditur se gjatë takimit u shpreh edhe gatishmëria për të mbështetur AKI-në dhe drejtorin e saj, Petrit Ajeti, në përmbushjen e përgjegjësive institucionale. “Edhe në pjesën veriore sundon ligji, rendi dhe jemi në rregull. Nuk kemi ndonjë shqetësim të jashtëzakonshëm”, u shpreh ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
