Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit, Arta Ajeti, nënkryetarin e komunës dhe drejtorët e drejtorive komunale, priti në takim drejtorin Raif Musliu, të cilit, me rastin e pensionimit, i ndau mirënjohje për kontributin shumëvjeçar në arsim dhe angazhimin në të mirë të komunitetit.
Musliu, krahas punës si arsimtar i fizikës dhe kimisë, ka udhëhequr për disa mandate në cilësin e drejtorit, Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ahmet Hajdari” në Beguncë.
Gjatë takimit, kryetari Haliti vlerësoi lart kontributin e Musliut në edukimin dhe arsimimin e brezave, si dhe punën e tij drejtuese në zbatimin e reformave në shkollë, përmirësimin e organizimit të procesit mësimor dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit. Ai vlerësoi gjithashtu angazhimin e vazhdueshëm të Musliut për fshatin Beguncë, duke e cilësuar si bashkëpunëtor të ngushtë në nismat dhe aktivitetet në shërbim të banorëve.
Vlerësime për punën dhe veprimtarinë e Musliut shprehën edhe drejtoresha e Arsimit, Arta Ajeti Alidema, dhe të gjithë folësit e tjerë. Ata theksuan se përmes përkushtimit në arsim dhe pjesëmarrjes aktive në jetën e komunitetit, Musliu ka lënë një trashëgimi të çmuar dhe një shembull profesional e njerëzor për brezat e ardhshëm.
Me këtë rast u prezantua edhe drejtoresha e re e shkollës, Albana Haziri, e cila pranoi detyrën nga drejtori i deritanishëm, në prani të kryetarit Haliti dhe përfaqësuesve komunalë.
Në përmbyllje, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, e falënderoi drejtorin Musliu për kontributin dhe bashkëpunimin ndër vite, duke i uruar shëndet dhe pensionim të mbarë. Drejtoreshës së re, Albana Haziri, i uroi suksese në detyrë dhe në avancimin e mëtejshëm të punës së shkollës.