Kosova vazhdon të përballet me ngecje në fushat themelore të procesit të integrimit evropian, ndërsa ndikimi politik dhe ai i grupeve të interesit mbi gjykatat dhe prokurorinë mbeten ndër shqetësimet e evidentuara nga Komisioni Evropian. Në draftin e raportit të tij për Kosovën, të cilin e ka publikuar Radio Evropa e Lirë, Komisioni Evropian e rendit Kosovën, së bashku me Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, ndër vendet ku nuk është shënuar përparim në fushat themelore. Dokumenti vë në pah ndikimin politik dhe të grupeve të interesit në sistemin e drejtësisë, duke ngritur shqetësime për funksionimin e gjykatave dhe prokurorisë dhe për nevojën e forcimit të pavarësisë institucionale. Një element i ri në draft është përfshirja, për herë të parë, e vlerësimit për përafrimin e plotë të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, në kapitullin e veçantë 31. Vlerësimet e Komisionit Evropian vijnë në një periudhë kur Kosova vazhdon të përballet me sfida në funksionimin e institucioneve dhe në përmbushjen e standardeve të kërkuara për avancimin e saj në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
