BE-ja: Zbatimi i marrëveshjes Kosovë–Serbi mbetet i pamjaftueshëm, kërkohet përshpejtimi i reformave

Komisioni Evropian vlerëson se zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe i Aneksit të saj të zbatimit, vazhdon të jetë i pamjaftueshëm. Në draftin e raportit për Kosovën theksohet se përparimi i të dyja vendeve në procesin e integrimit evropian mbetet i lidhur drejtpërdrejt me rezultate konkrete në normalizimin e marrëdhënieve. Sipas Komisionit Evropian, normalizimi nuk përbën vetëm një kusht për avancimin drejt BE-së, por është i rëndësishëm edhe për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të të dyja shoqërive dhe të rajonit. Dokumenti paralajmëron se mungesa e përparimit në këtë proces sjell pasoja politike dhe ekonomike dhe rrezikon t’i lërë të dyja palët prapa, në një kohë kur procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ka marrë sërish hov. Në pjesën që trajton Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Komisioni bën të ditur se deri në shtator të vitit 2026 janë disbursuar 193,3 milionë euro grante nga gjithsej 1,6 miliard euro, në kuadër të 90 hapave reformues të përmbushur. Megjithatë, kërkohet përshpejtimi i zbatimit të reformave. Drafti trajton edhe procesin e pajtimit në rajon, duke vënë në pah se revizionizmi historik, mohimi ose glorifikimi i krimeve të luftës dhe retorika nxitëse janë të papajtueshme me vlerat mbi të cilat mbështetet procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Komisioni thekson gjithashtu se po punohet për heqjen e tarifave të roamingut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kontrolloni gjithashtu

Aleanca denoncon kërcënimet ndaj Ramush dhe Daut Haradinajt: Kemi dorëzuar prova në Polici

Zëdhënësi i Aleancës Kushtrim Xhemaili, ka denoncuar një fushatë kërcënimesh në rrjetet sociale ndaj Ramush …