Mungesa e deputetëve të shumicës parlamentare ka pamundësuar zhvillimin e punimeve të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion, ku ishte paraparë shqyrtimi i një projektligji dhe raportimi lidhur me Autoritetin e Konkurrencës. Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po i shmanget ballafaqimit për zhvillimet në këtë institucion dhe se, sipas tij, po mbron personat përgjegjës për shkelje të pretenduara. Lushtaku tha se mungesa e deputetëve të shumicës nuk është thjesht bojkot i punës së Komisionit, por, siç pretendoi ai, përpjekje për të mbrojtur drejtuesit e Autoritetit të Konkurrencës. Ai rikujtoi se edhe në mbledhjen e kaluar kishte pasur tensione lidhur me shtyrjen e shqyrtimit dhe mosftesën e disa anëtarëve të bordit, duke kërkuar që këto zhvillime të hetohen edhe nga institucionet e drejtësisë. Deputeti i PDK-së paralajmëroi se do të kërkojnë shkarkimin e anëtarëve të bordit, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në zbardhjen e rasteve të pretenduara të kurdisjes së çmimeve dhe dëmtimit të konsumatorëve. Edhe deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, kritikoi mungesën e deputetëve të mazhorancës, duke thënë se kjo po pengon trajtimin e veprimeve që ajo i cilësoi si jolegjitime brenda Autoritetit të Konkurrencës. Ymeri rikujtoi se kjo çështje ishte ngritur edhe gjatë legjislaturës së kaluar dhe vlerësoi se veprimet e pretenduara brenda këtij institucioni duhet të marrin përgjigje institucionale. Ajo akuzoi Vetëvendosjen për mospërputhje mes deklarimeve publike në mbrojtje të konsumatorëve dhe veprimeve që, sipas saj, po dëmtojnë interesat e tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
