Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, gjatë një takimi në Berlin me Ministrin e Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme gjermane, Gunther Krichbaum. Gjatë takimit, Zulfaj ka theksuar se Kosova ka shënuar përparim të konsiderueshëm demokratik dhe ekonomik gjatë dekadës së fundit dhe se ky progres duhet të shpërblehet me hapa konkretë drejt integrimit evropian, mbi bazën e meritave. Ai ka rikujtuar se, gati katër vjet pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat. Sipas tij, kjo gjendje nuk është në përputhje me zotimet e Samitit të Selanikut dhe deklaratat e vazhdueshme të BE-së për perspektivën evropiane të Kosovës. Në këtë kontekst, Zulfaj i ka kërkuar Gjermanisë, si një nga shtetet me ndikim në vendimmarrjen evropiane, të angazhohet për përshpejtimin e procesit dhe mbështetjen e dhënies së statusit kandidat për Kosovën. Në fund të takimit, ai ka falënderuar ministrin Krichbaum për diskutimin dhe bashkëbisedimin e hapur lidhur me perspektivën evropiane të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
