OVL-UÇK: Gjashtë vjet padrejtësi, Serbia na masakroi popullin, Gjykata Speciale po na masakron të vërtetën

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar në gjashtëvjetorin e arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së, duke kritikuar ashpër Gjykatën Speciale në Hagë dhe bashkësinë ndërkombëtare për mënyrën e trajtimit të procesit gjyqësor ndaj tyre.

Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK ka shprehur pakënaqësinë ndaj vazhdimit të procesit gjyqësor, duke e cilësuar atë si padrejtësi dhe duke akuzuar institucionet ndërkombëtare për cenimin e besimit të qytetarëve të Kosovës në drejtësinë evropiane.

“Gjashtë vjet padrejtësi! Serbia na masakroi popullin, Gjykata Speciale po na masakron të vërtetën! Evropë, u bënë gjashtë vjet që po e tradhton besimin e Kosovës në drejtësinë tënde!”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

Në këtë gjashtëvjetor, përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta kanë zhvilluar edhe një aksion simbolik para zyrave të Bashkimit Evropian në Prishtinë, ku kanë shprehur kundërshtimin ndaj Gjykatës Speciale dhe kanë kërkuar rishqyrtimin e rezolutës së Këshillit të Evropës, mbi të cilën është ndërtuar procesi i themelimit të saj.

Përmes këtij reagimi dhe aksionit simbolik, organizatat e dala nga lufta kanë kërkuar vëmendje më të madhe ndërkombëtare ndaj shqetësimeve të tyre lidhur me procesin në Hagë dhe trajtimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Vlora Çitaku në gjashtëvjetorin e arrestimit të krerëve të UÇK-së: Kosova ka detyrim t’i dalë zot çlirimtarëve të saj

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar në gjashtëvjetorin e arrestimit …