Dr. Skёnder Demaliaj: REFORMIMI I ARSIMIT TË LARTË DHE ZHVILLIMI I EKONOMISË II

Dr. Skënder Demaliaj: Zhvillimi i Arsimit në Krahinën e Bytyçit në Vitet 1923-1944

Në datën 21 nëntor 2026, ora 10:00 në mjediset e Shkollës së mesme “Murat Paci” në Pac do të organizohet veprimtaria në kuadër të 50-vjetorit të hapjes së saj. Me këtë rast po japim një historik ë shkurtër për zhvillimin e arsimit në Krahinën e Bytyçit.

Pjesa e parë

Zhvillimi i Arsimit në Krahinën e Bytyçit në Vitet 1923-1944

Shkolla e parë është hapur në fshatin Vlad, në vitin 1923. Para hapjes së saj ka qenë xhamia në Bytyç, e ndërtuar në vitin 1774. Xhamia e parë në Tropojë është Xhamia e Madhe në Kolgecaj, në vitin 1732. Në Konviktin “Malet tona” në Shkodër, në vitin 1922-1923 kanë qenë nga Tropoja 6 nxënës: Ali Barh Neza, Rexhep Arifi i Arif Haxhisë nga Mejdani dhe nga Bytyçi: Ukë Halili, Vehbi Jonuzi, Idriz Zeneli dhe Demush Lushi. Mësuesi i parë në Vlad ka qenë Iljaz Efendia nga Prishtina. Në atë vit ka patur 40 nxënës të regjistruar. Internati “Kosova” u hap në Kolgecaj, në mars të vitit 1923. Këtu kanë mësuar Murat Paci, Shaban Haxhia, Hysen Haxhia. Internati “Kosova” u transferua në Krumë, në vitin 1928. Edhe këtu kanë vazhduar mësimet: Murat Paci, Shaban Haxhia, Hysen Haxhia. Murat Paci vazhdoi studimet në Gjimnazin e Shkodrës, kurse Shaban Haxhisë dhe Hysen Haxhisë nuk iu dha bursë për arsye politike, se babai i tyre Haxhi Mehmeti ishte kundër regjimit të Ahmet Zogut.

Mësuesi i parë vendas në rrethin e Tropojës ka qenë Ali Brah Neza.

Në vitin 1924 -1925-1926 në Vlad ka qenë mësues Ismet Goraci. Në vitin shkollor 1925-1926 ka patur 50 nxënës. Nga viti 1926-1930 shkolla u mbyll për mungesë fondesh. Në vitin 1930-1931 mësues ka qenë Shaban Ferri dhe ka patur 34 nxënës.

Në vitet shkollore 1931-1933 mësues ka qenë Bajram Nura.

Në vitin shkollor 1933-1934 mësues ka qenë Xhelal Herdolli dhe shkolla ka patur 52 nxënës.

Në vitin shkollor 1935-1936 mësues ka qenë Sait Bakalli, kurse në vitet 1936-1939 mësues ka qenë Hall Agusholli.

Në vitin 1937-1938 u hap shkolla në fshatin Zogaj, me mësues Mustafë Botushën, kurse në vitin 1939 u hap shkolla edhe në fshatin Berishë, me mësues Ali Barh Nezën.

Në vitet shkollore 1939-1941 mësues ka qenë Mark Zefi, nga Shkodra. Pas këtij viti shkolla u mbyll deri në çlirimin e vendit.

Në vitet 1937 Krahina e Bytyçit kishte 9 fshatra, 2354 banorë dhe dy shkolla fillore.

Në vitin shkollor 1930-1931 kanë funksionuar vetëm katër shkolla në rrethin e Tropojës, në këto fshatra: Bytyç, Kolgecaj, Tropojë, Kovaç. Në fshatin Tropojë ka qënë Qendra Administrative e rrethit, në fshatin Kolgecaj u ruajt tradita e arsimit që nga Internati “Kosova”. Në Kovaç hapja e shkollës është lidhur me ndikimin politik të Hoxhajve të Gashit. Bytyçasit ishin arsimdashës dhe këmbëngulën tek autoritetet shtetërore të kishin përsëri shkollën e tyre.

Në vitin shkollor 1938-1939 në rrehin e Tropojës kishtë 11 shkolla fillore, me gjithsej 617 nxënës dhe 13 mësues, në fshatrat: Tropojë, Kolgecaj, Zogaj, Kovaç, Bujan, Shipshan, Dragobi, Bytyç, Tpla. Të gjitha këto ishin shkolla dimërore, kurse shkolla verore kishte në Gjonpepaj dhe në Salcë.

Duke analizuar këto të dhëna arrijmë në këto përfundime:

  • Për numrin e popullsisë, numri i shkollave fillore ishte i vogël. Shumica e popullsisë ishte analfabete.
  • Numri i vajzave në këto shkolla ishte i vogël. Në vitin 1933, në Pac kishte 75 fëmijë të moshës së arsimit fillor, nga të cilët 40 ishin vajza. Kërkohej që për tërheqjen e tyre në shkollë të vinte një mësuese për to.
  • Nuk ekzistonte as arsimi 7 vjeçar, as arsimi i mesëm.
  • Për mungesë fondesh dhe personel mësimor mësimet ndërpriteshin herë pas here. Po kështu edhe për shkak të pushtimit fashist italian dhe atij nazist gjerman.
  • Kuardot ishin nga Kosova, Shkodra dhe Elbasani. Kuadri vendas ishte pothuajse inekzistent. Edhe ndonjë mësues, si Rexhep Shpend Vidrica u caktua jashtë Tropojës dhe në Kosovë. Mësuesja e parë vendase është Ajshe Shpendi, motra e Rexhepit.
  • Mungonte infrastruktura mësimore: mjediset ishin të vogla e të papërshtatshme, baza materialo-didaktike e pakët. Shkollat u ndërtuan me kontribut vullnetar nga fshatarët ose mjediset e shkollave dhuroheshin nga familje si bamirësi për zhvillimin e arsimit. Megjithatë mësuesit ishin të përgjegjshëm për misionin e tyre, punonin me përkushtim dhe patën rezultate në shkrim, këndim, dhe matematikë.

Zhvillimi i Arsimit në Krahinën e Bytyçit nga viti 1945-1976

Në vitin 1945 u hapën shkollat fillore në Pac e në Zogaj. Në Pac shkolla u vendos në shtëpinë e Mehmet Haxhisë (Isufaj), sepse shtëpia e tij ishte një nga dy shtëpitë që nuk ishte djegur nga pushtuesi gjerman në verën e vitit 1944. Nuk ishte pikasur prej tyre për vetë pozicionin e saj dhe pemët që e rrethonin. Në këtë vit u bë një punë e madhe kundër analfabetizmit nëpërmjet kurseve në çdo fshat. Në vitin 1946 u punua për ndërtimin e shkollave, ku u dalluan Ali Hamza 55 vjeç në Zogaj dhe Lush Imeri, 41 vjeç nga Kepeneku. Në vitin 1946, Tropoja zinte vendin e parë në realizimin e detyrimit shkollor.

Në vitin 1952 u hap konvikti i parë në Kolgecaj, me 100 vende, për të cilin u investuan 3.532.000 lekë. Në vitin 1953 nga Bytyçi në këtë konvikt, me bursë shteti shkuan: Adem Rexha, Ahmet Selimi, Bislim Zenuni, Brahim Rama, Din Rexhepi, Habib Selimi, Hysni Idrizi, Rexhep Mala, Rukie Rama, Mehmet Rama, Shaqir Sadria, Sulejman Dini.

Vitet 1956-1965 shënojnë një masivizim të sistemit të arsimit dhe të rritjes cilësore të tij, por edhe në përgatitjen e kuadrit vendas. Në vitin 1956 u hap shkolla 7-vjeçare në Pac, kurse në Zogaj në vitin 1965. U hapën shkollat fillore në  Rrushtë-Shëngjergj (1956), në Zherkë (1960), në Kam (1961). Në këto vite mbaruan shkollën pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka”: Elez Imeri, Mehmet Imeri, Shaban Geci, Ibrahim Hamza, mbaruan shkollën pedagogjike në Shkodër: Mehmet Rama, Rukie Rama, Hamdi Neza, Shkollën Normale të Elbasanit: Musë Saraçini, shkollën pedagogjike në Peshkopi Ibrahim Shabani, Gjimnazin në Shkodër Hasan Neza. Mbaruan Institutin “Aleksandër Xhuvani”, në vitet `60, me cikël 1-2-vjeçar: Hasan Neza dhe Rukie Rama, kurse më vonë Institutin Pedagogjik në Shkodër: Shaban Geci, Ibrahim Hamza, Mehmet Imeri. Këta dy të fundit bashkë me Hasan Nezën mbaruan studimet e larta me korespodencë në Universitetin e Tiranës.

Shkolla 7-vjeçare u hap në mjediset e shkollës fillore ekzistuese. Një ndërtesë e vogël në Shulla, me baltë dhe gurë, e mbuluar me dërrasa dhe e shtruar po me dërrasa. Dy klasa ekzistuese ishin ndarë përgjysmë dhe jashtë kësaj ngrehine ishte ndërtuar një klasë e re. Nga këto modifikime ishin bërë gjithsej 5 dhoma të vogla të mjaftueshme, sepse fillorja bënte mësim me dy klasa kolektive. Kjo shkollë 7-vjeçare ishte e vetmja në të gjithë Bytyçin. Fshatrat e tjera kishin vetëm shkollë fillore.

Mësuesit e parë në këtë shkollë janë: Mehmet Imeri, Elez Imeri, Rukie Rama, Mehmet Rama, Shaban Geci, Ibrahim Hamza, Bajram Imeri. Mehmet Imeri u transferua nga Zogajt, ku ishte mësues, Bajram Imeri nga Shoshani, Shaban Geci nga Shëngjergji. Nxënësit e parë që kanë mbaruar klasën e shtatë janë: Imer Demaliaj, Sahit Fetahi, Selim Musa, Ajshe Oruçi, Sose Musa, Isuf Rexhepi, Ibrahim Zeneli, Rrahman Imeri, Xhemajl Idrizi. Disa prej tyre vazhduan shkollën e mesme: Imer Demaliaj për minierë, Ajshe Oruçi për mami, Rrahman Imeri për oficer, Ibrahim Zeneli për agronomi.

Në vitin 1962 me kontribut vullnetar u ndërtua shkolla e re 7 vjeçare te Mani i Hoxhës, në formën e shkronjës “U”. Kishte 7 Klasa për mësim dhe drejtorinë e shkollës. Në vitin 1968-1969 u shtuan edhe tri klasa të tjera për mësim. Gjatë këtyre viteve kanë dhënë mësim: Halil Muja, Elez Imeri, Rukie Rama, Ibrahim Hamza, Njac Deda, Fisnik Manjani, Kel Çekaj, Tajar Bilali nga Elbasani, Skënder Bilali nga Shkodra, Shefqet Kraja nga Shkodra, Mërgim Bilali nga Shkodra, Gjon Geci, Shaban Geci, Gjenovefa Maliqi nga Tirana etj.

Nga viti 1956-1975 kanë qenë drejtorë: Mehmet Imeri, Huzri Shehu, Selim Rama, Gjon Jaha, Ibrahim Hamza, Ibrahim Lamnica, Bajram Rrahmani, Pandora Golemi. Respekt dhe vlerësim për punën e tyre në zhvillimin e arssimit dhe edukimin e brezave.

Në vitin 1960 u hap shkolla fillore në Zherkë, nga e cila u tërhoqën fëmijët e lagjes Stobërt, që kishin mbetur pa shkollë, për shkak të largësisë me shkollën e Pacit. Mësuesi i parë ishte Ibrahim Hamza, i cili qendroi deri në vitin 1962. Më vonë në këtë shkollë kanë dhënë mësim Rukë Kuliçi, Flutura Rama, Gëzim Imeri, Bujar Hajdarmataj, Bedrie Tahiri. Nga kjo shkollë ka dalë nxënësi Enver Mustafaj, i cili e mbaroi Degën e Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë me Medalje Ari. Më vonë u hapën edhe shkollat fillore në Leniq, Vlad, Çorraj, ku kanë dhënë mësim: Rukë Jahelezi, Elez Imeri, Ajshe Bajrami, Adil Koloshi, Ibrahim Sylhasani, Rush Imeraj, Ramadan Oruçi etj. Në Kam u hap  edhe shkolla pa shkëputje nga puna, me qëllim që të vazhdonin shkollimin punëtorët e minierës pas pune.

Për zhvillimin e arsimit në Krahinën e Bytyçit kanë dhënë ndihmesën e tyre mësuesit nga rrethet e tjera, kryesisht nga Peshkopia, Shkodra, Elbasani dhe Fieri: Petrit Këllezi dhe Halil Gurra nga Elbasani, Leonora Kalleshi, Kristina Buda, Vangjeli Sina, Pandora Golemi, Vasilika Shtaga nga Fieri, Islam Hysa, Fisnik Manjani, Huzri Shehu, Dervish Biba nga Peshkopia, Skënder Bilali, Mërgim Bilali, Kel Çeka, Shefqet Kraja, Avni Avdiaj, Mehdi Dule nga Shkodra, Stavri Kordha nga Vlora, Luan Merxhani nga Saranda.

Disa veçori të zhvillimit të arsimit nga viti 1968-1976

  • Në vitin 1963 u kalua nga sistemi 7-vjeçar në sistemin 8-vjeçar. Kjo ndikoi në formimin shkencor të nxënësve. Shtrirja e arsimit 7-vjeçar, i cili më vonë u bë 8-vjeçar, kishte rëndësi të madhe për gjithë zonën, sepse i gjithë brezi i ri u arsimua deri në këtë nivel. Ndikimi i dijeve depërtoi edhe në familje. Ajo që kishte rëndësi më të madhe ishte krijimi i mundësive për të vazhduar shkolla të mesme brenda dhe jashtë rrethit dhe më pas vazhdimin e studimeve të larta në çdo degë për të cilat kishte shumë nevojë. Krahas masivizimit të shkollës kemi, rritjen e nivelit të mësimdhënies, por edhe të cilësisë.
  • Detyrimi shkollor realizohet në mbi 90% të nxënësve. Në vitin 1968, në Pac, vetëm dy fëmijë nuk vinin në shkollë. Në vitin 1973 në Bajram Curr u hap qendra e konsultimeve dhe e provimeve e Institutit Pedagogjik Shkodër, çka përshpejtoi përgatitjen e kuadrit vendas.
  • Është periudha e revolucionarizimit të shkollës, ku u vendos trekëndëshi revolucionar, siç quhej atëherë: Mësim-Punë prodhuese-Edukim Fizik dhe Ushtarak, i cili vazhdoi deri në vitin 1991. Shkolla si pjesë e superstrukturës ishte e politizuar tej mase.
  • U përmirësuan marrëdhëniet mësues-nxënës-prindër-komunitet. Ndodhi procesi i demokratizimit të shkollës dhe i zbatimit të vijës së masave.
  • Në vitin shkollor 1968-1969, në kuadër të masave që u morrën për riorganizimin e shkollës u zvogëlua numri i inspektorëve të arsimit të rrethit dhe u krijuan drjtor-inspektorët e zonave. Rrethi i Tropojës kishte katër zona, me bazë lokalitetesh. Ibrahim Hamza u caktua për zonën e Pacit. Zëvendësdrejtoresha Drita Papaj, një nga 40 mësueset vullnetare, të ardhura nga Fieri për të punuar dy vjet në rrethin e Tropojës drejtonte realisht shkollën. Në shkollë atë vit ishin këta mësues: Halil Muja, Bajram Imeri, Silva Pina, Elez Imeri, Drita Papaj, Ibrahim Hamza, Gjenovefa Maliqi,  Fadil Kopliku.  Më vonë erdhën: Zojë Lumnica, Bukurie Neza. Një nga punët kryesore të drejtorit të zonës ishte kualifikimi i mësuesve. Në një shkollë nuk mund të bëhej mirë kjo punë, sepse kishte vetëm një mësues për çdo lëndë. Një herë në muaj, ditën e shtunë nuk bëhej mësim. Të gjithë mësuesit e shkollave të zonës mblidheshin në një nga shkollat. Aty në bazë të klasave dhe të lëndëve mësimore bëheshin rrethet metodike, ku secili prej tyre drejtohej nga një mësues me më shumë përvojë. Përgatiteshin tema, lexoheshin ato, jepeshim mësime të hapura dhe  bëheshin analizat e këtyre orëve. Në këtë mënyrë shkëmbehej përvoja dhe kualifikoheshin mësuesit. Përcaktoheshin problemet e evidentuara, ku kishte më tepër nevojë për t’u ndihmuar mësuesi. Kjo edhe për faktin se mosha mesatare e mësuesve ishte 21 vjeç.
  • Rritja e shkallës së arsimimit pati ndikim pozitiv në mendësinë e njerëzve për mënyrën e jetesës, e cila u reflektua në ndërtimin e shtëpive të reja, në mobilimin e tyre dhe në strukturën e të ushqyerit. Gjithashtu ndikoi pozitivisht në demokratizimin e jetës në familje, në higjenizimin e fshatit, në përmirësimin e shëndetit, në zhvillimin e veprimtarive kulturore, sportive, në evidentimin e talenteve të reja, në ruajtjen dhe kultivimin e traditave më të mira.

Pjesa e dytë

Zhvillimi i arsimit në Krahinën e Bytyçit nga viti 1976 deri në ditët e sotme

Momentet më të rëndësishme janë: hapja e shkollës së mesme në Pac, në vitin 1976, e shkollës së mesme në Zogaj në vitin 1987 dhe e shkollës fillore në Stobërt, me mësuese Rukë Neza.

Hapja e shkollës së mesme në Pac u prit me shumë gëzim dhe entuziazëm. Bytyçasit janë shumë arsimdashës. Para se të hapej shkolla e mesme nxënësit e shkollës 8-vjeçare shkonin për studime në Bajram Curr, në Tropojë, në Tiranë, Shkodër, bile edhe në Vlorë, Korçë e në Përrenjas. Shkolla u erdhi në prag të derës. Përveç kësaj, kjo shkollë shërbeu si fidanishte e përgatitjes së kuadrove të lartë, veçanërisht në sektorin e bujqësisë e të blegtorisë. Nga kjo shkollë dolën nxënës të shkëlqyer si: Lefterie Mustafaj, Drita Neza, Liljana Haxhiaj etj.

Puna ime në atë shkollë është një vlerë e shtuar. Ishim të rinj, kur dhamë mësim dhe punuam me dëshirë dhe përkushtim. Kudo që kam punuar kam qenë me fat, kam pasur rreth vetes njerëz të aftë. Mësuesit: Sadri Oruçi, Zeqinije Koçi, Drita Demaliaj, Riza Aliaj, Shpresa Oruçi, Feriz Hyka, Islam Lahukaj, Besim Memia, Xhemajl Hysenleka, Flora Bajraktari, Avni Avdiaj, Stavri Kordha, Luan Merxhani, Hamdi Jahelezi, Elez Sylhasani, Ferhat Ponari, Selim Alia, Sherif Mustafaj, Qemal Elezi, Mal Ismailgeci, Abedin Katana, Flora Lata, Avdi Kuçana, Medi Dule, Xhafer Hoxha, Vjollca Rexha, Mirash Martini, Cen Adullahi, Sejdi Buçpapaj, Muharrem Kuçana, Isa Nikoçi ishin, jo vetëm krenaria e shkollës së Pacit, por edhe e arsimit në Tropojë.

Në këtëo vite në Cilkin e Ulët janë dalluar: Bajram Imeri, Ajshe Mustafaj, Feride Mulgeci, Përparime Demaliaj, Rushë Imeraj, Rukë Jahelezi.

Në vitin e parë, më 1976, kur u hap shkolla u regjistruan 30 nxënës me shkëputje nga puna. Në vitin pasardhës u hap edhe klasa me nxënës pa shkëputje nga puna. Në vitin 1980 doli matura e parë. 50% e nxënësve vazhduan studimet e larta. Shkolla ishte në pararojë të eksperimentimit shkencor. Në vitin 1977 u ndërtua sera diellore për kultivimin e perimeve. U ngritën parcelat eksperimentale për kultivimin e grurit dhe të misrit, ku u dallua mësuesi agronom Stavri Kordha nga Vlora. U ndërtua Kopshti Botanik me një numër të madh bimësh e kultivarë që deri në atë kohë nuk gjendeshin në krahinën tonë, por edhe bimë endemike, ku u dallua mësuesi i biologjisë Elez Sylhasani dhe mësuesi i agronomisë Avdi Kuçana. Kur u hap dega zooveterinari u ngrit edhe ferma e lopëve. Të gjitha këto ishin një laborator i gjallë për të zhvilluar mësimin me nxënësit në lëndët: Botanikë, Bimët e arave, Perime dhe Zootekni.

Në vitin 1982 me nismën e mësuesve të shkollës u organizua një sesion shkencor për luftën e bytyçasve kundër pushtuesit nazist gjerman në verën e vitit 1944, ku u dalluan mësuesit: Xhemajl Hysenleka, Riza Aliaj, Islam Lahuka, Sadri Oruçi, Shpresa Oruçi, Bajram Sulejman Imeri dhe Skënder Demaliaj. Me këtë rast u ngrit edhe Muzeu i Krahinës së Bytyçit. Po kështu në vitin 1984 u organizua edhe një sesion tjetër shkencor për luftën e bytyçasve kundër pushtuesit serbomalazez në vitet 1913-1915.

Në vitin 1984 nxënësit hynë në shkollën e re dykatëshe. Për ndërtimin e saj ishin të interesuar Komiteti i Partisë dhe Komiteti Ekzekutiv i rrethit. Sekretari i Parë i Partisë i rrethit, Faik Kopaçi për t’i dhën një shtysë të re punës për ndërtimin e saj sa më parë bëri punën fizike aty. Përgjegjësi i Qendrës Ekonomike të Arsimit, Hysni Musa dhe tekniku Shaban Doçi ndoqën me përparësi punimet e shkollës. Gjithashtu punuan me përkushtim, me orë të zgjatura dhe ditëve të shtuna punëtorët e ndërtimit: Zenel Uka, Galip Bajrami, Sahit Fetahi, Hasan Idrizi dhe Xhemajl Idrizi. Kështu u krijuan kushtet për krijim e kabineteve për lëndët: Fizikë, Kimi dhe Letërsi. U ngrit terreni sportiv dhe filloi puna për rrethimin e shkollës. Pas përfundimit të kësaj shkolle janë kryer restaurime të pjesëshme, janë adaptuar tualetet në mjediset e brendshme të shkollës, është futur uji i pijshëm, është rregulluar çatia. Shkolla është pajisur më sallën e informatikës dhe laborator modern, me mbështetjen e biznesmenit të kësaj Krahine, zotit Ram Geci.

Ndërtimi i Pallatit të Kulturës me të gjitha mjediset e nevojshme: sallë shfaqesh, bibliotkë, qendër zëri, librari krijoi premisat për zhvillimin e veprimtarive kulturore-artistike, të shfaqjeve teatrale. Shkolla kishte grupin e vet artistik dhe ekipet sportive. Jepte shfaqje në fshatrat e zonës, në qendrën e punëtorëve në Kam, zhvillonte ndeshje me ekipet sportive të kooperativave të tjera dhe ndërmarrjeve shtetërore. Në olimpiada sportive dhe konkurse të grupeve artistike disa herë u vlerësua me çmime. U mblodhën fjalë të rralla, këngë folklorike të Bytyçit, u ngrit Kabineti i Folklorit, u bë historiku i shkollës. Libri im: “Studime për folklorin e Krahinës së Bytyçit”, botuar vitin e kaluar është mbështetur mbi këto këngë, të cilat i mblodha bashkë me nxënësit, kur isha mësues në Pac.

Roli i shkollës në masivizimin e veprimtarive kulturore dhe artistike e në rritjen cilësore të tyre në  Krahinën e Bytyçit

Shkolla ka qenë promotore e gjallërimit dhe e masivizimit të veprimtarive kulturore artistike. Aktorët e përë të skenës në Bytyç kanë qenë mësuesit: Mehmet Imeri, Rukie Rama, Dervish Biba, Skënder Bilali. Nga këngëtarët janë dalluar mësuesit: Feraset Imeri, Shpresa Demaliaj, Feriz Hyseni, nxënësit: Hamit Shefqeti, Avni Rexha, Muharrem Imeri, si instrumentistë mësuesit: Bajram Sulejman Imeri, Gani Rexha, punonjësi i bazës prodhuese, Murat Beka, nxënësit: Naim Hajdarmataj, Mentor Haxhia, Skënder Rexha, Si valltarë mësuesit: Ajshe Bajrami, Sanie Imeri, nxënësit: Nurie Rexha, Hire Demaliaj, Zyra Rexha, Servete Imeraj etj, në shkrimin e libreteve dhe teksteve të këngëve ka kontribuar mësuesi Skënder Demaliaj.

Në vitet 1945-1990 pjesëmarrja e bytyçasve në veprimtaritë kuturore dhe artisti. ke ka qenë masive. Kjo falë talentit dhe dëshirës së tyre, por edhe të kujdesit dhe investimeve në infrastrukturë të pushtetit të ri. Në vitin 1953 në shtëpinë e Zmajl Cenit u vendos salla e leximit. Përgjegjës i saj ishte Rrustem Uka nga Vladi. Në vitin 1957 në shtëpinë e Demush Lushit filloi veprimtarinë e saj shtëpia e kulturës në Pac, me përgjegjës Hysen Zmajlin. Kjo shtëpi ishte sekuestruar nga shteti se ai ishte arratisur në Jugosllavi. Po në këtë vit u dha filmi i parë artistik nga autokinemaja e Tiranës. Gjithashtu më 1957 u sigurua një radio me vajguri, e cila u vendos në shtëpinë e kulturës. Banorët e Pacit në kohën e lirë mblidheshin në këtë institucion dhe dëgjonin emisionet e Radio Tiranës. Shefqet Peshku në Pac kishte gramafon. Lagjja Tutaj dhe e Bregut të Vladit pati shumë instrumentistë dhe këngëtarë. I quanim “lagje ahengu”. Në vitin 1964 u ndërtue shëtpia e kulturës në Pac, godinë e re dhe e veçantë, me 100 vende dhe një skenë të vogël.

Ansambli i parë artistik i Bytyçit u krijue në vitin 1970 me 70 pjesëmarrës, nën drejtimin e Bajram dhe Ferasete Imerit. Viti 1979 shënon një sukses të madh në zhvillimin e kulturës dhe të artit në Krahinën e Bytyçit. U përurua Pallati i Kulturës, me 200 vende, me skenë funksionale, qëndër zëri, bibliotekë, librari dhe vend të veçantë për shfaqen e filmave.

Në vitin 1982 u përurua edhe Muzeu i Krahinës së Bytyçit, ku kontribuan: Skënder Demaliaj, Riza Alia, Hamëz Tutaj, Bajram Imeri. Drejtues i orkestrës gjatë gjithë kohës ka qenë Bajram Imeri, instrumentist, kompozitor, skenarist, punëtor i palodhun dhe i talentuar.

Bajram Sulejman Imeri, Hamëz Tutaj dhe Hysen Zmalji kanë meritën kryesore në masivizimin e veprimtarive kulturore-artistike,  me pjesëmarrje masive dhe cilësi të lartë.

Lagjja Tutaj, Bregu i Vladit, Zherka dhe Mashi kanë qenë më të dalluarat.

Kontrolloni gjithashtu

Islam Sadiki-St. Gallen: Deçani në zemër të mërgatës – libër, diplomaci dhe krenari kombëtare në Cyrih e St. Gallen

Islam Sadiki-St. Gallen: Deçani në zemër të mërgatës – libër, diplomaci dhe krenari kombëtare në Cyrih e St. Gallen

Promovimi i librit “Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit”, me autor MSc. Adem …