Edi Rama takohet me Macronin në Paris, në prag të Forumit të Paqes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Élysée në Paris, në prag të pjesëmarrjes në Forumin e Paqes, i cili këtë vit trajton sfidat globale dhe rëndësinë e qeverisjes efektive për garantimin e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm. Rama ka bërë të ditur takimin përmes një publikimi në rrjetet sociale, ku ka shpërndarë fotografi së bashku me presidentin francez. “Palais de l’Élysée – Me Presidentin Emmanuel Macron, për të gjitha temat me interes të përbashkët, në vigjilje të Forumit të Paqes nesër”, ka shkruar Rama. Forumi i Paqes në Paris këtë vit i kushton vëmendje qeverisjes efektive si një prej faktorëve kryesorë për paqen e qëndrueshme, stabilitetin dhe prosperitetin, në një periudhë të shoqëruar me ndryshime të rëndësishme gjeopolitike, zhvillime teknologjike dhe sfida klimatike. Në kuadër të këtij aktiviteti ndërkombëtar, kryeministri shqiptar do të marrë pjesë edhe në sesionin e posaçëm të formatit “Spotlight”, ku do të diskutojë për perspektivën evropiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me theks të veçantë te brezat e rinj.

Kontrolloni gjithashtu

Vuçiqi kërcënon me konflikt me NATO-n, ndërsa retorikën e tij për “mbijetesën e serbëve” po e përsërit edhe Lista Studentore

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vazhdon ta përdorë retorikën e kërcënimeve dhe të viktimizimit për …