Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK-ja nuk ka hequr dorë nga iniciativa për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke bërë të ditur se diskutimet me Lëvizjen Vetëvendosje dhe subjektet e tjera parlamentare po vazhdojnë. Çitaku ka thënë se ndërmjet partive politike tashmë ekziston pajtueshmëri për përmbajtjen e ligjit, ndërsa dallimet e mbetura kanë të bëjnë vetëm me procedurën e miratimit të tij në Kuvend. Ajo ka siguruar qytetarët se iniciativa nuk është braktisur dhe se PDK-ja synon të sigurojë mbështetjen e nevojshme parlamentare për ta miratuar atë. “Partia Demokratike e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk kanë hequr dorë nga ligji. Përkundrazi. Ligji është tani në procedurë të rregullt parlamentare, përmbajtja është pak a shumë e dakorduar, diskutimi është thjesht për procedurën”, ka deklaruar Çitaku. Ajo ka bërë të ditur se PDK-ja ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të nivelit të lartë të Vetëvendosjes dhe ka shprehur bindjen se përmes vullnetit politik do të gjendet një zgjidhje e përbashkët. Megjithatë, Çitaku ka theksuar se ndryshimi i ligjit nuk është i vetmi veprim që duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
