Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit dhe njëherësh kryetari i Degës së PDK-së në këtë komunë, Mehmet Ballazhi, ka pranuar se Partia Demokratike e Kosovës po kalon një periudhë me vështirësi në funksionimin e saj politik, duke vënë në pah mungesën e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në drejtimin e partisë. Duke folur për procesin e zgjedhjeve të brendshme në PDK, Ballazhi ka vlerësuar se mungesa e dy figurave kryesore të kësaj partie, të cilët i ka cilësuar edhe si drejtues të luftës çlirimtare, po ndihet në organizimin dhe funksionimin e saj. “Jemi në një fazë jo aq të mirë të funksionimit si parti, sepse na mungojnë udhëheqësit kryesorë, të cilët kanë qenë edhe drejtues të luftës çlirimtare”, ka deklaruar Ballazhi. Ai ka thënë se procesi i ardhshëm zgjedhor brenda partisë duhet të shërbejë për tejkalimin e vështirësive aktuale, rifreskimin e strukturave dhe forcimin e PDK-së për sfidat e ardhshme politike. Sipas tij, përtej ndryshimeve organizative, nevojitet angazhim maksimal i strukturave partiake që PDK-ja të dalë nga ky proces më e fuqishme dhe më konkurruese. Deklaratat e Ballazhit vijnë në kohën kur PDK-ja po përgatitet për zgjedhjet e brendshme, ndërsa mungesa e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit në jetën politike të partisë mbetet një prej çështjeve të rëndësishme në diskutimet për të ardhmen dhe drejtimin e saj. /epoka e re/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
