Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke u mbështetur në gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026, të cilin e ka cilësuar si shqetësues për gjendjen institucionale, demokratike dhe ekonomike të vendit. Gjatë diskutimit në Kuvendin e Kosovës, Tahiri ka theksuar se raporti nuk është dokument i opozitës apo i ndonjë partie politike, por vlerësim institucional i Bashkimit Evropian, prandaj, sipas tij, gjetjet e tij duhet të trajtohen me përgjegjësi nga Qeveria. Ai ka kritikuar qasjen e pushtetit ndaj vërejtjeve ndërkombëtare, duke thënë se përballë mangësive të evidentuara nuk duhet të ketë arsyetime dhe propagandë, por reflektim dhe përgjegjësi politike. Sipas Tahirit, ndër shqetësimet kryesore të raportit janë paraliza e zgjatur institucionale, dobësimi i mekanizmave të kontrollit dhe mbikëqyrja e kufizuar parlamentare ndaj ekzekutivit. “Një qeveri mund t’i ketë votat për të marrë vendime, por kjo nuk i jep të drejtën ta trajtojë shtetin si pronë politike. Shumica parlamentare është mandat për të qeverisur. Nuk është autorizim për të sunduar”, ka deklaruar ai. “Si Parti Demokratike e Kosovës kërkojmë që askush të mos jetë mbi ligjin. As pushteti i sotshëm. As pushteti i djeshëm. Asnjë individ dhe asnjë subjekt politik”, ka thënë Tahiri. “Buxheti nuk është sukses në vetvete. Buxheti është instrument për të prodhuar zhvillim”, ka theksuar Tahiri. Sipas tij, ekonomia duhet të vlerësohet përmes rezultateve konkrete, mundësive të reja të punësimit, cilësisë së shërbimeve publike dhe kushteve që krijohen për bizneset dhe qytetarët.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
