Ligjëruesi i Shkencave Politike, Valon Murati, ka vlerësuar se krahas punës së Grupit Punues për Apelin në Hagë, Kosova duhet të intensifikojë edhe angazhimin politik e diplomatik, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Murati ka thënë se lobimi politik duhet të jetë pjesë e përpjekjeve të Kosovës lidhur me procesin gjyqësor në Hagë, për të cilin ai ka vlerësuar se ka pasur edhe dimension politik. Ai ka theksuar se nuk ka informacione për punën konkrete të Grupit Punues, pasi aktiviteti i tij zhvillohet në konfidencialitet, por ka shprehur pritjen që ky mekanizëm të jetë aktiv në përmbushjen e detyrave të tij. “Duke qenë që kjo është një produkt i një presioni politik, ne duhet ta bëjmë punën tonë edhe të lobimit politik. Unë e kuptoj që ne mund të na interesojë se çfarë po bën, unë nuk e di se çfarë po bën grupi, sepse po punojnë në konfidencialitet, edhe ashtu do të duhej”, ka deklaruar Murati. Sipas tij, Kosova gjatë viteve të fundit ka pasur prezencë të dobët diplomatike në Washington dhe komunikim të kufizuar zyrtar ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe administratës amerikane. Murati ka përmendur mungesën e takimeve zyrtare në nivele të ndryshme të Departamentit amerikan të Shtetit, duke e krahasuar këtë me kontaktet që, sipas tij, kanë pasur në të kaluarën udhëheqësit e tjerë të Kosovës me përfaqësues të lartë amerikanë. Ai ka kërkuar që në këtë periudhë të shtohen përpjekjet diplomatike përmes institucioneve të Kosovës, ambasadave dhe rrjeteve të lobimit në SHBA. Një vëmendje të veçantë Murati i ka kushtuar edhe lobit shqiptar në Amerikë, të cilin e ka vlerësuar si faktor me rol të rëndësishëm në mbështetjen e Kosovës gjatë viteve ’90 dhe në procesin e pavarësisë. Sipas tij, përçarjet dhe politizimi kanë ndikuar në dobësimin e këtij organizimi, prandaj ai ka theksuar nevojën për një angazhim më të koordinuar në funksion të çështjeve që lidhen me Kosovën dhe procesin në Hagë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
