Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar mënyrën se si është kërkuar rikthimi në Kuvend i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke e cilësuar këtë zhvillim si befasues dhe të papranueshëm në mënyrën se si është trajtuar. Limaj ka rikujtuar rrethanat në të cilat ishte miratuar ky ligj, pas protestave dhe përplasjeve që kishin ndodhur në Kosovë, duke theksuar se ai nuk ishte ligj i një partie politike, por vendim i institucioneve të vendit “Kam qenë i shokuar atë natë, pas gjithë asaj çka kishte ndodhur në Kosovë, me protesta, ku shkuan deri në përplasje, dhe në fund erdhi si erdhi, u votua ligji nga presidentja. Ai ligj nuk ka qenë i PDK-së, por i qytetarëve. Rikthimi dhe kërkesa për të ka qenë shokuese”, ka deklaruar Limaj. “Edhe mënyra si u kërkua, edhe si ndodhi krejt ajo situatë, nuk kërkohet ashtu kthimi i ligjit. Vetë e keni çuar, keni mundur me kërku me përmirësu. Së dyti, nuk kërkohet nga presidentja”, është shprehur ai. Limaj ka thënë se pret që partitë politike ta kenë kuptuar rëndësinë e kësaj çështjeje, duke iu referuar në veçanti Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën e ka cilësuar si parti shtetformuese. Sipas tij, PDK-ja duhet ta dijë se kur presidentja e kthen një ligj për rishqyrtim në Kuvend, procedura nuk mund të trajtohet si miratim i një ligji të ri, duke shtuar se në këtë fazë nuk mund t’i shtohen amendamente.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
