Tefta Cami: KONGRESI I MANASTIRIT – NJËSIMI I ALFABETIT, FITORE E BASHKIMIT KOMBËTAR

Kongresi i Manastirit, i mbajtur më 14–22 nëntor 1908, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar. Ai shënoi një hap vendimtar në njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe dhe në forcimin e identitetit tonë kombëtar.
Kongresi ishte rezultat i përpjekjeve shumëvjeçare të Rilindjes Kombëtare, të patriotëve, shkrimtarëve, mësuesve dhe shoqërive shqiptare, të cilët punuan për përhapjen e gjuhës shqipe, hapjen e shkollave dhe zhvillimin e arsimit kombëtar.
Gjuha shqipe u shkrua në periudha të ndryshme me sisteme të ndryshme shkrimi. Ndër dëshmitë më të rëndësishme të traditës së hershme shkrimore janë Formula e Pagëzimit e vitit 1462 nga Pal Engjëlli (Paulus Angelus), kryepeshkop i Durrësit dhe bashkëpunëtor i afërt i Skënderbeut, si dhe dhe libri i Gjon Buzukut, Meshari, i vitit 1555.
Më pas, shkrimtarë dhe klerikë shqiptarë dhanë kontribut në zhvillimin e shkrimit shqip. Ndër ta përmenden Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani dhe autorë të tjerë të letërsisë së vjetër shqipe.
Përpjekjet për krijimin e një alfabeti më të përshtatshëm u intensifikuan gjatë shekujve XVIII dhe XIX. U përdorën alfabete me shkronja latine, greke, arabe dhe sisteme të posaçme të krijuara nga autorë shqiptarë.
Në Kongres morën pjesë 50 delegatë, prej të cilëve 32 me të drejtë vote dhe 18 pa të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri shqiptare. Numri i të pranishmëve në këto mbledhje ishte rreth 400 veta, duke u vlerësuar nga pjesëmarrësit si veprimtari shumë të mirëpritur kombëtare.
Pjesëmarrësit vinin nga Shqipëria, Kosova, trevat shqiptare të vilajetit të Manastirit e të Janinës, si edhe nga kolonitë shqiptare në Bukuresht, Sofje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipt dhe vende të tjera.
Delegatë përfaqësonin shoqëri, klube dhe organizata shqiptare nga vise të ndryshme dhe nga kolonitë e mërgimit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, ndërsa në drejtimin e tij kontribuan edhe Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi.
Ndër personalitetet e shquara që morën pjesë ishin Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Parashqevi Qiriazi, Fehim Zavalani, Bajo Topulli, Shahin Kolonja, Sotir Peci, Mihal Grameno dhe shumë veprimtarë të tjerë të Rilindjes Kombëtare.
Një rol të veçantë pati komisioni prej 11 anëtarësh, i kryesuar nga Gjergj Fishta, i cili shqyrtoi propozimet e ndryshme për alfabetin. Pas diskutimeve, Kongresi pranoi dy variante alfabeti, atë të Stambollit dhe alfabetin me bazë latine, duke synuar ruajtjen e unitetit ndërmjet shqiptarëve. Alfabeti latin u përhap gradualisht dhe u bë themeli i alfabetit që përdorim sot.
Rëndësia e Kongresit nuk qëndron vetëm te vendimet gjuhësore. Ai ishte një dëshmi e fuqishme e bashkimit të shqiptarëve përtej dallimeve krahinore e fetare, rreth një qëllimi të përbashkët: gjuhës, arsimit dhe identitetit kombëtar.
Kongresi i Dytë i Manastirit, i mbajtur më 2–3 prill 1910, vijoi përpjekjet për mbrojtjen e alfabetit dhe të shkollës shqipe përballë pengesave politike të kohës. Për t’u njohur me pengesat politike të çeljes të shkollave shqipe, mjafton të kujtojmë faktin, se në vitin 1878 nga 300 shkolla në Shqipëri, vetëm një shkollë ishte në gjuhën shqipe me drejtor Pandeli Sotirin, që e vranë. Ndërsa shkollat e tjera ishin serbe e bullgare, greke e turke.
Sot, më shumë se një shekull më vonë, Kongresi i Manastirit mbetet një trashëgimi e çmuar kombëtare. Studimi i dokumenteve, i personaliteteve dhe i vendimeve të tij është detyrë e institucioneve shkencore dhe e brezave të rinj.
Me sa jamë e informuar, me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizreniti disa nga personalitete janë dekoruar si :
Parashqevi Qiriazi, për kontributin e saj të madh në çështjen kombëtare, në arsimimin e popullit dhe në përhapjen e gjuhës shqipe me titullin e lartë “Mësuese e Popullit”, si dhe të tjerë. Mendoj, se duhen studiuar kontributet e gjithë delegatëve dhe organizatorëve e drejtuesve të Kongresit, për t’ju bërë vlerësimet e merituara. Sidomos personaliteteve të shquara nismëtarë e drejtues të Kongresit të Manastirit propozoj, t’u jepet titulli “Nderi i Kombit”!
Kur përkujtojmë evenimente të rëndësishme si, Kongresin e Manastirit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, hedhim vështrimin në të kaluarën, se ç’punë e luftë dhe sakrifica u është dashur paraardhësve tanë, për të mbrojtur trojet shqiptare e identitetin kombëtarë, trashëgiminë tonë kulturore, gjuhën e shkrimin shqip.
Kujtoj si studente fillimin e vitit shkollor 1959 dhe takimin e bisedën, që është zhvilluar në sallën e madhe të Fakultetit Histori-Filologji me albanalogun e shquar, profesor Aleksandër Xhuvanin, ku merrnin pjesë pedagogë e studentë.
Profesori na foli për historinë e gjuhës shqipe dhe e mbylli, duke na dhënë porosi: “Ruajeni pastërtinë e gjuhës shqipe nga huazimet e huaja!” Kjo porosi është mëse aktuale, sepse përdoren shumë fjalë të huaja nga politikanët.
Njësimi i alfabetit ishte një fitore e gjuhës shqipe, e arsimit dhe e bashkimit kombëtar.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI: OVP E LANÇ-it, ORGANIZATA QË MBAN LART FLAMURIN DHE FRYMËN KOMBËTARE

Albert Z. ZHOLI: OVP E LANÇ-it, ORGANIZATA QË MBAN LART FLAMURIN DHE FRYMËN KOMBËTARE

Në një kohë kur bota po përballet me kriza ekonomike, konflikte dhe luftëra në pjesë …