Përpjekjet e Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara kanë nxitur debat edhe në mesin e njohësve të drejtësisë, veçanërisht për faktin se proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së ende nuk kanë përfunduar me vendime të formës së prerë.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka vlerësuar se aktgjykimet ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së përbëjnë zhvillime me rëndësi të madhe juridike dhe politike. Sipas tij, mënyra se si është zhvilluar procesi gjyqësor ka krijuar perceptimin e një qasjeje mosbesuese dhe paragjykuese ndaj të akuzuarve dhe vetë Kosovës.
Miftaraj ka theksuar se reagimet në Kosovë duhet të kuptohen edhe në kontekstin historik dhe emocional të luftës, si dhe të përvojës që qytetarët kanë kaluar gjatë dhe pas saj.
Ndryshimet ligjore të miratuara në fillim të tetorit nuk parashihnin mbylljen e Dhomave të Specializuara, por kufizimin e juridiksionit të tyre, ngushtimin e periudhës kohore dhe territorit që përfshihet në kompetencat e Gjykatës, si dhe uljen e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet. Ato përfshinin edhe mundësinë që dënimet të vuaheshin në Kosovë.
Megjithatë, nismat për ndryshimin e këtij legjislacioni kanë hasur në kundërshtime nga Bashkimi Evropian. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, e kishte cilësuar vendimin e Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e ligjit si të papranueshëm dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
Përfundimi i draftit të ri këtë javë pritet të qartësojë përmbajtjen e nismës dhe hapat e mëtejshëm institucionalë, përpara se ajo të shqyrtohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. /DW
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
