“Jakup, që tri ditë po vij te kjo derë. Tri ditë po pres me ta pa fytyrën, me ta ni zanin, me të përqafu. Kjo derë dikur hapej pa trokitë. Por sot, për me hi në shtëpinë tem, duhet me kërku leje”.
Me këto fjalë, që bartin dhimbjen e një vëllai të moshuar, Daut Krasniqi, 87 vjeç, e nisi monologun e tij në emisionin “Fiks Fare”, duke rrëfyer pritjen e gjatë para banesës së vëllait të tij, Jakup Krasniqi.
Prej më shumë se 72 orësh, me bastun në dorë, ai kishte pritur të takonte vëllanë, i cili kishte ardhur në Kosovë për shkak të sëmundjes së bashkëshortes. Por dëshira e tij për ta parë, për ta përqafuar dhe për t’ia dëgjuar zërin, u përplas me kufizimet që e shoqëruan këtë vizitë.
“Thuaji atij që sot e quan veten zot të kësaj shtëpie se unë nuk jam i huej. Me ty kam pi të njëjtin gji të nanës, në të njëjtin djep jemi përkundë, bukën e kemi nda përgjysmë. Teshat e mia i ke veshë ti, e të tuat unë. Jam Dauti, Jakup. Vëllai yt!”, tha ai, në një rrëfim që shpalosi jo vetëm mallin, por edhe dhimbjen e një lidhjeje vëllazërore të ndërtuar gjatë një jete të tërë.
Dauti tregoi se, teksa qëndronte para portës, para syve i dilnin fytyra, flokët dhe zëri i vëllait që dikur e thërriste. Kishte dashur vetëm ta përqafonte dhe ta pyeste si ishte, por ishte larguar, duke mos dashur t’i shkaktonte telashe.
“Jo pse nuk deshta me të pa, por pse nuk deshta me të sjellë telashe. Due veç me të pa, me ta shtrëngue dorën. Nuk due që vitet e fundit të jetës sime të kalojnë pa ta dhanë edhe një përqafim”, rrëfeu ai me zërin që i dridhej dhe lot në sy.
Në fund, 87-vjeçari përcolli fjalët që mbeten si dëshmi e një malli të papërmbushur dhe e dashurisë së një vëllai që nuk dorëzohet para kohës:
“Unë kam me të pritë, vëlla, edhe pse jam 87 vjeç”.
Një derë që dikur hapej pa trokitur, sot është bërë simbol i një pritjeje të dhimbshme. E në anën tjetër të saj, një vëlla i moshuar vazhdon të presë jo për ndonjë kërkesë, por për atë që për të ka vlerën e një jete: ta shohë edhe një herë vëllanë dhe ta përqafojë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
