Të premten, më 27 nëntor, përfundon afati për njoftimin e apelimit të aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndërsa paralelisht me këtë proces, në Kuvendin e Kosovës vazhdojnë diskutimet për ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, pa u konkretizuar ende nisma ligjore. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar kundërshtimin e aktgjykimit në Gjykatën e Apelit, duke i cilësuar dënimet të padrejta dhe duke ngritur pretendime për parregullsi gjatë procesit gjyqësor. Edhe Prokuroria e Specializuar ka lënë të hapur mundësinë e apelimit, por ende nuk ka bërë të ditur qëndrimin përfundimtar. Pas njoftimit për apelim, palët do të paraqesin argumentet e tyre me shkrim, ndërsa Gjykata e Apelit do të shqyrtojë pretendimet dhe ligjshmërinë e aktgjykimit. Sipas vlerësimeve të avokatëve, vendimi i shkallës së dytë mund të merret në pranverën e vitit të ardhshëm, nëse respektohen afatet procedurale. Ndërkohë, përkundër deklarimeve publike për mbështetjen e PDK-së, LVV-së dhe AAK-së ndaj ndryshimeve në Ligjin për Specialen, procesi në Kuvend ende nuk ka kaluar në fazën konkrete të shqyrtimit. sKështu, në një moment të rëndësishëm për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, paralajmërimet politike për ndryshimin e Ligjit për Specialen ende nuk janë shndërruar në një nismë konkrete parlamentare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
