Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se, në kuadër të shënimit të festave të Nëntorit, ka ndarë mirënjohje për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gazetaret e luftës, në shenjë respekti dhe vlerësimi për kontributin e tyre në rrugën e çlirimit të Kosovës.
Lushtaku ka theksuar se gratë që kontribuuan në luftën çlirimtare dhe në dokumentimin e saj zënë një vend të rëndësishëm në historinë e vendit, secila në mënyrën e vet, përmes sakrificës, guximit dhe përkushtimit ndaj atdheut.
“Veteranet, me armë në dorë, u vunë në mbrojtje të atdheut dhe lirisë, ndërsa gazetaret e luftës, përmes fjalës, kamerës dhe fotografisë, dokumentuan të vërtetën e luftës dhe e përcollën atë në mbarë botën”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka vlerësuar se kontributi i këtyre grave meriton të kujtohet dhe të nderohet vazhdimisht, pasi ato ishin pjesë e një periudhe vendimtare të historisë së Kosovës, duke dëshmuar se përkushtimi ndaj lirisë u shpreh në forma të ndryshme, por me të njëjtin qëllim.
Kryetari Lushtaku ka theksuar se ndarja e mirënjohjeve është një shprehje e respektit për sakrificën dhe angazhimin e tyre, si dhe një mundësi për të rikujtuar rolin e grave në luftën për çlirimin e vendit.
Në fund, ai ka shprehur nderimin për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Lavdi dëshmorëve dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka përfunduar Lushtaku.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
