Ibish Neziri: Nuk mund të udhëhiqen bisedime me Serbinë nën kërcënimin e Gjykatës Speciale dhe frikës nga ajo

Ibish Neziri: Kosovës i ka mbetur aq pak tokë, tani pritet të zgjidhet edhe nyja gordiane e quajtur demarkacion

Ka kohë që opinioni në Kosovë gjendet në një fushë, e cila pa ndërprerë bombardohet me kërcënime për pasoja të rënda për Kosovën, kërcënohet me izolim, me … , ku të gjenden tani gjithë ato fjalë për të ilustruar pasojat e mosratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi. E gjithë kjo bëhët në mënyrë të orkestruar në të cilën marrin pjesë si violinë e parë, pas disa diplomatëve të huaj, të cilët në vende normale e me udhëheqës normalë, me siguri se do të ishin shpallur persona non grata që moti,  edhe disa analistë e gazetarë që gjë në jetën e tyre të hajrit nuk kanë bërë, pos poltronizmit deri në zvarritje ndaj të huajve.

Se Kosova humb territor me këtë caktim të vijës kufitare, nuk ka dilemë, ashtu si nuk ka dilemë se edhe me caktimin e vijës kufitare me Maqedoninë ka humbur, gjë që mund të thuhet se Debelldeja është Shën Naumi i Kosovës dhe pjesët e lëna në territorin e Malit të Zi, Vermoshi i Kosovës. Nëse nuk është kështu, si mund të jetë ndryshe? Po diti kush, pos atyre që e kanë nënshkruar, le ta thotë, ashtu siç e tha në mënyrë eksplicite Shpëtim Bulliqi bashkë me anëtarët e Komisionit të ri Qeveritar, se Kosova humb territor.

Thirrjet e nënshkruesve të marrëveshjes me Malin e Zi dhe negociuesëve edhe mund të kuptohen, ngase edhe gabimi më i vogël i tyre, i vërtetuar, ata do t’i nxirrte në aut  duke i çuar në dorëheqje të detyrueshme, por të ashtuquajturit gazetarë dhe analistë, të cilët më shumë me tryezate tyre gjasojnë me këshillin e ndrikullave se sa në analistë nuk di se si mund të kuptohen dhe të shpjegohen ndryshe pos si shërbëtorë që për një shetitje pa vizë apo një fjalë të mirë për ta nga ndërkombëtarët, apo edhe për një kockë janë në gjendje të japin copëra e copëra tokash, pa a bërë mend se janë toka të atdheut të ujitura brez pas bresi me gjak.

Secili nga këta të vetë e ashtuquajtur analistë është më histerik se tjetri. Ata me thirrjet e tyre të stilit „nesër është vonë!“ dhe shantazhet që ua bëjnë atyre deputetëve që janë kundër demarkacionit në këtë format, po bëjnë përpjekje që popullin ta nxisin kundër tyre.

Kur i dëgjon njeriu dokrrat e tyre për kërcënimin nga izolimi dhe mbetjen vetëm të Kosovës, nuk mund të mos e sjell ndër mendë një bisedë të Adem Demaçit me njërin prej diplomatëve amerikanë në kohën e Konferencës së Rambujesë, i cili duke u përpjekur ta bind Adem Demaçin për ta pranuar marrëveshjen e Rambujesë, e kërcënon se Kosova do të mbetet vetëm. Adem Demaçi i bindur thell¨në fitore i thotë se Kosova e shqiptarët nuk do të mbeten vetëm ngase Zoti është me ta, gjë që e kishte bërë diplomatin amerikan (mendoj Holbrook-un) t’i thotë: „Nëse zoti është me juve, edhe ne do të jemë!“

Zoti gjithnjë do të jetë me ata që tokat e veta i ruajnë e i çmojnë dhe nuk i falin e nuk i shesin për hiq! Por, ta zëmë se demarkacioni ratifikohet, po cili do të jetë rezultati, a po fiton Kosova me këtë ratifikim apo nuk po fiton dhe nëse po, çfarë po fiton?

Çështja e liberalizimit të vizave është çështja më e keqpërdorur në këto vitet e fundit, sidomos nga një pjesë e spektrit plitik shqiptarë dhe „analist“. Pos pyetjes së lartëshënuar, shtrohet çështja se me liberalizimin e vizave çfarë fitohet? Unë mbase edhe mund të jem injorant e nuk e kuptoj aq mirë, por nuk fitohet asgjë më shumë se e drejta e sorollatjes tremujore nëpër vendet e Shëngenit, shpenzimit edhe të atyre pak kursimeve që mund t’i ketë ndonjëri dhe kthimit prapa kokulur, pa të drejtë pune apo studimi.

Sikur pak toka i janë marrë Kosovës, deri tani me luftëra, tani, ata që janë të thirrur për t’i mbrojtur, duan t’i japin vetë, për teka e tregim besnikërie ndaj të huajve, dhe për ruajtje të pozitave, të cilat me të vërtetë të uzurpuara pa asnjë meritë, por përmes pazaresh të ndryshme.

Kryeministri pas një stërngarkimi të qeverisë me ministra, zëvendësministra e këshilltarë të panumërt, më në fund, duke e dërguar demarkacionin, këtë nyje gordiane, në parlament, bëri diçka të mirë. Tani është në dorën e deputetëve. Se a do të zgjidhet apo pritet kjo nyje varet nga ta.

Uroj që bjeshkët e Kosovës në kufi me Malin e Zi, ashtu si Debelldeja u bë Shën Naum i Kosovës, të mos bëhën  Vermosh për një karrikë a një sorollatje pa vizë apo benicion nga të huajt çfarëdoqoftë ai!

Kosovës i ka mbetur aq pak tokë!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …