Isuf Ismaili: Pasuri vlerash letrare

 Mustafë Krasniqi është një nga shkrimtarët, që me përkushtim të veçantë ka shkruar e vazhdon të shkruajë qoftë poezi, qoftë prozë, duke vënë theksin dhe shquarsinë tek idealet e lirisë, të bashkimit të popullit shqiptar dhe të trojeve të Shqipërisë në një përbashkësi të qëndrueshme prej gjuhe e gjaku, terrori, historie e përpjekjesh shekullore mbijetese e krenarie ilire, arbërore e shqiptare.  

Ai  jo vetëm poezi, por edhe analiza të shumta ka shkruar qofshim me përmbajtje thjesht atdhetare, qofshin  me përmbajtje politike shoqërore, duke e vënë theksin tek ato plagë të dhembshme të Kosovës dhe të trojeve të tjera të Shqipërisë, që i kanë pushtuar pushtuesit serbë, maqedonas, grekë dhe malazezë. Ai ka shkruar edhe recensione letrare, sado që  poezia është përkushtimi e motivimi themelor i tij si krijues i veprës shpirtërore.

 

Mustafë Krasniqi duke qenë i lidhur  deri në palcë me Atdheun, ia ka kushtuar atij  vitet më të mira të jetës së tij: rininë, i organizuar me një përkushtim të madh në Lëvizjen për Republikën e Kosovës,  organizatë kjo, atdhetare, që në rrethanat e atëhershme kishte si synim krijimin e një republike për të gjithë shqiptarët nën ish Jugosllavinë e atëhershme, me të drejtë për vetëvendosje dhe krijimin rrethanave për bashkim me Republikën e Shqipërisë, pra për jetësimin e Shqipërisë të tërësishme e të natyrshme.

Mustafa si atëherë edhe tani  qoftë duke krijuar poezi, qoftë prozë, qofshin krijimet të tjera, analizat dhe recensionet i jetëson me frymëzime patriotike e humanitare, prandaj vijnë deri tek lexuesi natyrshëm, të qarta, të kapshme, të pranueshme me porosi të drejtpërdrejta, të shëndetshme në kuptimin njerëzor dhe atdhetar.

Poezia e tij është e veshur plotpërplot me shije artistike, por mbi të gjitha është poezi e përkushtimit atdhetar, ndaj ai natyrshëm shkruan për heronjtë e dëshmorët, për idealet, për luftërat e përpjekjet e popullit shqiptar për demonstratat shqiptare në Prishtinë, për heroin e shokun e tij Afrim Zhitia.

Tani Mustafë Krasniqi nxjerrë në dritë një vepër vështrimesh letrare për një pjesë të krijimeve letrare të disa poetëve shkrimtarëve në diasporë. Libri titullohet: “Vështrime kritike për krijimtarinë letrare në diasporë”

Ky libër vjen natyrshëm deri te botimi, i gdhendur dhe përpunuar për t`u kuptuar sa më qartë, qoftë nga nxënësit dhe studentët, qoftë nga studiuesit apo edhe njerëzit  e profesioneve të ndryshme, të cilët  kanë dëshirë për të pasuruar diapazonin e tyre të njohurive dhe vlerave letrare, por edhe atdhetare.

Ky libër do t`ju vijë në ndihmë në radhë të parë poetëve, veprën të cilëve e ka marrë në shqyrtim Mustafë Krasniqi.

Këtë libër që po e publikojmë, pasi të botohet dhe të lexohet do të jetë pikërisht lexuesi ai që do ta vlerësojë, megjithëkëtë shpreh bindjen time se Mustafë Krasniqi e ka shkruar një vepër shumë të rëndësishme vlerësimesh letrare, e cila do ta pasurojë fondin e librave të mirëfillta për letërsinë.

Uroj autorit që të shkruajë sa më shumë dhe të ketë sukses si në krijimtari ashtu edhe në jetë përgjithësisht.

Kontrolloni gjithashtu

Zymer Mehani

Zymer Mehani: Ushtar Shabani dhe thirrja e atdheut

(Tregim për dëshmorin e kombit, Shaban B. Avdiu, në përvjetorin e rënies) Në një natë …