Kryeministri Haradinaj: Duhet ta kthejmë besimin në institucionet e vendit dhe ta përmirësojmë punën tonë

Kryeministri Haradinaj: Duhet ta kthejmë besimin në institucionet e vendit dhe ta përmirësojmë punën tonë

“Të gjithë ne duhet të jemi të përgjegjshëm për detyrat që i kemi dhe nga pozicioni ku jemi duhet të japim maksimumin që ta kthejmë besimin në institucionet e vendit dhe ta përmirësojmë punën tonë”, ky ishte mesazhi i Kryeministrit Ramush Haradinaj në takimin e sotëm, i teti me radhë, i nivelit të lartë për sundimin e ligjit, ku u prezantuan të arriturat e muajve të fundit nga institucionet përkatëse, dhe në veçanti puna e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Agjencisë Qendrore të Prokurimit dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit. Haradinaj kërkoi nga drejtuesit e këtyre mekanizmave që rregullojnë funksionimin e prokurimit publik që të angazhohen më shumë në arritjen e rezultateve dhe rritjen e besimit të qytetarëve, duke theksuar se prokurimi publik është pjesë e rëndësishme e reformave që kërkohet t’i bëjë Qeveria e Kosovës në rrugën drejt integrimit në BE. Kryeministri tha se Kosova ka shënuar progres sa i përket prokurimit, duke theksuar se Strategjia Kombëtare e Prokurimit Publik për periudhën 2017-2021, është një prej strategjive shumë të rëndësishme për vendin.

Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, prezantoi në detaje punën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, duke theksuar se 97% e të gjitha procedurave dhe aktiviteteve të prokurimit kryhen përmes platformës elektronike të prokurimit. Ndërsa, në prezantimin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, u tha se janë 16 institucione për të cilat ky agjencion i kryen procedurat e Prokurimit, derisa sfidë mbetet mungesa e resurseve dhe vonesa në bashkëpunim e autoriteteve kontraktuese. Pjesë e takimit ishin edhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, Shefja e Misionit të BE-së Nataliya Apostolova, Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos, Shefja e Misionit të USAID-it Lisa Magno, dhe përfaqësues të tjerë institucional. Në fund të këtij takimi, kryeministri Haradinaj ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e angazhimit konkret nga ana e të gjitha institucioneve, duke thënë se bartësit institucional, bartin edhe përgjegjësitë dhe për secilën sfidë duhet dhënë llogari për punën që bëjmë.

Kontrolloni gjithashtu

Këshilli Gjyqësor i Kosovës angazhon 30 gjyqtarë në nivel vendi për ditën e zgjedhjeve të cilët do të jenë kujdestar

Seanca fillestare ndaj Muharrem Ibrajt për krime lufte në Gjakovë zhvillohet në mungesë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca fillestare ndaj Muharrem Ibrajt, i akuzuar për …