Brickos

Ahmet Qeriqi: Koha e Jeniçerëve

A.Q. “Mortaja”, kapitull nga romani, “Koha e jeniçerëve”

            Vera e vitit 1729 në Drenisën jugore kishte sjellë disa befasi, disa paralajmërime të kobshme. Në Petrash, gruaja e Seit Hazarit kishte lindur  binjakë të ngjitur kokë për kokë. Ata kishin jetuar vetëm një javë dhe të dy kishin vdekur. Bashkëshortja e  Mëhill Qarrit nga Malmiri, Dranja, kishte lindur trinjakë të vdekur.  Monika e Ujkan Qirjaqit e martuar për  Jak Bushatin e Komorës, kishte lindur djalin me një sy. Nga frika e ndonjë kobi të madh për familjen, kjo lindje qe mbajtur fshehtas, por graria kishte përfolur, ndërsa fjalët i kishte dëgjuar edhe mulla Hamidi. Ai kishte marrë leje nga Selim agai dhe kishte shkuar për të vërtetuar  përfoljet, mirëpo nuk kishte zbuluar asgjë të dyshimtë. Lehona, Donikë, kishte  pranuar se kishte lindur fëmijën e vdekur në muajin e shtatë, dhe nuk pranonte përgojimet për lindjen e fëmijës me një sy. Hoxha kishte hequr dorë nga  hulumtimi i mëtejmë. Flitej se Jak Bushati fëmijën me një sy ia kishte dorëzuar për ta rritur  një bariu, që jetonte së bashku me gruan, beronjë, në malet e Kozmaqit. Ai, pasi kishte marrë një  shpërblim të posaçëm, qe zotuar se qenien me një sy, të cilin e kishin pagëzuar,  Njisyn, do ta rriste nëpër shpella dhe nuk do të kishte njeri që do të mund ta zbulonte. Tri lindjet e përfolura kishin sensibilizuar tej mase fallxheshat dhe gratë, të cilat rronin me paragjykime.

            Plaka Vasë e Malmirit, e njohur edhe për shërimin e sëmundjeve me bimë të ndryshme mjekuese, kishte paraparë një rrezik të madh, që do ta kanoste vendin. Lindjet e këqija ajo i interpretonte si dënim nga Hyji për braktisjen e fesë së vjetër.

            Vera e atij viti kishte qenë ndër më të begatshmet në fshatrat e Drenisës. Gati për çdo javë kishte rënë shi. Nga shiu dhe lagështira  qenë shtuar edhe rriqërat, minjtë, urithët, karkalecat, fluturat e llojllojshme, gjinkallat e sidomos  milingonat  me krahë.

            Në vjeshtën e Dytë të vitit 1729  popullata skamore e Drenisës qe goditur edhe nga një fatkeqësi tjetër. Ishte një fatkeqësi  fatale, e cila lajmërohej pa pritur. Asaj radhe,  raja qe përballur me një sëmundje, që korrte  më keq se uria, e më fatalisht se kobët e tjera.

Dy javë para  Shën Mitrit, të atij viti, i cili për një kohë të gjatë do të mbahej mend për begati dhe pastaj edhe për fatalitetin që solli,  katër trupa arixhinjsh qenë vendosur njëra  në Petrash e dyta në Malmir, e treta në Sadran dhe e katërta në Ndrenik.

            Kryearixhu plak, Rudull Vançe,  një vllah që dinte të gjitha gjuhët e vendësve, kishte sjellë suitën e tij argëtuese,  e cila përbëhej nga disa  defatore evgjite, disa cirkusantë, një jevg i zi trashalluq, i cili luante valle me arinjtë dhe argëtonte turmat e fëmijëve, por edhe të të rriturve. Ai ndërronte nëpër duar tri pisha të ndezura, njërën nga ato duke e mbajtur në ajr. Defatoret dhe fallxheshat evgjite pas skenave të argëtimit këndonin edhe nëpër lagjet e fshatit, duke kërkuar nga raja që t’ i daroviste. Ato, duke kënduar e herë duke kërcyer, hynin lirshëm nëpër shtëpitë e fshatarëve. Shisnin rruaza, shami të ndryshme, burnot, kremëra për fytyrë, gjilpëra, pasqyre të vogla, përthekojca metali  e gjësende të tjera të imëta, që i mungonin sidomos grarisë së fshatrave. Disa nga defatoret e reja prostituoheshin me beqarët, por edhe me sejmenët e agallarëve.

            Vetëm tri ditë  arixhinjtë kishin argëtuar rajën fatkeqe të katër fshatrave dhe pastaj befasisht qenë larguar. Askush nuk i kishte parë nga kishin shkuar, meqë kishin ikur gjatë natës. Pesë ditë më vonë, arixhinjtë, për të cilët qe bërë e ditur se kishin arritur nga Dimitria e Moçme, zhduken pa shenj e pa doke. Ata, zakonisht me trupat e tyre shëtitëse argëtuese qëndronin nëpër fshatra  gjatë tetorit dhe me të filluar acari largoheshin gjithnjë drejt vendeve të panjohura, drejt veriut. Vetëm dy ditë pas largimit të trupave argëtuese të arixhinjve në familjen e Samuel Allorit në Malmir ishte lajmëruar  i sëmuri i parë, i prekur nga virusi i murtajës. Plaka  Vasë, një mjeke popullore dhe fallxheshë e njohur,  sapo e kishte parë Gjinin dhjetëvjeçar të fqinjit Samuel, i cili po përpëlitej nga zjarmia kishte dhënë alarmin.

            -E ka prekun mortaja!

            -Arixhinjtë na morën në qafë!

            -I prune minjt’ e murtajës! -kishte bërtitur nëpër fshat. Në fillim askush nuk i kishte dhënë rëndësi fjalëve të plakës Vasë, edhe pse të gjithë e dinin se plaka jo vetëm njëherë kishte  paralajmëruar me saktësi disa nga sëmundjet. Vetëm dy ditë më vonë, e tërë familja e Samuelit, qe infektuar. Plaka Vasë kishte identifikuar edhe shkaktarët. Ajo kishte hetuar se të gjithë fëmijët, që ishin argëtuar gjatë atyre tri ditëve fatale me arixhinjtë, qenë sëmurë. Alarmi ishte dhënë ditën e katërt, nga dita e ikjes së arixhinjve, kur lajmërohen rastet të paraqitjes së simptomave pothuajse në të gjitha fshatrat.

            Në ditën e pestë kishin vdekur të infektuarit e parë nga Malmiri, Gjoni i Simonit dhe, Zara e Mrika fëmijë të Gjerasim Rizonit. Edhe në Petrash, Sadran e Ndrenik qenë lajmëruar rastet e para të fillimit të përhapjes së epidemisë. Fshatarët me përvojë kishin marrë masat e izolimit. Ata, lidhin shamia në gojë dhe nuk ia merrnin duart njëri tjetrit. Po ashtu izolonin edhe bagëtinë, e sidomos delet, për të cilat  mendohej se e përhapin sëmundjen. Në raste të tilla nuk konsumohej qumështi, as mishi i bagëtive. Ndalohej  sidomos mishi i derrave i shpezëve, i pulave. Gjatë ditëve të tilla banorët ushqeheshin me bukë misri,  fruta, kos.  Fshatarët largonin lëkurët e paregjura, të cilat i fusnin thellë në dhe. Disa të tjerë vetëm i gëlqerosnin dhe i gjuanin gjithandej. Lidhnin qentë në vende të caktuara. I mbysnin qentë endacakë që ushqeheshin me mishtë e kafshëve të ngordhura. Izolonin edhe bagëtinë nëpër tëbane. Shumica e tyre largoheshin nga fshati dhe depërtonin në stane, larg njerëzve që konsideroheshin të infektuar nga murtaja.  Frika nga shfarosja fatale kishte rikthyer në kujtesë rrëfimet e moçme të pleqve, të cilët përhapjen e kësaj sëmundje e lidhnin edhe me mungesën e trajtimit të duhur të lëkurave, meqë besonin se sëmundja kryesisht vinte nga kafshët, të cilat gjatë kullotjes nëpër vende të ndryshme kontaktonin me minjtë e murtajës. Ata nuk përjashtonin mundësinë që ndonjë pjesëtar  nga trupa e arixhinjve të kishte bartur virusin, dhe me qëllim dashakeq, përmes ndonjë miu të ngordhur mund të kishin prekur gjësendet, që iu shisnin fshatarëve, mirëpo  shkaktar kryesor të përhapjes së kësaj sëmundjeje fatale  konsideronin përgjithësisht papastërtinë, derrat e butë e sidomos lëkurët e paregjura në mungesë të kripës së mjaftueshme, të cilat në vjeshtë i grumbullonin me shumicë në vende të caktuara. Fshatarët thernin bagëtinë në hyrje të dimrit, jo vetëm për pastërma, por edhe për lëkurët që ishin aq shumë të nevojshme, për t’i regjur apo për t’ua shitur tregtarëve endacakë.  Nga këto lëkura punoheshin opingat, janxhikët, brezorët, gjoksoret, postajat për të fjetur mbi to e për t’u mbuluar gjatë dimrit.

            Një javë më vonë, murtaja qe futur edhe në sarajin e Selim agait. Mjeku i sarajit, heqimi Safqi, kishte ndërmarrë të gjitha masat, dhe me ekipin e tij prej pesë ndihmësve kishte identifikuar të prekurit nga sëmundja, të cilët i kishte izoluar në një karantinë të veçantë. Ai kishte dhënë urdhër të prerë, që asnjë person i panjohur, cilido qoftë ai, të mos i afrohej sarajit. Nga frika se sëmundja mund të përhapej përbrenda sarajit, ku jetonin  jeniçerët e agait dhe tërë personeli administrativ, ai i kishte propozuar Selim agait disa masa shtesë, si masa të domosdoshme të izolimit të sëmundjes, e cila për  tri ditët e inkubacionit bënte kërdinë. Kishte kërkuar që tallallxhinjtë për çdo ditë të lajmëronin popullatën, në mënyrë që të prekurit nga murtaja  të izoloheshin dhe të varroseshin në vende të caktuara,  duke   i futur thellë në dhe,  dhe duke iu hedhur sipëri  gëlqere të shuar. Mjeku kishte  kërkuar nga Selim agai të ndërpriste të gjitha aktivitetet dhe kontaktet me njerëzit. Ai kishte siguruar  sasi të mjaftueshme të një ilaçi, i cili iu jepej me doza të caktuara pacientëve, te të cilët vërente  shenja të sëmundjes. Kishte ndaluar përdorimin e yndyrës dhe përdorimin e të gjitha llojeve të mishrave. Kishte porositur që të mos  konsumohej asnjë ushqim i pa verifikuar. Mjeku i sarajit kishte dhënë urdhër që bagëtia po ashtu të izolohej nëpër tëbane dhe njerëzia të mos kontaktonin mes veti për disa ditë. Po ashtu kishte urdhëruar që sejmenët të vrisnin të gjithë qentë endacakë, të cilët e mbartin virusin duke ngrënë minjtë, apo edhe mbetjet e kafshëve të ngordhura. Heqimi, Kishte ndërmarrë të gjitha masat, meqë kishte mbijetuar dy epidemi paraprake të murtajës,  një në Prishtinë e një tjetër në Vushtrri. Edhe mulla Hamidi, me urdhër të  mjekut të sarajit kishte ndaluar tubimin në xhami. Myezini thërriste ezanin, por besimtarët faleshin e luteshin nëpër shtëpitë e tyre, duke iu përmbajtur masave parandaluese të përhapjes së sëmundjes, ashtu sikurse kishte porositur mjeku i sarajit.

            Në ditën e Shën Mitrit të vitit 1729, murtaja kishte arritur kulminacionin fatal. Nga shënimet e më vonshme, ishte konfirmuar se murtaja kishte shortuar në zi shumë familje të fshatrave të Drenisës. Tridhjetë veta kishin vdekur në Malmir, dyzet e tre në Petrash, gjashtëdhjetë e më shumë në Sadran, tridhjetë në Ndrenik, dyzet në Konzharikë, pesëdhjetë në Komorë, dhjetë në Alpush, tridhjetë në Domenik, dhjetë në Krajk, po aq në Stanovë në Korrot dhe Çikat…

Fshatarët e Rrafshnaltës kishin mbijetuar, duke qenë se jetonin në lagje xhuxhe, të izoluara. Vetëm tek-tuk ishte shënuar ndonjë rast  i prekjes nga sëmundja e murtajës.

            Në dimrin e vitit 1730, raja e Drenisës ishte strukë në zi, duke numëruar ditët, deri kur do të vinte pranvera.

            Vera e begatshme kishte mbaruar me dëborën e trashë të dimrit, e cila kishte rënë në fillim të nëntorit  të vitit paraprak dhe kishte mbuluar të kallurit në dhe, por edhe të gjitha kafshët e ngordhura, pisllëqet dhe lëkurët e paregjura, të cilat qentë i nxirrnin nga toka.

Murtaja kishte goditur edhe brenda sarajit. Mirëpo masat parandaluese, që kishte ndërmarrë, heqimi Safqi, kishin dhënë rezultate optimale. Vetëm dy të infektuar nga murtaja kishin vdekur në karantinën, në të cilin i kishte izoluar mjeku. Dhjetëra të tjerë kishin shpëtuar nga sasia e kininit që heqimi Safqi iu kishte dhënë pacientëve të tij.

            Kishte shpëtuar pa asnjë pasojë edhe Mariga Grapi,  e cila me përzgjedhjen e pëlqimin e agait, disa vjet më parë qe martuar me Uruç Zanin. Edhe dy bijtë e tyre, Halili dhe Musliu, kishin mbijetuar pa shenja të sëmundjes. I tërë personeli i ngushtë i Sarajit, sejmenët, administratorët, pjesëtarët e haremit, qolet e  hudumët kishin shpëtuar.

***

            Dimri i ashpër e kishte mundur murtajën, por kishte sjellë tragjedi të tjera. Drenisarët qenë mësuar e kalitur me dimra të tillë, të cilët izolonin me dëborë edhe lagjen nga lagjja. Dëbora kishte ndërprerë komunikimin. Mjerimi qe futur në të gjitha shtëpitë, ku më shumë e ku më  pak. Familjarët, të cilët kishin shpëtuar nga murtaja i frikësoheshin ashpërsisë fatale të dimrit.  Edhe ata  që qenë përgjysmuar nga murtaja bënin përpjekje të mbijetonin. Dhembja përzihej me zinë e urisë, me acarin e ashpër,  me dyshimin tejet të shprehur se a do të dilnin gjallë në Shën Gjergj. Bagëtia pallte  nga uria. Dhitë kishin mbetur maleve, pre për ujqit e arinjtë. Hungërima e trishtueshme e ujqve të uritur përhapte frikë, sidomos te fëmijët. Qentë ishin strukur nga frika e ujqve.

            Drenisarët ishin strukur, kush si kishte mundur në kasollet dhe disa nëpër shtëpitë  e tyre varfanjake. Ditët kalonin me ngadalë, ndërsa  netët e gjata bëheshin shumëfish më të gjata nga acari, nga shfarosja që kanoste shumicën e varfanjakëve. Për dy javë rresht jeta ishte paralizuar, pothuajse në të gjitha fshatrat. Dëbora kishte zënë të gjitha shtigjet. Fshatarët nuk arrinin ta lironin rrugën as deri në ahur, apo te fqinji. Vetëm familjet me shumë anëtarë  kishin arritur të hapnin rrajat më të domosdoshme deri te kroi apo të pusi. Disa nga ta në pamundësi  që të hapnin rrajën deri te burimi, shkrinin dëborën, të cilën e përdornin për ujë të pijes.

            Në kasollen afër malit të familjes bonjake të Mark Gjukanit në Banjë, një natë vonë të janarit të acartë të vitit 1730  ishte futur llava e ujqve të uritur. Duke qenë se familja skamnore jetonte e izoluar, në një djerrinë jo pjellore afër shkëmbit të gurit, askush nga fshatarët nuk kishte dëgjuar britmat e fëmijëve, e as thirrjet shpresë kote të nënëshkretës në atë natë fatale. Ujqit kishin mbytur dhe kishin copëtuar  katër anëtarët e familjes, nënën e sëmurë,  me dy bijat e vogla dhe djalin në gji. Më vonë qe konstatuar se vejusha Dilë, në mungesë të druve, nga frika se gjatë natës do t’ i mërdhinin  fëmijët nga acari, kishte shkatërruar derën dhe e kishte qitë në oxhak, për ta ngrohur kasollën. Në vend të derës kishte vendosur dy postaçi të mëdha, që hapeshin nga brenda. Ujqit, kishin hyrë duke nuhatur erën e lëkurëve. Ata kishin copëtuar postaçinë dhe  në atë natë acari, derisa Dila ishte strukur nën një mbulojë të dhinjtë me tre fëmijët, ujqit e uritur kishin bërë batërdinë, që do të mbahej mend për shumë vjet. Vetëm një javë më vonë fshatarët e Banjës kishin mësuar për tragjedinë fatale të familjes së vejushës së Mark Gjukanit. Asgjë nuk kishin gjetur veç pjesëve të vogla të gjymtyrëve të fëmijëve të mitur të mbetura e të shkapërderdhura.

***

            Pranvera e vitit 1730 kishte gdhirë me vonesë. Jeta e varfër e drenisarëve të prekur fatalisht  nga murtaja dhe  nga dimri i ashpër që nuk mbahej mend, kishte sjellë sa e sa plagë të pashërueshme dhe sa e sa  tragjedi familjare. Njerëzia qenë zgjuar sikur nga jermia e çmendurisë. Fytyrat e akullta qenë mavijosur. Nuk dëgjoheshin zëra gazmorë të fëmijëve. Jeta skamnore kishte marrë edhe një goditje tjetër të rëndë. Fshatarët nuk dinin nga t’ia fillonin, për t`i shëruar humbjet dhe plagët. Të gjallët me të gjallë, të vdekurit me të vdekur, thoshin duke ngushëlluar njëri-tjetrin. me aq sa mund të ngushëlloheshin në raste të tilla tragjike. Duhej bërë përpjekje për të nisur sërish jetën nga e para dhe sërish, si gjithnjë me frikë nga murtaja, frikë nga lija e kolera, nga kolli i keq e nga fruthi, sërish me frikë nga taksidari e zaptia, sërish me frikë nga të gjitha egërsirat e botës njerëzore dhe të asaj shtazore.

            -Na ke harruo o Zotynë! -na ka harruo! – të mjerët ne të mjerët- kishte vajtuar plaka Vasë e Malmirit, në fillim të pranverës së atij viti, në vendin gërmadhë ku disa vjet më parë kishte qenë konaku i Shën Qirit. E kishte bërë zakon, që qysh në mëngjes, me të gdhirë, për çdo ditë  të dilte në kodër dhe të lutej te Kodra e konakut, nga e cila kishte mbetur vetëm emri dhe themelet. Shpeshherë përfytyronte. I dukej sikur po i shihte ikonat e dikurshme. Me sy hapur shihte Shën Mërinë me Krishtin e vogël duke e mbajtur në duar. I shihte edhe freskat e At Palldumit, murgu i fundit, të cilin e kishin therë sejmenët e Bajram agait, në kohën kur kishin rrënuar kishën. Trupin e tij, fshatarët  e kishin varrosur  nën rrënojat e konakut, afër vendit ku kishte qenë ikonostasi, i cili qe djegur.

            Vasa kishte zgjatur duart nga qielli dhe kishte drejtuar lutjet e saj, që buronin nga zemra dhe nga besimi i patundur. Për një kohë kishte mbetur si e ngurtësuar, dhe pas disa çastesh qe përplasur për tokë. Bariu i fshatit, Dash Qirjaqi, në kohën kur qe nisur për në male me bylykun e deleve të lagjes, kishte vërejtur trupin pa jetë të plakës Vasë. Me ndihmën e dy barinjve të tjerë kishte hapur varrin, mu në vendin ku ajo kishte ndërruar jetë, dhe vetëm ata të tre e kishin varrosur po në atë vend ku e kishte lëshuar shpirti. Meqë ishte plakë e mbetur, as kishin lajmëruar kë, as kishte marrë pjesë kush në varrimin e saj. Pasi e kishin mbuluar me dhe i kishin vënë te koka një kryq druri.

            Jeta e skamnorëve qe goditur mizorisht nga murtaja dhe nga dimri me acar që nuk mbahej mend, Përveç familjes me katër anëtarë të Mark Gjukanit të mbytur nga ujqit në Bajë, dimrin nuk e kishin mbijetuar edhe disa skamnorë të tjerë. Disa kishin vdekur nga të ftohtit, ndonjë tjetër e kishin mbytur egërsirat, ndonjë kishte vdekur nga veremi…

            Në metehun e pranverës së atij viti, në Ndrenik, kishte ndodhur një ngjarje tjetër e jashtëzakonshme, e cila ishte shënuar thellë në kujtesën e drenisarëve.

            …Dy vjet më parë, Lan Çunguri, kishte rënë në gjak me  Martin Gashin e Ndrenikut. Gjatë një zënke, e cila ishte zhvilluar në përleshjeje, për shkak të ujit të vadës, në tokat buzë lumit të Drenisës,  Lan Çunguri asokohe 30 vjeçar, kishte mbytur me një goditur të shatit, Jak Gashin, djalin e tretë të Martin Gashit, familje e njohur për besë dhe trimëri.

            Lani ishte i varfër. Kishte shërbyer një kohë te një çaush i Selim agait dhe mezi siguronte bukën për katër fëmijët e vegjël. Nuk kishte njeri tjetër në shtëpi përveç fëmijëve dhe nënës Dilë, plakë 80-vjeçare. Bashkëshortja, Gjysta, të cilën e  quanin  Gjylë, pas konvertimit, kishte vdekur duke lindur djalin e katërt, Ndonin. Lani ishte konvertuar, meqë Çaush Dalipi kishte paraqitur kusht për punën, që  kryente tek ai, si argat fushe.

            Martin Gashi kishte familjen, e cila  siguronte bukën dhe shtonte pasurinë. Humbja e të birit e kishte goditur keq. E kishte kuptuar me kohë se zënka kishte plasur befasisht, por fakti se Lani ishte konvertuar, e kishte lidhur në inat për të mos ia falur gjakun. Sa për ta vrarë mund ta vriste kudo, meqë Lani lëvizte gjatë natës, në kohën kur nuk kishte besë për të qarkulluar. Kishte menduar edhe ta falte, por ja që nuk i bënte zemra. Ta vriste, ishte njësoj sikur t’ ia vriste edhe katër fëmijët e mitur, meqë nëna e tij plakë nuk mund të përkujdesej as edhe për veten.

            Lani me familjen e tij kishte shpëtuar nga murtaja, por e kishte goditur uria, meqë në dy vitet e fundit, prej kur kishte rënë në gjak,  nuk kishte arritur ta punonte tokën si duhet. Kishte kohë kur nuk i jepej besa dhe ai detyrohej të rrinte ngujuar në shtëpi.

            Atë ditë të pranverës së hershme dhe me acar dimri po bëheshin  tre ditë që fëmijët nuk kishin ngrënë asnjë kothere buke. Nëna,  lëngonte në shtratin e vdekjes. Fëmijët qenë mbledhur kruspull buzë vatrës dhe regjistronin çdo lëvizje të atit, i cili hynte e dilte në kasollen e ftohtë duke sjellë dru, për të mos e lënë zjarrin të shuhej.

Në mbrëmje, i ngarkon duqet mbi shpinë të gomarit dhe iu thotë fëmijëve, se po dilte për të lypur ndonjë okë miell apo misër.

            -Nuk ki besë o bir, të vret Martin Gashi, – i thotë e ëma, e cila mezi ishte ngritur nga vendi. Ai nuk kishte bërë zë, por del në rrugën e fshatit. Rruga ishte “në besë” dhe ishte i sigurt se Martin Gashi nuk do ta vriste në rrugën e Madhe, të paktën jo, derisa të largohej nga shtëpia e tij.

            Pak para se të errësohej, arrin te dera e oborrit të kullës dykatëshe të Martin Gashit, të cilit i kishte borxh një gjak. Shkonte, sikur cjapi te kasapi. E dinte se Martini as bijtë nuk do ta vrisnin para dyerve të oborrit. Kishte besim se, edhe pse u kishte gjakun borxh, nuk do ta linin të vdiste urie.

            Pa vonuar kishte trokitur në derë me purtekën që e mbante në dorë.

            Dash Gashi, i biri i Martinit, e kishte hetuar dhe kishte lajmëruar babanë  e vëllezërit  se gjakësi ndodhej para derës. Të gjithë kishin marrë pushkët e jataganët, nga frika për ndonjë të papritur.

Nata ishte e ftohët. Fërfëlliza që frynte nga veriu rrihte fytyrën e Lan Çungurit  si me thupër thane. Gjaku i kishte ikur nga fytyra dhe dukej si një burrë plak,  i tretur dhe i humbur nga hallet e jetës.

            -Dil, Martin Gashi, o vramë,  o ma jep ndoj okë miell, se pa m’ desin uje katër cullt’ dhe nana plakë!

            Martini kishte stepur nga e papritura.

            Lani ishte ngurtësuar dhe priste o plumbin, o tehun e kacaturrës, atë natë me acar, kur po i shuheshin shpresat e jetës, për vete dhe për tërë familjen.

            Martin Gashi, duke parë se gjakësit nuk i kishte mbetur edhe aq fuqi sa për të qëndruar më gjatë në këmbë, pasi e shikon më shumë me keqardhje sesa armiqësisht,  i merr duqet dhe niset në drejtim të hambarit.

            -Mbushni dhe as zanin të mos ju ndiej, iu drejtohet bijve, të cilët po prisnin tjetër urdhër nga babai.

            Pas pak, dy bijtë e Martinit, i ngarkojnë mbi shpinën e gomarit të dobët të Lanit  dy duqe me misër të pashkokëluar.

            -Zoti t’ shpëtoftë, Martin Gashi!  Zoti ta ktheftë me t’ mirë se una nuk kam t’mira – thotë, ndërsa dy pika loti i shpëtojnë në faqet.

            -Ke edhe nji muj’ besë të paqit, nëse nuk gjen misër trokit sërish, i thotë Martini, derisa Lani po largohej drejt kasolles ku e prisnin fëmijët e uritur…

            Ngjarja kishte bërë përshtypje të veçantë në Ndrenik. Shembulli i Martin  Gashit ishte kuptuar si mëshirë i një të krishteri, i një vëllai për vëllanë,  fendërruar, por të katandisur….

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …