leoni

A.Q. Përpjekjet anakronike për zbulimin e një origjine të re dhe të një identiteti të ri të shqiptarëve

A.Q. Përpjekjet anakronike për zbulimin e një origjine të re dhe të një identiteti të ri të shqiptarëve

Në kohën e komunikimit masiv përmes internetit, në kohën e larjes dhe shpëlarjes së vlerave, në kohën kur tradhtari me damkë shpallet hero i kombit, ndërsa heroi etiketohet si terrorist, në kohën kur bashkëjetojnë vlera dhe antivlera, në kohën kur skribët e çdo lloji qëndisen me tituj shkencorë, nëpër qindra fakultete private e publike, por në shkrimet e publikuara zbulojnë para opinionit mjerimin e tyre mendor dhe intelektual, është ringjallur fushata për origjinën, madje edhe hyjnore të paraardhësve të shqiptarëve. Kështu kanë vepruar edhe shumë studiues  serbë për shumë kohë, duke besuar fort se serbët janë popull hyjnor.

Një klasë e tërë “intelektualësh, historianësh” (me apo pa tituj), gazetarësh fodullë e mendje krisur, sharlatanë që nuk u gjen çiftin, i kanë vënë vetes për detyrë ta rishkruajnë historinë, sepse sipas rezonimit  të tyre njëdimensional, ajo qenka shkruar “dallash” dhe pa “kompetencë” shkencore. Këta “kompetentë”, tani duan t’ i rrëzojnë tezat e njohura, të sistemuara dhe të konsoliduara mbi prejardhjen e gjuhës shqipe, të kombit shqiptar, teza shkencore këto të cilat i ka manifestuar shkenca e albanologjisë dhe e historisë, për më shumë se 150 vjet studime, jo vetëm nga gjuhëtarët e shkencëtarët  shqiptarë, por në radhë të parë  nga albanologë e shkencëtarë të njohur  të  Evropës e të mbarë botës.

Të pretendosh të shpallësh pa vlerë veprat e Gustav Mayerit, Georg Johan van Hahnit, Norbert Joklit, H. Pedersenit, Petar Skokut, J. Tunmanit, Henrik Bariqit, Sami Frashërit, Millan Shuflajt, Eqrem Çabejt, Androlki Kostallarit, Idriz Ajetit e shumë e shumë albanologëve të tjerë, krejt kjo duket një marrëzi mjerane, një sharlatanizëm naiv,  meqë nuk ka  asnjë bazë të mirëfilltë shkencore.

Fushatës së tillë, për ta zbuluar origjinën e vjetër dhe identitetin e vërtetë të shqiptarëve të dikurshëm, po i kontribuojnë edhe disa mediume publike, të cilat në kohën e konkurrencës së pamëshirshme, bëjnë përpjekje të mbijetojnë me sensacione, “zbulime të ndryshme”, gënjeshtra të kamufluara, fabrikime, etj.

Ky taraf i skribëve, nuk lë gur pa rrokullisur,  me qëllim që duke zbuluar “të vërtetat” e tilla, gjithnjë të paragjykuara, të promovohet si zbulues, si intelektual i merituar, shkencëtar i pazëvendësueshëm, i cili jo vetëm që nuk njeh asnjë gjuhë të huaj, por edhe gjuhën amtare e flet dhe e shkruan duke çaluar, dhe meqë nuk ka arritur kurrë ta zotërojë si duhet,  e shpif atë si  gjuhë të shpikur në kohën e regjimit të Enver Hoxhës. Ai flet më lehtë në “gagarishten mushke” përplot me sllavizma e turqizma  të kohës së Baba Dovletit, sesa gjuhën letrare, që e flasin shqiptarët kudo në trojet etnike dhe kudo ku ndodhen të shkapërderdhur nëpër botë.

Për origjinën e gjuhës shqipe, për identitetin historik dhe para historik të popujve, e në këtë mes edhe të origjinës së popullit shqiptar, duhet të shkruhet me kompetencë shkencore, duke u bazuar në rezultatet e shkencës së albanologjisë dhe të historisë, duke mos lënë anash as studimet interdisiplinare, të cilat ndihmojnë shumë në këtë drejtim. Por të pretendosh në mënyrë naive se shqiptarët kanë prejardhje pellazge, apo trakase, dakase apo do origjina që qojnë deri te faraonët ( nga  fara-jonë)  e më tej, duke injoruar 150 vjet të shkencës së albanologjisë, kjo duket më shumë se donkishoteske, më shumë se karaxhozllëk naiv, i cili nuk mund të dëshmohet vetëm për  faktin se një fjalë e sotme e gjuhës shqipe, paska ngjashmëri me një fjalë greke, arabe, hebraike apo sanskrite. Në të gjitha gjuhët e botës vërehen ngjashmëri, dhe ato ngjashmëri janë të shprehura sidomos me gjuhët e një trungu gjuhësor, si indoevropian, roman, hamito-semit etj. Edhe gjuha shqipe ka mjaft ngjashmëri me disa nga gjuhët e tilla,  por kjo nuk do të thotë se shqipja qenka gjuhë e gjuhëve, se gjuha shqipe qenka para gjuha, apo gjuha e parë e Babilonisë.

Në raste kur hetohen dhjetëra apo qindra fjalë të ngjashme, sikur është rasti i shqipes me gjuhën rumune, greke, sllave, turke  e gjuhë të tjera, atëherë kemi të bëjnë me raporte të bashkëjetesës së popujve në një periudhë të caktuar kohore, qofshin këto edhe raporte pushtues, apo  i pushtuar. Në raste të tilla kemi pasur  të shprehur edhe fenomenin e huazimit,  por edhe të imponimit gjuhësor, sikur është rasti me popujt e  shtypur e të robëruar me shekuj, proces i cili nëpër shekuj ka ndikuar thellë në asimilimin e tyre gjuhësor, por edhe shtrirjen e shumë fjalëve të huaja sikur është prania e fjalëve të gjuhës latine, sllave, turke, italiane, e të tjera  në gjuhën shqipe.

Nuk ka pasur mundësi, praktike, por as teorike që fjalët e gjuhës shqipe t’i kenë huazuar romakët, grekët në kohën e Bizantit, turqit gjatë pushtimeve të tyre shekullore, serbët në 100 vjetët e fundit, italianët, apo gjermanët. Por nuk është “trupi” i gjuhës shqipe që është “qëndisur” si mos më keq  me qindra fjalë latine, greke, turke, sllave, gjatë kohës shumë shekullore të pushtimit. Por mbase ishte turp që për 15 vjet të protektoratit dhe  pushtimit italian në Shqipëri, gjuha italiane u bë gjuhë e dytë e shqiptarëve, ndërsa shqipja mori qindra, për të mos thënë edhe mijëra fjalë nga kjo gjuhë, ashtu sikur mori gjuha shqipe në Kosovë dhe në trojet tona të pushtuara  sa e sa fjalë sllave, bullgare e serbe. Fakti se shumë shqiptarë i nënshtrohen lehtë asimilimit gjuhësor, është real dhe mjafton të vëresh se në kohën tonë janë qindra  fjalë e neologjizma shqipe që po zëvendësohen me fjalë italiane, angleze e franceze, në radhë të parë nga naiviteti arsimimi gjysmak, me qëllim për t’u shpifur si evropian, amerikan, ashtu sikur kanë bërë gjyshërit nën pushtim  tanë duke folur turqishten, greqishten apo gjuhët e lindjes.

Pa dyshim se gjuha shqipe është një gjuhë e vjetër, e cila ka një sistem të pasur fonetik, me prani të tingujve  të të gjitha gjuhëve indoevropiane, por është papërgjegjësi shkencore  të pretendohet se shqipja, duke u bazuar në sistemin e pasur fonetik, qenka para gjuha e popujve të Evropës, apo të botës. Të konstatosh diçka të tillë, nuk do të thotë se mund të argumentosh. Ngjashmëria e fjalëve të një gjuhe me një gjuhë tjetër duhet të studiohet  me shumë vëmendje, duke marrë për bazë elemente historike, kulturore, fetare, dokesore. Në raste të tilla kemi edhe koincidencën si fenomen të një fjale, e cila shkruhet dhe shqiptohet njëjtë në dy e më tepër gjuhë, qoftë me kuptim të njëjtë apo me koincidencë.

Duke folur për këtë fenomen donkishotesk te serbët e shekullit të 19, iluministi serb, Ilarion Ruvarac, thoshte se trabantët tanë i gjejnë serbët edhe në Kinë, nëse një fjalë e kinezishtes ka njëfarë ngjashmërie tingëllore me një fjalë serbe.

Me pretendime të tilla naive nuk mbulohet fakti se shqipja në krahasim me gjuhët e popujve të Ballkanit e Evropës del të jetë e shkruar shumë vonë, pavarësisht hamendësimeve se ajo është shkruar shumë herët, por ne ende nuk i kemi zbuluar librat e parë, të shkruar në këtë gjuhë. Tash për tash mbetet të mjaftohemi me “Mesharin” e Buzukut, të botuar në vitin 1555, për të cilin dr. Eqrem Çabej ka konstatuar se kemi të bëjmë me një gjuhë të njësuar për kohën. Dhe përderisa disa skribë zevzekë nuk pajtohen me këtë fakt, ata dalin jashtë kësaj kornize dhe pretendojnë të na bindin se gjuha shqipe paska qenë e folur dhe e shkruar këtu e 30.000 vjet më parë. Apo u dashka të pranojnë tezën antishqiptare të  sllavisti Shmit, i cili paska shkruar se shqipja nuk ka lidhje me ilirishten. Ka mjaftuar ky konstatim, pa asnjë bazë shkencore i këtij sllavisti, që “dylberët” e gjuhës shqipe të gërmojnë në “minierën” e pasur të gjuhëve, për të zbuluar se shqipja qenka para gjuha e të gjitha gjuhëve të botës. Këto “xhevahire” nuk mbulojnë dot kulturën antike greke, e cila ka ushtruan ndikim të fuqishëm gjuhësor, jo vetëm te popujt e Ballkanit por edhe në Perandorinë romake. Nuk është i rastësishëm konstatimi se Roma e pushtoi Greqinë ushtarakisht, por Greqia e pushtoi Romën me kulturën e saj.

Mohimi i gjuhës dhe kulturës autentike greke, pretendimi se grekët e sotëm nuk paskan asgjë të përbashkët me grekët antikë, pretendime se “Kosovarët” janë dardanë e trojanë, ndërsa shqiptarët në Shqipëri qenkan me prejardhje ilirë e pellazgë, tregon krizë identiteti, jo të prejardhjes, historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare, por krizë identiteti të vetë këtyre “intelektualëve” megalomanë, sharlatanë që pretendojnë të na bindin se shkenca e derisotme e Albanologjisë paska qenë në lajthitje, ndërsa zbulimet e tyre po i vënë themelet e historisë së gjuhës shqipe dhe të prejardhjes së popullit shqiptar.

E keqja është se këta “studiues” parazitë, që jetojnë kryesisht në vendet e Evropës, janë ca bjerrakohës të “rehatuar” financiarisht, në shtetet ku kanë gjetur strehim e begati, janë nga ata  që nuk arrijnë t iu mësojnë bijve dhe bijave gjuhën shqipe, që kurrë nuk do të begenisnin të ktheheshin në Kosovë, Maqedoni në Shqipëri,  kudo qoftë në vendlindjet e tyre. Ka shumë nga këta që kanë ndërruar edhe emrat, kombin e përkatësinë dhe tani na dalin “puro” shqiptarë, që gjuhen shqipe e shtyjnë përpjetë ashtu sikur bënte Sizifi i mitologjisë greke. Nuk është çudi kur edhe këtë Sizifin e lashtë  të mitologjisë antike ta bëjnë Syzi, apo syzift shqiptar.

Kontrolloni gjithashtu

Tefta Çami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Tefta Cami: Vizita në Theth të Dukagjinit, më ka lënë shumë mbresa

Me 26-27 tetor të këtij viti shkova e vizitova me vajzën time, Alma dhe me …