A. Q. Të gjithë kundër Thaçit apo Thaçi kundër të gjithëve?

Autoritarizmi dhe prepotenca, jo vetëm  politike e Hashim Thaçit dhe një segmenti të
tij të fuqishëm brenda PDK-së, me kohë është vërejtur si një e keqe, e cila  vazhdimisht ka sjellë pasoja brenda Partisë,
por edhe përçarje në radhët e krahut të luftës.

Edhe pse Thaçi në zhargonin e tij politik shprehet
për demokraci, tolerancë, përfillje të mendimit ndryshe, diversitet e koekzistencë,
realisht,  ai që në vitet e para të pas
luftës ka vepruar në fuqizimin e autoritetit të tij brenda partisë, me qëllim
për të mos lejuar rivalitet apo konkurrencë mendimesh dhe qëndrimesh ndryshe. Dhe,
në këtë segment nuk ndryshon asgjë nga paraardhësit e tij në politikë.

Në rrugën e tij për kapjen e pushtetit, s’ do mend
se Thaçi ka qenë dhe ka mbetur makiavelist, akrobat i zhdërvjellët ashtu
sikur  të gjithë politikanët e Kosovës,
gati pa asnjë përjashtim. Në pretendimet e tij për të mbetur me çdo kusht në pushtet,
ka manifestuar aftësi të jashtëzakonshme, gatishmëri  në rrugën drejt adoptimit dhe përshtatjes, por
edhe një dozë të shprehur të servilizmit ndaj të huajve. Ndoshta shprehja  pezhorative  “servilizëm” po përdoret edhe pa vend, meqë
nuk ka politikan shqiptar në trojet e shkapërderdhura të Shqipërisë, që nuk ka
treguar dhe nuk tregohet servil ndaj të huajve, me ndonjë përjashtim të ndonjë
zyrtari që nuk çon peshë. Këtu është fjala për zyrtarët që kanë qenë dhe janë
në pushtet, jo për disa liderë të opozitës, sikur është, Albin Kurti e ndonjë
tjetër.

“Servilizmi” i Thaçit ndaj të huajve është i natyrës
së bashkëpunimit me faktorin ndërkombëtar, i asaj forme  të quhet “partneritet” dhe  i cili nënkupton dhe kushtëzon me çdo kusht
dhe në çdo formë këtë servilizëm, në raportin padron-shërbëtor.

 

Forcat ndërkombëtare që ndihmuan luftën tonë
çlirimtare, me kohë na kanë bërë të ditur se epilogu i luftës nuk ka rezultuar me humbës as me fitues, nga asnjëra
palë. Ata
na kanë bërë të ditur se na kanë ndihmuar të çlirohemi, andaj
edhe i kanë rezervuar vetes të drejtën për të na kthyer në shërbëtorë e servilë
të tyre.  Asnjë politikan shqiptar prej
vitit 1991 e deri tani nuk ka mbijetuar në politikën aktuale pa e manifestuar  nivelin e kërkuar të servilizmit ndaj të
huajve. Thaçi në këtë drejtim nuk paraqet ndonjë rast të veçantë. Por e veçanta
e Thaçit është e natyrës tjetër, ajo ka disa specifika dhe veçanti.

 

Hashim Thaçi prej fëmijërisë ka shprehur
kundërshtimin ndaj regjimit okupator serb. Këtë e ka manifestuar në mënyra të
ndryshme, madje qysh në kohën kur bijtë e ambasadorëve shqipfolës  të Titos e të Rankoviqit bënin gjiro dhe
shetiteshin me të dashurat e tyre  
sheshet e Beogradit, apo në qytetet e botës.

Thaçi asokohe kishte kërkuar dhe me lehtësi kishte
gjetur bashkëmendimtarë militantë, të cilët në trevën e tij, në Drenicë, nuk
kanë munguar kurrë, nuk kanë munguar në asnjë periudhë të historisë së kohës së
robërisë shumëshekullore. Ai madje i takon bërthamës së parë të Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, të Adem e Hamëz Jasharit. Për veprimtari të tillë
antijugosllave, ishte dënuar nga regjimi kriminal i Milosheviqit, 12 vjet burg,
( në mungesë) në kohën kur oligarkia pacifiste e Kosovës, në krye me Ibrahim
Rugovën pranonte Jugosllavinë si shtet, me kusht që Kosova të pranohej si
Republikë jugosllave. Thaçi me bashkëmendimtarët e tij, asokohe student,  organizonte dhe adresonte peticione kundër
politikës durimtare dhe kundër UJD-istëve të Veton Surroit, të cilët mundoheshin
me çdo kusht ta ruanin Jugosllavinë, burgun e popujve të Ballkanit,  e cila po zvarritej drejt humnerës.

Roli i Thaçit dhe bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve
të tij gjatë luftës së UÇK-së është i njohur, pavarësisht se si mund të
interpretohet qoftë nga Thaçi, qoftë nga kundërshtarët e tij.


Në periudhën e pas luftës, Hashim Thaçi, bir i një
familje fshatare të Drenicës, revolucionar i kalitur në Lëvizjen e fshehtë dhe
në luftën e UÇK-së, iu kishte “imponuar” kohës, historisë së re të Kosovës, në
bërjen e së cilës kishte meritat, mundin dhe angazhimin e vet.

I entuziazmuar me kthesën e madhe historike, që bëri
UÇK-ja dhe ndihma nga ajri e forcave të NATO-s, ai nuk ishte mjaftuar vetëm me përmbylljen
e kapitullit të luftës, por kishte vazhduar me sukses rrugën drejt kapjes së
pushtetit, jo vetëm për shkak të meritave, sidomos politike gjatë luftës, por
edhe për shkak se mendonte, ashtu sikur të gjithë liridashësit se liria e
vendit duhej mbrojtur dhe duhej avansuar deri në shpalljen e pavarësisë.

Nga do të të studiohet rruga revolucionare e Hashim
Thaçit, nuk mund të anashkalohet një element qenësor dhe që është angazhimi i
tij i pandalshëm i pandërprerë në drejtim të 
lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, por edhe drejt fuqizimit të klasës së
të dëgjueshmëve dhe plastofilëve politikë, të cilët Kosova i ka super prodhim.

 

Thaçi, me qëndrimin dhe politikën e tij  të adaptimit ka bërë shumë gabime, të cilat i
kanë bërë dhe do t’ i bëjnë edhe këta të tjerët. Nëse ka qenë gabim fillimi pa
kusht i bisedimeve me Serbinë, këtë gabim do ta vazhdojnë edhe politikanët
aktualë dhe këtë e kanë paralajmëruar si kusht për legjitimitet karshi
Brukselit, pavarësisht modaliteve në interpretim. Të marrësh  qëndrim kategorik kundër bisedimeve me
Serbinë, do të thotë “vetëvrasje” politike në raport me Brukselin. Këtë e dinë të
gjithë opozitarët, e di më së miri edhe Albin Kurti i Vetëvendosjes, lërë më
Isa Mustafa apo Ramush Haradinaj.

 

Andaj lufta e përgjithshme kundër tij, sidomos lufta
e opozitës heterogjene, e bashkuar vetëm në segmentin kundër Thaçit, nuk është
thjesht luftë politike për pushtet, por është pretendimi për një  luftë finale për fundosjen e tij me çdo kusht
dhe me çdo metodë të lejueshme dhe të palejueshme. Është vështirë të
paragjykohet se a do ta arrijnë ta bëjnë këtë, ata që nuk janë as më të mirë,
as më të këqinjë se Thaçi.

Shkaktarët e kësaj lufte të papërgjegjshme politike
janë në të dyja taborët dhe është vështirë ta drejtosh gishtin te ai që ka më
shumë apo më pak inat, mllef, urrejtje kundër njëri tjetrit. Kjo intolerancë
dhe kjo politikë krejtësisht e gabueshme e të dyja palëve ka sjellë këtë
gjendje stagnimi, nga e cila më së shumti përfiton Serbia, qarqet antishqiptare
dhe mercenarët e ish politikave të bashkim-vëllazërimit, në Kosovë, të cilët
kurrë nuk kanë reshtuar angazhimin e tyre “të moderuar” për rikthimin e asaj,
që ata e quajnë epokë e artë e bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me serbët.

 

Thaçi, në vazhdimësi e ka injoruar opozitën dhe
oponentët politikë, por nuk duhet harruar edhe faktin se edhe opozita është
kundërpërgjigjur me të njëjtën masë, madje me një gjuhë edhe më të pamatur dhe
aspak qytetare, aspak të kulturuar. Të dyja palët e kanë tepruar në të drejtën
e tyre, duke injoruar pakufi njëri-tjetrin. Të dyja palët, sot më shumë e
urrejnë njëra tjetrën, sesa e kanë urryer  apo e urrejnë politikën fashiste të Serbisë
kundër Kosovës.

Thaçi, Mustafa, Haradinaj mund të bisedojnë dhe të
arrijnë marrëveshje me autoritetet e Beogradit, ashtu sikur ka bërë Thaçi, por
kurrësesi me Thaçin, ashtu sikur nuk arrijnë dot marrëveshje Ali Ahmeti me
Menduh Thaçin, por arrijnë marrëveshje e koalicione me autoritetet
antishqiptare, sllavomaqedone. Krejt e ngjashme është edhe lufta dhe
intoleranca politike në Shqipëri.

Kjo inteorlerancë, ky bajrakatarizëm tipik feudal
shqiptar, është hendeku që i ka ndarë dhe i ndanë poltikanët tanë, i ka ndarë
dhe i ndanë shqiptarët edhe ashtu të ndarë e të përçarë si asnjë komb tjetër në
botë.

 

Asnjë politikan me peshë në Kosovë, Iliridë apo në
Shqipëri, gjatë 20 viteve të fundit nuk ka bërë përpjekje për afrim  mbi pozita të një ideje apo qëndrimi të
përbashkët kombëtar, sikur ka kërkuar prore Simboli i gjallë i Rezistencës sonë
kombëtare, Bacë Adem Demaçi dhe disa autoritete me peshë të vendit. Sepse,
angazhimi parësor  i politikanëve tanë
është lufta për pushtet, për qeverisje, për sundim mbi të tjerët, për vjeljen e
favoreve, që i ofron veshja me pushtet, dhe jo lufta për ndërtimin e shtetit të
përbashkët të të gjithë shqiptarëve. Andaj edhe e kemi këtë gjendje kaotike ku
të gjithë bashkohen kundër Thaçit dhe Thaçi mbetet besnik dhe tejet kokëfortë në
qëndrimin e tij kundër të gjithëve.

Ky është një si segment i shprehur në fjalën e urtë
latine, “Bellum omnium conta omnes”, “Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”,
që vazhdon ta thellojë kaosin, anarkinë stagnimin e zhvillimit dhe përparimit
të kombit.

 

Origjina e këtij kaosi nuk ka filluar me Hashim Thaçin,
as do të mbarojë me Isa Mustafën. Urrejtja për kundështarin nga radhët e kombit
të vet, ka gjenezë historike, që lidhet me shekujt e gjatë të robërisë dhe
pasojat evidente, që ka lënë në integralen e shpirtit shqiptar e kaluara nën
Romën, Bizantin, nën turqit, sllavët e sunduesit e tjerë, deri te sundimtarët aktualë të
Brukselit. Kjo e vërtetë e hidhur, kjo “sëmundje” kombëtare nuk shërohet me
urrejtje, smirë, xhelozi, nuk shërohet duke e mundur njëri-tjetrin, nuk
shërohet duke  bërë përpjekje për ta
varrosur politikisht njëri-tjetrin, nuk shërohet duke menduar se vetëm unë kam
të drejtë dhe kushdo të mendon ndryshe nuk ka të drejtë, nuk shërohet duke bërë
përpjekje  për t’ i nxjerrë sytë njëri
tjetrit, sikur kanë bërë dhe po bëjnë politikanët tanë aktualë.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza është shprehet optimist se do ta fitojë garën për kryetar të Mitrovicës pa balotazh

Bedri Hamza shfaq dyshime lidhur me komunikimin e njërit prej organizatorëve të sulmit në veri të Kosovës me Mimoza Kusarin

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka ngritur një zë kritik në lidhje me dialogun me …