Albert Z. Zholi

Abdurahim Ashiku: Albert Zholi ishte njeriu i parë që takova në Athinë më 11 gusht 1996

Organizime në emigracion – (Fragment studimi)

Kuvendet, tubimet, shoqëritë apo shoqatat siç kanë marrë tashmë emër në hapsirë dhe kohë, i lindin situatat, momentet , nevojat ekonomike, politike apo sociale. Nga ky rregull nuk përjashtohen edhe shoqatat shqiptare në emigracion. Ato lindën për një arsye dhe u shumuan për shumë arsye.
Për lindjen, pjekurinë por edhe për pjellshmërinë e shoqatave ftojmë në Studion e Emigrantit drejtues e anëtarë të tubimeve shqiptare në emigracion, në Athinë dhe në tërë Greqinë. Vitet ’90 ishin vite të një pjellëshmërie marramendëse partish e shoqatash politike. Mbase kjo nga që një gjysëm shekulli mbyllje të tubave të mitrës të shoqërisë shqiptare kishin bërë që në oviduktet e saj të prodhoheshin shumë vezë, fekondimi i menjëhershëm dhe konkurenca jetësore e të cilave do të lindëte fetusë pesmuajsh, shtatmuajsh, tetmuajsh, dhjetë apo njëmbdhjetë muajsh…
Në këtë numër do të hedhim pakëz dritë mbi Shoqatën e parë të Emigrantëve Shqiptarë në Greqi; lindjen, pubertetin dhe pjellshmërinë e saj….

1996

HAPAT E PARA

Kontaktet me organizimin e parë të emigrantëve shqiptarë në Greqi i kam marrë më 11 gusht 1996, tre javë pas vendosjes sime në ishullin e Salaminës. Si të gjithë të tjerët edhe unë kisha ardhur me barrën e halleve që asokohe përcillte shoqëria shqiptare dhe tubimet shqiptare bënin që plagët të ndalnin kullimin e të zinin kore, bënin, siç do të shënoja në ditarin tim atë ditë që “Katër orë në Klubin e Shqiptarve” në Omonia ishin si katër minuta të shtrenjtë midis miqësh” …
Ishte koha kur Berisha, pasi kishte vjedhur në mënyrën më makabre votën e popullit, kishte përgjakur para kamerave dhe fotoaparateve të agjencive më prestigjioze të lajmeve të botës, në Sheshin Skenderbej, opozitën, koha kur qytetrimet më të përparuara të Europës dhe Amerikës jipnin përditë sinjalel SOS për mbrojtjen e foshnjës së demokracisë shqiptare kundër një junte të re diktatoriale Kësaj kohe, këtyre rrethanave do t’i përgjigjej edhe masa e emigrantëve shqiptarë të cilët dhimbja ndaj gjëndjes në Atdhe dita ditës po i depërtonte në palcë.
Albert Zholi ishte njeriu i parë që takova në Athinë më 11 gusht 1996. Ai ishte një djalë e ri, me një qëndrim të mendueshëm ëndërrues, me një çantë lëkure mbushur me letra. Unë e kisha njohur nëpërmjet shkrimeve që asokohe përcillte në “Zërin e Popullit” si dhe sipas tregimeve të Dritëro Agollit dhe Moikom Zeqos që pak muaj më parë kishin qenë të shetitur në Athinë dhe Salaminë nën shoqërinë e tij. Rasti e solli që t’a njihja nga afër dhe të admiroja zellin e tij për të punuar me emigrantët, për t’i ndihmuar dhe ndërhyrë deri në autoritet e larta për hallet e tyre.
Mërgata e re shqiptare asokohe mblidheshin tek kioska e Everestit në Omonia ku blenin apo lexonin si në një bibliotekë, gazetat që vinin nga Shqipëria, uleshin dhe pinin kafe në katin e dytë të klubit Kaceli përballë kioskës. Por më tepër dhe më pranë njeri tjetrit rrinin ata në përdhesen e një klubi në rrugën Likurgu-9, pak metra larg Omonias. Këtu krrueshin xhepat e grisur për një kafe apo një birrë dhe pasi mblidheshin “të gjithë” bashkoheshin tavolinat dhe nisnin kuvendet. Këtyre ditëve u takojnë edhe disa fotografi që po i përcjell si kujtim dhe homazh për pjesmarrësit.

Demonstrata…

SHOQATA E EMIGRANTËVE SHQIPTARË

Tubimet e para publike të emigrantëve shqiptarë, siç dëshmon në librin e tij “Ikja e Madhe” Albert Zholi, janë bërë më 4 qershor 1996 në sallën e Partisë së Koalicionit të Majtë dhe të Progresit në Athinë, sallë në të cilën u mbajt një miting protestues kundër manipulimeve në zgjedhjet parlamentare të 26 majit. Mitingun e drejtuan G. Kapllani –student dhe G. Demi një i ri që “dashuronte shumë poezinë”.
Në këtë tubim ndër shumë të tjerë foli edhe Sofika Topore e cila “Hodhi idenë e krijimit të shoqatës së emigrantëve.”
Tubimet e shqiptarëve më 14 qershor 1996 do të kalonin nga salla në sheshe. Atë ditë, në orën 18, u zhvillua përpara ambasadës shqiptare një miting i madh ku protestuesit nën parullat “Liri Demokraci”, “Punë-Kulturë-Qetësi”, “Poshtë diktatura”, “Rroftë demokracia”, “Europë – Amerikë”… shprehnin brengën por edhe dëshirën për një Shqipëri Euro-Atlantike, pa diktate e diktatura të çdo ngjyre qofshin.
Tubimi tjetër i emigrantëve shqiptarë i përket mesit të korrikut, një tubim ky përsëri para ambasadës me një numër të dyfishtë njerëzish të të gjitha moshave .
Tubimet, protestat, organizimet e emigrantëve do të shoqëronin jo vetëm verën por edhe vjeshtën e vitit 1996, për t’u ngritur në një shkallë më të lartë në dimrin e vitit 1997, dimri më i egër që njeh historia e shtetit dhe e shoqërisë shqiptare, dimrit të piramidave që binin një nga një duke zënë nën vete dhjetra e qindra mijëra familje e individë, dimrit të çarjes së depove ushtarake dhe i krismave të të gjithë llojeve të armëve, dimrit të vrasjeve, grabitjeve e pusive, dimrit që kallkanosi politikën dhe shoqërinë shqiptare.

L. Zilfo…

SHOQATA “VËLLAZËRIMI“

Kësaj periudhe i takojnë organizimet e reja të emigrantëve , dalja e një gazete për emigrantët, gazetës “Vëllazërimi”, e cila në të gjashtë numrat e saj u mundua t’u plotësojë lexuesëve atë boshllëk që ishte krijuar me censurën në fillim e më pas me mbylljen drastike të të gjithë gazetave në Shqipëri, me mohimin e të drejtës njerëzore për të hapë një gazetë, një radio, një stacion televiziv apo një agjenci lajmesh private në vendin tënd. Kësaj periudhe i takon edhe ndonjë tendencë për të krijuar parti apo degë të partive politike shqiptare në emigracion si Partisë Socialiste, Partisë Komuniste, Partisë Demokratike etj. si dhe ec e jaket e militantëve përkatës, duke përfshirë këtu edhe krerë partiakë
Albert Zholi në librin e tij “Ikja e madhe” thekson; “Gjendja në Shqipëri sa po vinte dhe ashpërsohej. Shumë njerëz nuk shihnin më asnjë rrugë për kthim së shpejti në Atdhe. Ky organizim i parë për hallet e atjeshme na bëri të fortë të kërkonim në Atdhe të drejtat tona. Kështu u krijua Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve të Greqisë “VËLLAZËRIMI”. Kryesinë e tij do të ma besonin mua. Po nuk isha vetëm. Myftar Kurti, Agron Lala, Thoma Sava, Aleksandër Baka, Novruz Abilekaj, Isuf Danaj, Agim Zeneli, Lefter Marta, Theodhor Logo, Vasil Logo, Kastriot Kaçupaj, Mihal Dusha, Ilia Averbah, Tomor Topore, si këshill drejtues por edhe aktivistët V: Danga, Ilia Lolo, Albert Rudaj, P. Nuredini, Feti Skëndaj, Safet Aneli, Fatmir Meçe, L.Zilfo, Z. Zhupa, P. Pëllumbi, V. Dai, N. Korthi, V. Prifti, M. Jano, A. Gaziu, L. Bineri, A. Skëndaj, P.Zani, B. Halili, D. Kodra po sakrifikonin shumë”.
Nga shfletimet që i kam bërë dy librave të A.Zholit “Ikja e madhe” dhe “Ëndrrat e mërgimit” , çka i vlerësoj si një iniciativë të mirë dhe një dritare për të parë shumë gjëra të historisë së emigracionit të ri shqiptar në Greqi, vrej edhe disa kontradikta që nuk mund të rri pa i përmendur duke u bazuar jo vetëm në shënimet e ditarit tim por në veçanti nga dokumente të bëra publike në kohën kur ngjarjet ishin në zhvillim.
Albert Zholi flet për krijimin e një “Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve të Greqisë “VËLLAZËRIMI ( ! ), organizim i cili “na bëri të fortë të kërkonim në Atdhe të drejtat tona”. Nuk do të ndalem në objektin e këtij “Komiteti” por në emrin që i vihet: “Vëllazërimi”.( ! )
Unë, nga kontaktet e gjëra që kam pasë me shoqatën e emigrantëve dhe me kryetarin e saj (kam qenë edhe vetë anëtar i saj duke paguar edhe kuotat), emërtimin “Shoqata Vëllazërimi” e quaj të vonshëm, madje pikërisht në emërtimin e saj kam parë edhe centrifigualitetin e disa prej anëtarëve të “Komitetit” apo aktivistëve të përmendur më lart.
Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë do të qëndronte e bashkuar, pavarësisht nga lëvizjet për krijime shoqatash me baza krahinore, derisa ajo nuk do të merrte emër të përveçëm. Vetëtitullimi i saj “Vëllazërimi” për mendimin tim ishte një gabim, ishte një mbarsje që çoi në pjelljen e shpejtë të shumë shoqatave që morën emra të ndyshëm.
Nuk e di në se emri i saj është i lidhur me daljen dhe me mbylljen e gazetës “Vëllazërimi” por një gjë e di të dokumentuar mirë: pikërisht në këtë gazetë, në numrin 4 e shtunë 5 prill 1997 në deklaratën e saj në takimin në sallën e madhe të Universitetit Politeknik me kryeministrin e Qeverisë së Përkohëshme Bashkim Fino ajo firmos “SHOQATA E EMIGRANTËVE SHQIPTAR NË GREQI “ ATHINË 31.3.1997
Deklarata është lexuar nga njeri ndër inicuesit dhe drejtuesit e shoqatës Tomor Topore. I pranishëm në tribunën e këtij tubimi ka qenë edhe vetë z. Zholi.

Mes veprimit…

FATOS NANO – KANINGOS – 13 QERSHOR ‘97

Nën emrin “Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë”, nëpërmjet lajmërimeve e afisheve, ajo do të organizonte tubimin më të madh dhe më entusiast që është organizuar ndonjëherë në Greqi, tubimin në sheshin Kaningos më 13 qershor 1997 ku Fatos Nano do të shpaloste “Programin elektoral të Partsië Socialiste” dhe do t’i ftonte emigrantët për të votuar në Atdhe për përmbysjen e regjimit të Berishës. Kësaj kohe i takon gjithashtu edhe puna e mëvonëshme propogandistike dhe organizimi i udhëtimit të emigrantëve në zgjedhjet e 29 qershorit, zgjedhje të cilat i dhanë Partisë Socialiste pushtetin.
Pas kësaj veprimtarie të gjërë majtas, veprimtari në favor të një force politike, gjykoj se “Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë” në “pushtet” do t’ vinte fundi. Këtu ndoshta vjen edhe ndërrimi i emrit, edhe vegjetimi i shoqatave të tjera. Me një emër të ri, një emër iluminist “Vëllazërimi”, programi i saj do të ishte më i ngushtuar. Disa nga veprimtarët e saj e gjetën vetveten në krye të shoqatave të reja disa prej të cilave morën edhe legalizime zyrtare.

BASHKIMI DHE…

Një pikë me rëndësi në historikun e shoqatave dhe tubimeve të tjera në emigracion është krijimi i “Komitetit të Koordinimit të Emigrantëve Shqiptarë” më 29 mars 1998. Mbledhja, në të cilën merrnin pjesë 50-60 vetë, anëtarë e drejtues të disa shoqatave u zhvillua në një nga sallat e sindikatave greke në rrugën “3 Shtatori-48“.
Krijimi i këtij komiteti, ishte të koordinonte veprimtarinë e shoqatave, prezantimin dhe zgjidhjen e problemeve në kushtet e legalizimit të emigrantëve, proces ky që pas dekreteve të Parlamentit Grek ishte në vijim.
Mbledhja, si çdo mbledhje që shkakton “humbje pushteti”, kaloi me debate të forta, me “mos tundje nga llogoret të drejtuesëve të shoqatave” (siç do të shënoja në ditar) Mbledhja zgjodhi Këshillin dhe ky i fundit zgjodhi Komitetin.
Kryetar i Komitetit u zgjodh pa mëdyshje studenti i filozofisë Gazmend Kapllani. Duhet theksuar se për shumicën e pjesmarrësëve në mbledhje Gazmend Kapllani ishte i panjohur. Madje ai, megjithëse erdhi vonë u duartrokit nga drejtuesit kryesorë të shoqatave dhe u ftua të zinte vend në presidiumin e mbledhjes.
Me kalimin e kohës, që atëhere e deri sot , unë do të shihja tek i riu Gazmend Kapllani ambicjen dhe përkushtimin për të studjuar e ecur përpara, paraqitjen dinjitoze në publik me analizat dhe shkrimet e tij, një njeri që i vlen jo vetëm emigracionit por edhe Shqipërisë. Mendoja dhe mendoj se klasa e re politike shqiptare, krahas ruajtjes së vlerave të krijuara mga brezi i vjetër, vemendje duhet t’i kushtojë vlerave që mbart dhe përcjell brezi i ri, vizionet e të cilit janë më pranë kohës.
Nën titullin “Krijohet Komiteti i Koordinimit të Emigrantëve Shqiptrarë në Greqi” në shtypin e Tiranës u botua lajmi: Është bërë hapi i parë për organizimin mbarshqiptar të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Drejtues të shoqatave e tubimeve të ndryshme shqiptare në Greqi si “Vëllazërimi”, “Arbëria”, “Gjon Muzaka”, sindikatat etj. në një mbledhje ku merrnin pjesë rreth 100 vetë firmosën të dielën më 29 mars 1998 aktin e formimit të Komitetit Koordinues të Emigrantëve Shqipëtarë duke deklaruar bashkimin e emigrantëve rreth një boshti të vetëm, bashkim ky i cilësuar si tepër i domozdoshëm në momentin aktual ku racizmi, ksenofobia, propaganda e pafre dashakeqëse e medias private janë në rritje…
Mbledhja zgjodhi Këshillin drejtues prej 27 anëtarësh në përbërje të të cilit janë drejtues të shoqatave dhe tubimeve shqiptare në Athinë si dhe emigrantë të painkuadruar në asnjë tubim. Këshilli zgjodhi komitetin drejtues të tij si dhe kryesinë. Kryetar i Komitetit Drejtues të Shqiptarëve me vota unanime u zgjodh studenti Gazmend Kapllani…”

…DHE PËRÇARJA

Bukur, por bukuria e këtij momenti do të fillonte të zbehej me të kaluar pragun e derës. Të nesërmen, më 30 mars, më mori në telefon një nga protagonistët e mbledhjes. Ai jo vetëm do të shprehte pakënaqësinë për zhvillimin e mbledhjes por do të tregohej tepër agresiv ndaj njerit apo tjetrit nga krerët. I thashë që të qetësohej dhe t’i peshojë me qetësi gjërat duke lëshuar litar e jo duke tërheq. Të pasnesërmen do të më merte në telefon një tjetër VIP i mbledhjes, do të më merrrte sërisht edhe ai që më mori dy ditë më parë. Në thelb të dy ishin të indinjuar për të njejtën gjë , për “Votimin” që sipas tyre “ishte manipuluar”. Majat e shigjetave e ndjeva se drejtoheshin kundër djaloshit të ri të zgjedhur kryetar. Sëmundja fëminore e politikës shqiptare që nuk din dhe nuk don të pranojë votën e lirë të njerëzëve ishte transportuar edhe në shoqatat shqiptare në emigracion. Këtë do t’a përjetoja në takimet e mëtejshme që këshilli, anëtar i të cilit isha edhe unë, dhe Komiteti do të zhvillonin në vazhdim.
Detyra e parë dhe kryesore e Këshillit ishte krijimi i statutit dhe programit të punës, depozitimi i tyre në organet greke për njohje zyrtare, propagandimi i nismës nëpërmjet medias dhe formave zyrtare si dhe puna në terren me emigrantët. Në këtë drejtim u krijuan disa komisione ndërmjet të cilit edhe një komision i cili u takua me ambasadorin shqiptar në mjediset e ambasadës dhe mori përkrahjen dhe përkushtimin e tij vetjak dhe të ambasadës për të ndihmuar këtë formë organizimi. U bënë shkrime në shtyp dhe emisione radiofonike në një kanal që përcillte asokohe çdo të djelë emisionin në shqip “Nga dyzet dallgë lart” etj.
Por gjërat nuk do të shkonin drejt. Zikzaket që filluan, këthesat e forta, shkopinjtë nën rrota filluan dalngadalë ta mbytin foshnjën e sapolindur.
Nuk e di në se e ka ruajtur M. Jano protokollin e mbledhjeve që vijuan, protokoll në të cilin gjykoj se është pasqyruar me emra e me fjalë konkrete debati, por nga ato që mbaj mend dhe kam shënuar lakonikisht në ditarin tim mund të them se mbledhjet që vijuan ishin mbledhje grerëzash që kërkonin eleminime të njerit apo tjetrit dhe ngjitjen e tyre në rolin kryesor drejtues.
Në mbledhjen e parë pas formimit të tij diskutimet në Këshill u ndalën në një banalitet: Të jetë apo të mos jetë drejtuesi i sindikatës së punëtorëve L. Marta në këshill dhe komitet apo jo ? Ishte një debat me nerva, me zëra të lartë, me sharje e fyerje që shkaktoi çarjen e parë në organizimin e ri.
Më 5 prill në Eksarkia ku tashmë bëheshin mbledhjet e Këshillit drejtuesit e shoqatës “Vëllazërimi” dhe “Gjon Muzaka” dolën me një deklaratë me shkrim në të cilën dilej hapur kundër organizimit të ri të emigrantëve.
Më 12 prill mund të themi se foshnja e lindur dy javë më parë ishte tashmë e vdekur. Në një peticion u kërkua “Dorëheqja e Gazmend Kapllanit”. Mbledhja u braktis nga krerët e shoqatave dhe një grup që mbeti vendosi që të formonte një shoqatë të re “Forumin e Emigrantëve Shqiptarë”.
Në manifestimin e madh antiracist që u zhvillua në Athinë, nga sheshi Panepistimiu në sheshin Omonia me 14 prill 1998 ku morën pjesë mbi 5000 emigrantë nga vende të Evropës, Azisë, Afrikës si dhe sindikatat greke, shqiptarët dolën vetëm nën emrin e Forumit të Emigrantëve Shqiptarë. Shoqatat e tjera refuzuan t’u bashkoheshin manifestuesëve.
Ky lloj bojkoti të veprimtarive të njerës apo tjetrës shoqatë do të vazhdonte edhe në manifestimin e 1 Majit dhe në shumë organizime të tjera.
Por kulmin përçarja e mërgatës shqiptare në Athinë do t’a arrinte më 12 nëntor 1998 kur kryeministri Majko u takua në mjediset e ambasadës me emigrantët shqiptarë. Ambasada shqiptare kishte vendosur që prezantimin e problemeve të emigrantëve para kryeministrit ta bënte Gazmend Kapllani jo vetëm si kryetar i Forumit të Emigrantëve Shqiptarë që tashmë ishte legalizuar dhe ishte prezantuar denjësisht edhe në tubime evropiane, por sepse ai ishte për nga mosha përfaqësuesi më i denjë i masës rinore të emigrantëve.
Ndërsa ai fliste, disa nga krerët pleq të shoqatave , filluan të bëjnë zhurmë, të hedhin në fillim romuze e më vonë të shpërthejnë në sharje e ofendime çka bëri që kryeministri shqiptar të dilte në mes të sallës për të qetësuar gjendjen.

SA SHOQATA KA NË GREQI?

Si përcjellje e këtyre momenteve mund të themi se në Athinë shoqatat pollën shoqata. Në prag të pranverës ’98 në Athinë vegjetonin shoqatat “Vëllazrimi”, “Gjon Muzaka”dhe “Arbëria”. Më vonë atyre iu shtuan “Forumi i Emigranteve Shqiptarë”, “Komiteti”, “Shoqata Atdheu”, “Shoqata punëtore”, “Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë”, “Shoqata Labëria” , “Shoqata Miqtë e Shtëpisë” e shumë shoqata të tjera krahinore, kulturore, letrare, artistike etj., etj.
Në vijim u krijuan edh shoqata në qytete të tjerë si në Selanik, Patra, Volos dhe në ishuj të Greqisë që, secila në vete, kanë vazhduar dhe vazhdojnë të bëjnë veprimtari atdhetare, artistike e kulturore, hapje kursesh për mësimin e gjuhës shqipe etj.

FTESA PËR BASHKIM

Nga një korrespondencë e botuar në RILINDJA XXI mësohet se 15 shoqata të emigrantëve shqiptarë në Athinë dhe në zona të tjera të Greqisë në fund të marsit (përsëri në fund të marësit si 5 vjet më parë) për 7 orë rrjesht kanë debatuar për krijimin e Lidhjes së Emigrantëve Shqiptarë. Duhet të ketë qenë shumë i fortë debati derisa ai ka vazhduar për shtatë orë rrjesht, derisa akuzat ndaj njera tjetrës për “legale” e “ilegale”, për “shoqata pa antarë” e “shoqata me kryesi”, për “lëshim pushteti” e “ruajtje kufijsh” kanë përbërë boshtin e debateve.
Pjesmarrsit paskan pranuar dhe votuar në parim krijimin e Lidhjes së Emigrantëve Shqiptarë, paskan krijuar një grup pune për të hartuar projekt statutin e funksionimit të kësaj lidhjeje si dhe paskan caktuar mesin e prillit për kuvendin vijues.
Bukur! Uroj që kjo Lidhje “të lidhet”
Megjithatë kam frikë se “pushtetarët” nuk do të lëshojnë “pushtet”. Do të isha i lumtur po të gaboja…

Prill 2003

Këto i kam shprehur në një shkrim në fillim të prillit të vitit të kaluar. Këto do të shprehja edhe sot, pas atyre që lexoj në medja midis të cilave edhe në gazetën “ Intervista e Emigrantit “. Ato që shkruhen sot e që pasqyrojnë psikologjinë e “ Mërgatës së Qyqeve” i kam jetuar 6 – 7 vjet të shkuara. Janë po ato njerëz, me emër e mbiemër, kryetarë të shoqatave që u pollën si bija, mbesa apo stërmesa të tubimeve të para të emigrantëve shqiptarë në Greqi.
Në vlerësim për ta do të doja që ta mbyllja këtë bisedë me një mesele dibrane:
Tregojnë se në një fshat të Dibrës së Poshtme u mbyt në Drin një burrë. Burri në vend që të bënte njëqind metra rrugë për të kaluar Drinin në një urë të varur, i ra rrugës shkurt. Tek po kalonte vaun qëlloi që Drini të mbushte brigjet e ai të humbëte midis dallgëve të rrëmbyera…
U dha lajmi dhe ia behu i gjithë fshati. Filluan të kërkonin në hurdha e shkurre teposhtës së Drinit. E lajmëruar paksa vonë ia behu edhe e shoqja. Ajo i pa me vemendje veprimet e bashkfshatarëve të vet dhe u thirri.
“Ndaluni bre burra ! Ku e kërkoni burrin tim ? Ai nuk ka pas kokë se po të kishte kokë kalonte në urë e nuk futej në Drin e ti linte fëmijët jetimë. Mos e kërkoni teposhtë se me sa ia di kokën unë ai edhe pasi është mbyt nuk ia ka mbajtur teposhtë por tërma Drinit”…
Unë, me sa ua di kokën disa drejtuesëve të shoqatave të emigrantëve në Greqi them se ata“I bien shkurt lumit, nuk kalojnë nga ura” prandaj bashkimin duhet me e “Kërkue terma e jo teposhtë Drinit”.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …