Adil Fetahu: Gjykata Kushtetuese dhe Pop Sava. A do t’i zbatojë Gjykata ligjet e Serbisë?

Kolonizimi i Kosovës (1912 – 1941)

 

Sipas demografit të njohur serb, Jovan Cvijiq, në vitin 1910, nga numri i përgjithshëm i popullsisë së Kosovës, serbë ishin vetëm 5%, ndërsa malazezë nuk kishte fare (“Balkansko poluostrvo”, Bgd,1966, fq.469). Me rënien e Perandorisë Osmane, Kosova u okupua nga ushtria serbe dhe ajo malazeze, dhe u aneksua. Krahas krimeve të luftës që kishin bërë ato ushtri, regjimi i ri vazhdoi presionin, terrorin e zullumin, për ta detyruar popullsinë autoktone shqiptare të shpërngulej. Një nga format e presionit dhe zullumit, ishte marrja e tokave dhe pasurive tjera të shqiptarëve, dhe ndarja e tyre serbëve e malazezëve. Kjo kishte për qëllim që përmes ndërrimit të strukturës pronësore të pasurisë së paluajtshme, ta ndërronte strukturën kombëtare, në dëm të shqiptarëve e në favor të sllavëve. Qeveria e Serbisë qysh më 20 shkurt 1914 kishte miratua Ligjin për kolonizimin e viseve të aneksuara. Sipas atij ligji, ministri i ekonomisë popullore, bashkë me persona nga xhandarmeria dhe ushtria, caktonin tokat në të cilat do të vendoseshin kolonët. Fillimisht kolonët vendoseshin në tokat e braktisura nga vendasit, të cilët kishin ikur jashtë Kosove, në Shqipëri e në Turqi, ose kishin dalë në mal (kaçakë), për shkak të terrorit që bënte pushteti i ri. Në rrethin e Pejës e të Gjakovës u vendosën më tepër malazezë, sepse ato rrethe i kishte pushtuar ushtria malazeze. Ai proces i filluar i kolonizimit të Kosovës u ndërpre për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe pushtimit të Kosovës nga Austrohungaria, në periudhën 1915-1918. Mirëpo, përfundimi i Luftës së Parë Botërore rezultoi me formimin e të ashtuquajturës Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (1 dhjetor 1918), ndërsa Kosovën e kishte ripushtuar ushtria serbe.. Regjimi i ri qysh në vitin 1919 miratoi Dispozitat Paraprake, e më pas ligjet për të vazhduar dhe intensifikuar reformën agrare dhe kolonizimin.

Për reformën agrare dhe kolonizimin në Kosovë, të dhënat më të plota dhe të sistematizuara mirë përmban libri i historianit serb, nga Kosova, Dr Millorad Obradoviq: “Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu 1918-1941 (Reforma agrare dhe kolonizimi në Kosovë, 1918-1941). Në atë periudhë, me pretekste e në mënyra të ndryshme, shteti ua kishte marre tokat që kishin qenë pronë e shqiptarëve ose mera (toka pa pronësi të askujt, por të shfrytëzuara nga të gjithë), kishte krijuar një fond të madh tokash prej 202.649,11 ha, për t’ua ndarë kolonistëve serbë e malazezë, me qëllim të thyerjes së kombktësisë kombëtare shqiptare dhe ndërrimit të strukturës etnike në dëm të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, kishin ardhur në Kosovë 11.722 familje, me mbi 53.884 anëtarë, të cilëve u ishin dhënë 192.212,94 ha toke e punueshme dhe pyje. Pos këtyre familjeve që kishin ardhur  kolonistë në regji të shtetit, gjatë asaj periudhe kishin ardhur edhe 5300 familje autokoloniste, të cilët kishin blerë toka me çmim shumë të lirë. Se si ishte gjendja asokohe me tokat në Kosovë, ilustron shembulli i kryetarit të Qeverisë së Serbisë, Nikolla Pashiqi, i cili “kishte blerë” 3000 ha tokë në Gazimestan, afër Prishtinës, ndërsa Punisha Raçiq, atentatori mbi deputetët kroatë në Kuvendin e Mbretërisë SKS, kishte “fitua” 3500 ha pyje në malet e Deçanit, dhe 50 ha tokë pjellore në fushën e Shkupit!

Në vitin 1927 Manastirit të Deçanit shteti serb i kishte dhënë pronat e 50 familjeve shqiptare të fshatit Isniq, ndërsa Manastirit të Deviqit i kishte dhënë pronat e 20 familjeve të fshatit Llaushë. Në vitin 1932, këtyre manastireve iu kishte dhënë edhe 580 ha toka të marrura familjeve shqiptare. Kjo ishte mënyra se si kishat dhe manastiret ortodokse fituan dhe një kohë të gjatë i shfrytëzuan prona marramendëse në Kosovë, duke i privuar shqiptarët nga pronat e tyre.Vet historiani serb (dr Millovan Obradoviqi), në konkluzionet në librin e tij thekson: “Përmes organeve të agrarit, xhandarmerisë, pushteteve komunale e të rretheve, Qeveria ka zbatuar politikën e saj shoviniste kundër Shqiptarëve, duke i konsideruar të pabesueshëm dhe të rrezikshëm për sigurinë e shtetit dhe të paqes, duke iu bërë padrejtësi në të gjitha fushat e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike…” (fq.231).

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore pushteti vazhdoi me reformën agrare dhe kolonizimin në Kosovë e në Vojvodinë, me masa dhe instrumente tjera, por qëllimi ishte i njëjtë: presioni dhe represioni ndaj Shqiptarëve (në Kosovë), dhe ndaj Gjermanëve (në Vojvodinë). Me Ligjin për reformën agrare dhe kolonizimin (23 gusht 1945, e tjera më vonë), si instrumente juridike për marrjen e pronave ishin caktuar: nacionalizimi, konfiskimi, sekuestrimi dhe eksproprijimi. Nacionalizimi i tokave bëhej në bazë të parimit të maksimumit, të paraparë me ligj. Konfiskimi dhe sekuestrimi ishin masa ndëshkuese për ata që shteti i trajtonte si armiq të popullit dhe bashkëpunëtorë të okupatorit, e të tillë i konsideronte shqiptarët, të cilëve krahas dënimit penal, me pushkatim ose burgim, ua konfiskonte ose sekuestronte pasurinë e  paluajtshme e të luajtshme. Nacionalizimin e tokave e bëri në bazë të parimit të maksimumit, për kategoritë e familjeve dhe subjekteve tjera të caktuara me ligj. Për kishat dhe manastiret e zakonshme, lejohej të dispononin deri 10 ha tokë, ndërsa për manastiret e rëndësisë së veçantë, u lejohej deri 30 ha tokë të punueshme dhe 30 ha pyje. Pjesa tjetër u merrej dhe kalonte në fondin e tokave-pyejeve në pronësi të shtetit, që më vonë, me akte kushtetuese e ligjore mori karakterin dhe statusin juridik të pronës shoqërore. Nga fondi i krijuar i tokave, u jepej qytetarëve të patokë, kryesisht serbë e malazezë, por edhe subjekteve tjera: kooperativave, ekonomive dhe kombinateve bujqësore. Sipas të dhënave të Kishës Ortodokse Serbe, në bazë të Ligjit për reformën agrare dhe kolonizimin (të vitit 1945), në bazë të maksimumit në vitin 1946 Patrikanës së Pejës i ishin marrë 223 ha tokë dhe 570 ha pyje, kurse Manastirit të Deçanit prej 208 hektarë tokë të punueshme dhe 600 hektarë pyje, reforma agrare ia kishte lënë 30 ha tokë dhe poaq pyje. Ankesën që kishin bërë kundër marrjes së pronave, e kishte refuzuar Gjyqi Agrar për KeM, në Prizren (12 mars 1947).

 

 

Kolonizimi në periudhën 1990-1999

 

Në kohën më të re, në Kosovë kolonizimi mori hov në periudhën e suprimimit të dhunshëm të autonomisë dhe masat e dhunshme që ndërmori pushteti okupues i Serbisë në të gjitha fushat e jetës dhe segmentet e ekonomisë, veprimtaritë shoqërore dhe organet e pushtetit të nivelit qendror dhe lokal. Brezat e moshës së vjetër dhe asaj të mesme, i mbajnë mend masat, presionin dhe represionin e egër. Okupatori miratoi plane, programe e ligje të përgjithshme e të veçanta, në funksion të kolonizimit të Kosovës me serbë e malazezë, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Bosnja, Kroacia e madje edhe nga Shqipëria dhe Rumania, duke u ndërtuar shtëpi banimi në vendbanime të ndryshme dhe ndarë tokë të punueshme nga tokat e pronës shoqërore, duke u dhënë mjete pune dhe kredi të volitshme, për t’i joshur të vijnë të jetojnë këtu. Një ndër aktet kryesore për kolonizim në periudhën 1990-1999, është i ashtuquajturi: Programi për realizimin e paqes, lirisë, barazisë, demokracisë dhe prosperitetit të KSA të Kosovës” (“Slluzhbeni gllasnik Socijalisticke Republike Srbije”, nr.15, dt. 30 mars 1990), të cilin, për shkak të hapësirës së kufizuar të gazetës, nuk do ta elaborojmë këtu. Pas atij Programi, është vazhduar me ligje të veçanta, vendime e veprime konkrete, në funksion të kolonizimit. Sipas Ligjit për kushtet, mënyrën dhe procedurën e ndarjes së tokës bujqësore qytetarëve të cilët dëshirojnë të jetojnë e punojnë në territorin e Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë (“Slluzhbeni gllasnik RS”, nr.43/1991), qytetarëve (serbë ose malazezë) të cilët donin të vinin në Kosovë, u jepeshin toka bujqësore nga fondi i tokave të pronës shoqërore, nga 5 ha tokë për në familje, të cilën nuk mund ta shitnin as tjetërsonin në mënyrë tjetër 30 vjet pas marrjes. Kjo bëhej me qëllim të ngulitjes afatgjatë të elementit sllav në Kosovë. U jepej kredi me kushte çuditërisht të volitshme dhe liroheshin nga tatimi për kohë të caktuar. Efekte të kolonizimit të Kosovës kishte edhe Ligji mbi transformimin e pronës shoqërore të tokës bujqësore në forma tjera të pronësisë (“Sll.gllasnik RS”,nr.49/1992).

 

Rasti i Manastirit të Deçanit, respektivisht i pop Savës

 

Pushteti okupues i Serbisë, respektivisht Qeveria e Serbisë, duke manipuluar me tokat e pronës shoqërore, në vitin 1997 ia kishte “falur” Manastirit të Deçanit 25,5 ha tokë të cilën deri atëherë e kishin në shfrytëzim ndërmarrjet shoqërore “Iliria” dhe “Apiko”. Në vitin 2000, ndërmarrjet e përmendura kanë ngritur kërkesë-padi në Gjykatën Komunale të Deçanit, kundër Manastirit dhe Republikës së Serbisë, për anulimin e aktit (kontratë, marrëveshje…) për “dhurimin” e tokës së përmendur nga Qeveria e Serbisë. Gjykata e faktit kishte ndërmarrë veprime procedurale, por para se të merrte vendimin, i ashtuquajturi Agjensioni Kosovar i Mirëbesimi, nën administrimin e UNMIK-ut, kërkoi që rasti t’i merret Gjykatës Komunale, t’i cedohet Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për të vendosur meritorisht, me arsyetim se ajo Dhomë ka kompetencë ekskluzive për pronën shoqërore. Dhoma e Posaçme, si gjykatë e shkallës së parë, i ka refuzuar si të pabaza kërkesë-paditë e ndërmarrjeve të përmendura. Duke vendosur sipas ankesës AKP-së e të ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko”, së cilës i është bashkuar edhe Komuna e Deçanit, Kolegji i Ankesave i Dhomës së Posaçme, si organ i shkallës së dytë, ka miratua ankesat si të bazuara, i ka anuluar vendimet e shkallës së parë, me arsyetim se Dhoma e Posaçme nuk ishte kompetente të gjykojë në këtë kontest, prandaj lënda duhet t’i kthehet për gjykim  Gjykatës Themelore të Pejës – Dega në Deçan. Kundër vendimit të Kolegjit të Ankesave, Manastiri i Deçanit (pop Sava me krerët e Republikës së Serbisë!), ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës të pezullojë çdo procedurë lidhur me këtë rast, deri në marrjen e një vendim përfundimtar, për shkak se, gjoja, po pësuaka Manastiri dëm të pakompensueshëm. Duke e vlerësuar si të bazuar kërkesën e pop Savës, Gjykata e ka caktuar Masën e Përkohshme, deri më 29 shkurt 2016, me arsyetimin se mund të paraqiten pasoja të pariparueshme për palën (pop Saven,a.f.). Ajo Gjykatë “ka vërejtur se faktet e këtij rasti zbulojnë një sërë procedurash ligjore e gjyqësore që shtrihen në një periudhë prej më shumë se 15 vjetësh, e që paraqesin kompleksitet të konsiderueshëm për vlerësimin dhe interpretimin e ligjeve nga ana e autoriteteve publike dhe gjyqësore”.

* * *

Për sqarimin e këtij “kompleksiteti”, unë e bërë këtë shkrim, për të parë tërë rrugën e kompleksitetit dhe të “fitimit” të pronës së Manastirit, në bazë të ligjeve dhe vendimeve diskriminuese të të gjitha regjimeve serbe në njëqind vjetët e fundit, të cilat ua kanë marrë tokat familjeve bujqësore të shqiptarëve, dhe ia kanë “dhuruar” Manastirit, gjithë ato toka e pyje, që s’i kishte asnjë kombinat bujqësor e pyjor në Kosovë. Dhe faza e fundit, vendimi (marrëveshja apo kontrata e Qeverisë së Serbisë), i vitit 1997, për t’ia dhuruar Manastirit tokën e pronës shoqërore, ishte një vendim arbitrar, i bazuar në ligjet diskriminuese të okupatorit të egër. Po ia përkujtoj Gjykatës Kushtetuese, se sipas Rregullores së Përfaqësuesit Special të KB/UNMIK-, nr.1999/24, respektivisht nr.2001/59, ligjet e Serbisë të miratuara pas 22 marsit 1989, nuk janë të aplikueshme në Kosovë, as për procesin e privatizimit as për kurrëfar reforme apo transferimi të pronës mbi tokën bujqësore, apo në ndonjë procedurë tjetër. Prandaj, asnjë akt i bazuar në ato ligje, qoftë vendim, kontratë, marrëveshje apo me emër tjetër, nuk është i vlefshëm as nuk mund të prodhojë efekt juridik të vlefshëm/ Është rregull e vjetër, prej të Drejtës romake (Katoni), se “ç’është lindur gungavtë, koha nuk e drejton”. Gjykata duhet të udhëhiqet nga drejtësia valide, e jo nga politika e ditës. Nëse i hyjmë të zbulojmë kompleksitetin e këtij rasti, atëherë do duhej kthyer shumë prapa, për t’ua kthyer pronarëve tokat të cilat regjimet serbe gjatë kohës ua kanë marrë fshatarëve dhe ia kanë dhënë Manastirit të Deçanit, apo cilitdo tjetër.

Po të funksiononte Kosova si shtet i konsoliduar, do duhej të regjistrojë të gjitha pronat, ta zbatojë një reformë agrare dhe t’ua merr tokat të gjitha kishave, manastireve e vakëfeve, të mos u jep asgjë jashtë oborrit, sepse ato nuk janë  kooperativa, ekonomi a kombinate bujqësore, për të zhvilluar ekonomi, por janë “institucione shpirtërore, për t’ua prishur shpirtin qytetarëve”! Mjaft kanë jetuar ata si parazit e janë pasuruar në kurriz të popullit të varfër. Poashtu, do duhej t’iu merren tokat e pasuri tjera të gjithë atyre matrapazëve, të cilët me çmime “ma lirë se badihava”, me para të pista apo në mënyrë tjetër kriminale, në procesin e korruptuar të privatizimit kanë “blerë” nga disa qindra hektarë toke, edhepse nuk merren me bujqësi, kanë blerë për “bagatellë” objekte të vlerës disa dhjetra apo qindra miliona euro! Këtyre padrejtësive duhet t’iu vjen fundi njëherë e mirë.

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …