Adil Fetahu: NARRATIV REAL PËR POLITIKËN  GJENOCIDALE SERBE KUNDËR SHQIPTARËVE

Adil Fetahu: NARRATIV REAL PËR POLITIKËN  GJENOCIDALE SERBE KUNDËR SHQIPTARËVE

(Rade Radovanoviq: QESHJA NËN TREKËMBËSHIN E VARJES, roman historik, botoi “Koha”, Prishtinë, 2021)

Autori i romanit, Rade Radovanoviq, është  gazetar e kolumnist i cili ka punuar për disa media të vendit e të hueja, është njëri nga themeluesit e gazetës së pavarur “Danas”. Është edhe dramaturg e skenarist. Mbi të gjitha, është njeri, antifashist dhe antiracist.  Në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe, ka qenë korrespodent i luftës dhe shef i  studios Radio Evropa e Lirë në Beograd. Për punën e tij, në raportimet objektive gjatë kohës së bombardimeve, është shpërblyer nga drejtori i përgjithshëm i REL. Pas asaj lufte, të cilën autori me sarkazëm e quan “Lufta  e parë serbo-botërore”, Radovanoviqi ka shkruar romanin “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”, me tematikë për ngjarjet më dramatike dhe më të tmerrshme të krimeve serbe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.   Pjesa dërmuese e romanit i kushtohet tmerreve që kanë përjetuar e pësuar shqiptarët nga forcat serbe para dhe gjatë kohës së bombardimeve, por edhe shkatërrimeve,  pasojave  dhe viktimave në Serbi.  Romanin e ka përkthyer në gjuhën shqipe Flaka Surroi, drejtoreshë dhe kryeredaktore gazetës “Koha”, Prishtinë.

Titulli i romanit “Qeshja nën trekëmbëshin e varjes”,  është metaforë për gjendjen psikologjike, kur njeriu  qeshë pavend, edhe kur është në gjendje të pashpresë, sikur në rast kur është vu në trekëndëshin e varjes. Kështu edhe udhëheqësit në Serbi qeshnin derisa NATO bombardonte e shkaterronte infrastrukturën e tyre. Në nëntitull  ka shtuar: “krejt çfarë  kishit dashur të mos e dini për luftën në Kosovë”. Me këtë  nëntitull  ka aluduar në tri kategori të njerëzve në Serbi: ata të cilët i dijnë krimet serbe kundër shqiptarëve por që nuk duan t’ja dijnë;  ata që nuk i dijnë ato, dhe ata të cilët nuk kishin dashur t’i dijnë.

Romani është i strukturuar në 50 ese, në të cilat shtjellohen ngjarje e tema të ndryshme të  periudhës dyvjeçare (1998 e 1999). Shumica prej tyre kanë të bëjnë me krimet e forcave serbe të kryera kundër civilëve shqiptarë, gjatë vitit 1998 dhe gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s (24 mars – 9 qershor 1999). Gjithashtu ka trajtuar aspekte të ndryshme   politike e të sigurisë dhe shkatërrime, viktima në njerëz e dëme të cilat NATO i ka shkaktuar në Serbi. Prej krimeve serbe të kryera kundër civilëve shqiptarë, autori i përmendë dhe jep hollësi për vrasjen e civilëve në Gllogovc, Qirez e Likoshan; luftën treditore dhe vrasjen e 55 pjesëtarëve  të Familjes Jashari; betejën e Rahovecit, në të cilën u vranë 95 shqiptarë dhe u zhdukën 42 serbë, trupat e të cilëve më vonë janë gjetur në varreza masive në Malishevë, Volljakë dhe Kleçkë; atentatin në Kafenënë “Magic” në Prishtinë, ku u vra studendja Adriana Abdullahu dhe u plagos profesori Enver Petrovci; krimi në kafenenë “Panda” në Pejë; krimet në qytetin dhe në fshatrat e Gjakovës, veçmas krimet e vrasjes masive në Meje; krimet e tmerrshme në Picerinë “Kalabria” në Suharekë; krimet dhe kurdisjen e kolonës me refugjatë në Korishë që u goditën edhe nga bombat e NATO-s; masakrën e Raçakut, etj.Për të gjitha këto masakra dhe krime tjera, autori jep hollësi me shifra e fakte, me emra e mbiemra (shifrat për to i ka marrë nga Fondi për të Drejtën Humanitare), ndersa faktet nga burime të ndryshme, për të cilat ka raportuar në emisionet e Radios Evropa e Lirë, si reporter i luftës. Këto krime, si dhe zhdukja e gjurmëve të tyre, ishin  strategji dhe të planifikuara që nga kreu i shtetit, nga “Udhëheqësi”, siç e quan S.Millosheviqin, nga Shtabi i Përgjithshëm dhe në nivele tjera, për eliminimin e shqiptarëve dhe pastrimin etnik të Kosovës. Sistemi i pastrimit etnik të Kosovës ishte i përpunuar dhe zbatohej me përpikmëri: granatoheshin fshatrat, hynin policia, ushtria e paramilitarë të ngjyrave të ndryshme, vrisnin e nxirrnin njerëzit prej shtëpive, plaçkitnin gjithçka që mund të merrej e bartej: para, vetura, traktorë, motokultivatorë, makina, mobilje, e pastaj i sperkatnin me benzinë dhe u jepnin flakën shtëpive, ndonjëherë edhe me njerëzit brenda. Policë e paramilitarë, në mesin e të cilëve kishte edhe shumë kriminelë nga luftërat e Bosnjes e të Kroacisë, me gëzim vinin në Kosovë, për të vrarë e plaçkitur. Plaçkën e ndanin edhe me komandantët e tyre. Për hollësitë e disa nga veprimet kriminale të forcave serbe në fshatrat e Gjakovës, autorin si reporter i luftës, e kishin informuar edhe policët e dezertuar Zhelko Staniq e Bojan Zllatkoviq, nga njësia 32 e Policisë Speciale. Ai thotë se Kosova në vitin 1998 ishte Eldorado për  plackitësit. (fq.49). Një ish-polic tjetër, Sllobodan Stojanoviq  i njësisë 37 të Policisë Speciale, tregon në hollësi ngjarjen e tmerrshme. Në fshatin Lez, të Hoçës së Prizrenit, gjyshi mbante në prehër një djalosh të vogël, tre-katër vjeç. I afrohet polici i quajtur me nofkën Rambo, dhe e pyet:

  • Nip e ke?
  • Po, nip, thotë plaku.
  • Gjyshi e ruan nipin, e babai në mal, a po?
  • Jo, babai punon në Gjermani.
  • Eh mirë pra. Mbasi punon në Gjermani, çon pare, a po; ia kthen tytën e automatikut fëmiut. Sa pare i ke?
  • Të jap krejt sa kam, thotë plaku.
  • Jo krejt, por aq sa vlen nipi, dhe ia cakton “vlerën” 5000 marka. Shkon plaku në shtëpi, i merr sa ka të holla, kthehet ia jep policit. 
  • Këtu janë 3000, edhe 2000 marka, që të mos ta vras nipin.
  • Të gjitha që kisha t’i dhash, flet plaku duke qarë.
  • Rambo shtiu me plumb në kokën e fëmiut. Asnjë zë s’iu dëgjua fëmiut! (fq.66).

“Ka mbi një dekadë që zgjatë thuajse pa ndërperje tmerri shtetëror serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Nuk është asnjë lajm i ri, terror ka pasur edhe më heret, nga koha e luftërave ballkanike, kur ushtria serbe kishte kryer masakra të tmerrshme ndaj popullatës shqiptare. Ka pasur edhe pas Luftës së Parë Botërore, kur historianët dhe akademikët serbë, hartonin plane për spastrimin etnik, torturën dhe dëbimin e shqiptarëve të Kosovës në hapësirën e Anadollit”,  thotë atori.(fq.30). Që pastrimi etnik i Kosovës ishte strategji e planifikuar e regjimit, e vërteton edhe biseda e kolonelit Millan Kotur, me kolonelin britanik Richard  Chonglinski, oficer i ndërlidhjes i Misionit të Verifikuesve në Kosovë. Në atë bisedë, koloneli serb, duke i shpalosur hartat e aksioneve që do të ndërmarrin forcat serbe në luftimin e UÇK-së dhe deportimin e popullsisë, ia shpjegon kolegut britanik  arsyet dhe fazat e aksionit të pastrimit etnik të Kosovës: 

-Kur të mbarojë puna me eliminimin e plotë të UÇK-së, do t’i largojmë të gjithë shqiptarët nga Kosova. Kështu Serbia i bënë shërbim (edhe) Perëndimit dhe NATO-s.

– Çfarë shërbimi?

–  Shërbim të madh të serbëve në mbrojtjën e civilizimit perëndimor, se nëse tash nuk e zgjidhim problemin me UÇK-në dhe shqiptarët, ju duhet ta bëni në të ardhmën (fq.192).

Qosiqi pranon se kishte gjenocid

Në kohën kur faktori ndërkombëtar kërkonte  nga kreu i shtetit ndaljën e krimeve dhe torturave kundër shqiptarëve dhe kërcënohej me intervenimin e NATO-s,  nënkryetari i Qeverisë, Shesheli  në mbledhje të Parlamentit të Serbisë kërcënohej kundër shqiptarëve: “Nëse ndodhë bombardimi i NATO-s, nëse ndodhë agresioni amerikan, ne serbët do të pësojmë mjaft, por më nuk do të ketë shqiptarë në Kosovë. Do t’i ndjekim përtej Bjeshkëve të Nemuna, prej nga edhe kanë ardhur. E pra ju tash zotërinj, urdhëroni e na sulmoni, kurse deri atëherë…”(fq.76). 

Pas krimit të kryer, të vrasjes masive në Meje, aksion që u zhvilluar nën komandën e gjeneralit Vlladimir Llazareviq, Udhëheqësi (S.Millosheviq,v.j.)  më 27 prill, e kishte dekoruar Llazareviqin me Medaljen e Flamurit të Luftës, me motivacion: “për rezultatet e realizuara në mbrojtjen e shtetit” (fq.369-370). Për hollësitë e krimit të kryer në  Gjakovë dhe në fshatrat përrreth, ka  folur polici ushtarak, dëshmitari i mbrojtur në Tribunalin e Hagës. Kanë folur edhe policë tjerë të dezertuar: Zhelko Staniq (fqi i autorit) dhe Dejan Zllatkoviq. Ata kanë  treguar se në operacionin ”Reka,” më 27 e 28 prill, në rrethin e Gjakovës ishin vrarë mbi 350 civilë. Duke i mbledhë informatat pas aksionit të kryer, komandanti Llazareviq i kishte raportuar gjeneralit Pavkoviq, që ishte komandant i Armatës së Tretë (në Kosovë), se gjatë operacionit “janë eliminuar mbi 350 “terroristë” dhe se më shumë se 4000 shqiptarë janë dëbuar për në Shqipëri. I gjithë operacioni u krye me djegëjen e pothuajse të gjitha shtëpive në fshatrat ku është krye operacioni”. Këtë informatë Pavkoviqi ia ka përcjellë kryeshefit të Shtabit të Përgjithshëm, Dragolub Ojdaniqit, ndërsa ky i fundi, sipas linjës komanduese, i ka referuar komandantit suprem (S.Millosheviqit,v.j.).

Pasi ishte informuar prej disa serbëve nga Kosova për këtë dhe krimet tjera  që ushtria dhe policia serbe kishin kryer kundër shqiptarëve, “Babai i kombit serb”, akademiku Dobrica Qosiq, kishte shkruar në ditarin e tij: “Nëse  vërtetë kjo është bërë me urdhër të komandës  dhe të komandantit suprem, atëherë ata duhen gjykuar në Beograd për krime lufte dhe gjenocid ndaj popullit shqiptar. A me pastrim etnik të Kosovës e Metohisë do ta përfundojmë luftën tonë për mbrojtjën e tokës së shejtë serbe? Ky është turp kombëtar, ky krim kolektiv i ushtrisë serbe e zhdukë etosin e popullit serb dhe e rreshton atë mes të tillëve çfarë janë popujt gjermanë, amerikanë, kroatë, myslimanë, aziatikë…Si do ta vazhdojmë ekzistencën historike me këtë faj kolektiv” (fq.374).

NATO paraprakisht informonte për caqet dhe kohën e bombardimit !

Nuk ka dyshim se nga selia e NATO-s, para se të  zhvillonin  aksionet e bombardimit, udhëheqësve të caktaur iu vinin informatat për caqet dhe kohën e bombardimit. Kjo bëhej me qëllim që t’iu shmangën vrasjes së civilëve, punëtorëve në objektet, fabrikat dhe institucionet. Kështu, nga bombardimi i Ndërtesës së KQ të LKJ-së, të Fabrikës së armëve në Kragujevc, dhe të disa objekteve tjera, ishin evakuar punëtorët dhe nuk ka pasur viktima në njerëz.  Këtë fakt ia vërtetoi autorit vet ministri i atëhershëm i informatave, radikali  Aleksandar Vuçiq, kryetari i tashëm i Serbisë. Vuçiqi ishte afrua shumë me autorin pas vrasjes së gazetarit e redaktorit Quruvie, me qëllim që në REL ta plasojë “të vërtetën” e tij, se Quruvien e ka vrarë mafia malazeze. Por, afrimin më të madh e pati pas bombardimit të ndërtesës së RTS, ku u vranë 16 e u plagosën disa gazetarë, redaktorë e punëtorë tjerë. Të nesërmën e bombardimit, ministri takohet me reporterin e REL, dhe shumë i mllefosur i tregon se për bombardimin kanë qenë të informuar drejtori i përgjithshëm, Millanoviq, redaktori Komrakov  dhe dy-tre persona tjerë udhëheqës, të cilët i kanë hequr prej ndërrimit njerëzit e vet, ndërsa këtë nuk e kanë informuar që ta evakuojë nënën e tij, Angjellina, që ishe redaktore e lajmeve në RTS. Qëllimi ka qenë që të vritën sa më shumë njerëz, për ta shfrytëzuar rastin për propagandë në mediat ndërkombëtare kundër NATO-s. Kur autori e ka pyetur ministrin Vuçiq, a të raportojë në REL për këtë, i ka thënë: “Kjo do të ishte e fundit e që do të thoshe diçka”.  

Me Vuçiqin që ishte ministër për informata, autori që ishte reporter i luftës dhe shef i përfaqësisë së Radios Europa e Lirë, në Beograd, ka pasur shumë takime, sidomos gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s. Për karakterin e Vuçiqit, autori thotë se ishte dhe mbeti një radikal perverz, pa  karakter, lavdëraç, cinik, frigacak, i pabesë.  Gjatë luftës në Bosnje, Vuçiqi publikisht ka deklaruar se për një serb të vrarë, do t’i vrasim 100 myslimanë! Si ministër për informata, ishte një censor që dënonte dhe mbyllte gazetat e pavarura (merr shembëll gazetën “Danas”). Pas rënies së regjimit të Millosheviqit, Vuçiqi organizoi aksione për përkrahjen dhe mbrojtjen e kriminelvëe të luftës, pastaj e braktisi Partinë Radikale Serbe (të Sheshelit), por mbeti një radikal filiz, formoi partinë tjetër dhe arriti në postin e kryeministrit e të kryetarit të Serbisë!.

** *

Në romanin “Qeshja nën trekëndëshin e varjes”, do të gjeni shumë emra personazhes reale, të njohura e të pa njohura, negative e pozitive. Si roman historik paraqet një pasqyrë reale të tmerrit që kanë përjetuar shqiptarët gjatë luftës në vitin 1998 dhe gjatë bombardimeve të NATO-s (1999).  Temat e trajtuara kanë mbështetje jo vetëm në aspektet individuale, por edhe të spektrit të formacioneve shetërore, politike, ushtarake, policore, që e bëjnë librin të besueshëm si literaturë historiografike. Është botuar pothuajse në të njëjtën kohë në Beograd, në Zagreb dhe në Prishtinë.

Libri  ka karakter edhe si roman autobiografik, sepse në qendër të ngjarjeve është vet autori, Rade Radovanoviq (Radomir Radoviq), si reporter i luftës, korespodent  i shumë mediave të brendshme e të jashtme dhe shef i përfaqësisë së Radios Europa e Lirë në Beograd, e të cilin regjimi dhe segmentet tjera shoqërore të Serbisë e konsideronin si spiun i Amerikës dhe i NATO-s. Edhe vet titulli i romanit në njëfar mënyre ka të bëjë me situatën në të cilën vepronte  autori.

I koncipuar në mënyrë dramatike, gjatë leximit të romanit të krijoht përshtypja se je duke parë filmin apo dramën e ngjarjeve të përshkruara. Ka zëra që thonë se romani do të ishte si lektyrë historike për shkollat e mesme. Por, sa të jetë ky regjim dhe ky sundimtar (Aleksandar Vuçiqi, v.j.), nuk do të dihet as për viktimat e veta, e lere më të “armikut”, thotë autori. 

Mjerisht, mentaliteti dhe qëndrimi i njëjtë është edhe sot në elitat politike, shtetërore, kishtare e kulturore të Serbisë dhe të shumicës së serbëve kudo që jetojnë, gjë që paraqet rrezik për paqen në “Ballkanin e hapur” të Vuçiqit, Ramës e Zaevit!

Kontrolloni gjithashtu

Qendra Shqiptare për Studime Amerikane e Britanike, përuroi librin "Ambasadorët amerikanë për shqiptarët", të autorit, Ramiz Lushaj

Qendra Shqiptare për Studime Amerikane e Britanike, përuroi librin “Ambasadorët amerikanë për shqiptarët”, të autorit, Ramiz Lushaj

Në hapësirat e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë, është promovuar libri AMBASADORËT AMERIKAN …