leoni

Afrim Bahtir Isufi (3.3.1972 - 30.4.1999)

Afrim Bahtir Isufi (3.3.1972 – 30.4.1999)

Afrim Bahtir Isufi u lind më tre mars të vitit 1972 në fshatin Shtuticë të komunës së Drenasit nga prindërit: nëna Shefkije Istogu – Isufi, dhe babai Bahtir Isufi.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje deri ne klasën e V-të, ndërsa klasat e tjera i vazhdoi në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Terstenik. Shkollën e mesme e kreu në Gjimnazin “Skënderbeu” në Drenas.
Duke qenë fëmijë i një prindi mësimdhënës, të cilët gjatë viteve të 90-ta punonin në baza vullnetare pa pagesë, kushtet ekonomike familjare të rënduara, nuk iu dha mundësia që t’i vazhdojë edhe studimet e larta në Universitetin e Prishtinës.
Afrimi – dëshmori dhe nderi i kombit u rrit në një familje me kushte mesatare ekonomike por të brumosura me ndjenja patriotike dhe atdhetare. Këto ndjenja ishin të frymëzuara nga historia e dy gjyshërve të tij Halit Brahim Ademi dhe Latif Istogu, që të dytë ishin bashkëluftëtarë të Shaban Polluzhës dhe që të dytë kishin dhënë jetën për liri në Luftën e Dytë Botërore kundër forcave pushtuese serbe.
Vazhdimësia atdhedashëse tek Afrimi u kultivua edhe nga prindi i tij, Bahtiri, i cili ishte një mësimdhënës i shembullor që edukoi shumë breza më radhë në frymën patriotike dhe edukative.
Vitet e 90-ta, filluan të jenë shumë të rënda për popullin shqiptar. Filloi dhuna, represioni dhe diskriminimi i shqiptarëve nga okupatori serbo-sllav. Sigurisht që kjo reprezalje ndaj popullatës shqiptare qojë në kundër-përgjigje të saj me protesta dhe demonstrata. Edhe Afrimi si i ri që ishte nuk mund të ishte indiferent ndaj këtyre ngjarjeve. Ai ju bashkua të gjitha protestave, tubimeve dhe demonstratave të asaj kohe që organizoheshin. Kjo nuk ishte veprimtaria e vetme e asaj kohe. Në mes viteve 1994-1995 Afrimi me iniciativën e babait të tij Bahtirit dhe djalit të axhës Ismajlit, e po ashtu edhe me disa bashkëfshatare të tjerë formuan degën e partisë së Ballit Kombëtar (PNDSH-së) në fshatin Shtuticë, ku organizoheshin veprimtari të ndryshme siç ishin edhe ushtrimet e fshehta ushtarake që t’i kundërviheshin dhunës së pushtuesit.
Dalja në skenë e UÇK-së, masakra e Likoshanit, lufta heroike e familjes së Adem Jasharit e forcuan edhe më shumë bindjen e Afrimit se rruga e vetme për çlirimin e vendit njëherë e përgjithmon ishte rruga e kapjes së armës. Kontaktet e para me pjesëtaret e UÇK-së, ishin me bashkëfshataret e tij që ishin kyçur më herët në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe me tezakun e tij Muhamet Mala, që ishte pjesëtar i UÇK-së.
Pas kontakteve të para me luftëtaret e lirisë së bashku me djalin e axhës dhe shokun e jetës Ismajl Berisha vendosen që t’i bashkohen radhëve të UÇK-së. Betimin e dhanë në mars të vitit 1998 në fshatin Terstenik, në Brigadën 114 me komandantin Fehmi Lladrovci në togën e tretë. Bashkëluftëtarët e kësaj Brigade i priten krahë hapur dhe me shumë dëshirë ardhjen e Afrimit dhe Ismajlit në radhët e tyre.
Pika e parë dhe kryesorja që ishte vendosur ishte në fshatin e lindjes, në Shtuticë, por kishte raste të shpeshta kur ata vepronin edhe në fshatrat për rreth varësisht prej situatave dhe nevojave që paraqiteshin. Dihet rasti kur së bashku me Ismajlin por edhe me luftëtarë të tjerë ishin vendosur në pikën tek Kooperativa bujqësore në Terstenik, apo edhe në fshatrat tjerë si Vërboc, Polluzhë, Baks, Qirez, Polac etj.
Armatimi dhe furnizimi i tij me armë është realizuar nga luftëtarët e tjerë të rrethinës ku ka vepruar.
Bashkëluftëtarët e tij të ngushtë ishin djali i axhës Ismajl Berisha (dëshmor) pastaj kushërinjtë Maliq Ademi (dëshmor), Rexhep Ademi, Sabedin Ademi, Selami Ademi si dhe luftëtarët tjerë të fshatit Shtuticë si Nystret Halili (dëshmor), Hysni Halili, Ismet Baliu, Fejzë Ramadani (dëshmor), Naim Musliu (dëshmor), Naim Gashi (dëshmor) e shumë të tjerë më të cilët vepruan si ushtarë të denjë të Komandantit Fehmi Lladrovci dhe Komandantit Ilaz Kodra, më ç’rast Afrimi dhe bashkëluftëtarët tjerë nderuan veten dhe Kosovën në luftën e drejtë dhe fituese të UÇK-së.
Afrim Isufi veproi dhe mori pjesë në aksione kryesisht në pikën e vendosur në fashatin Shtuticë dhe fshatrave të tjera për rreth. Me aq mundësi dhe armatim që kishin Afrimi dhe bashkëluftëtaret tjerë i’u kundër përgjigjën armikut dhe i dolën në mbrojtje të popullatës civile gjatë disa ofensivave të forcave armike që u ndërmorën ndaj fshatrave Shtuticë, Verboc, Terstenik, Dashefc, Baks, Qirez, Likoshan dhe fshatrave për rreth Çyçavicës. Ai ishte pjesëmarrës në mbrojtje të popullatës gjatë ofensivës së parë ndaj këtyre fshatrave me datë 2. 7. 1998, pastaj në ofensivën e dytë me datë 10. 9. 1998, ofensivën e tretë me datë 19. 3. 1999 deri më 28. 3. 1999.
Gjatë muajit prill të viti 1999 fshatrat: Shtuticë, Verboc, Dashefc, Baks, Qirez, Likoshan dhe fshatrat tjerë për rreth ishin shpallur si zonë e lirë, me ç’rast ishin grumbulluar mijëra popullësi civile nga e tërë zona e Drenicës dhe viseve tjera të Kosovës që kërkonin strehim dhe ushqime të ikur nga zonat e luftës. Duke parë strehimin e popullatës në këto fshatra kjo i shtyri forcat serbe që të ndërmarrin një ofensivë tjetër.
Ofensiva e pestë dhe e fundit e forcave paramilitare serbe ndodhi me datë 30 prill të viti 1999 ditë e premte, ishte ofensiva më e egër dhe më gjakatare ku u vranë mbi 300 civilë dhe ranë shumë dëshmorë. Atë ditë qysh në orët e hershme të mëngjesit u rrethuan këto fshatra me një numër të madh të të ushtarëve dhe paramilitarëve dhe me një armatim të rëndë deri në tanke dhe helikopterë. Një numër aq i madh i popullatës civile e cila ishte strehuar në këtë zonë ishte gati e pamundur të mbrohej nga ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku ishin me numër shumë më pak e po ashtu edhe me një armatim të dobët.
Ushtarët e UÇK-së me qëllim që të mbrohet popullata civile nga granatimet dhe gjuajtjet e forcave serbe, detyrohen të largohen nga popullata dhe të vendosen në malet për rreth. Atë ditë, Afrimi së bashku me luftëtarët Ismajl Berisha dhe Maliq Ademi largohen nga popullata civile dhe vendosen në malet perëndimore të fshatit Baks. Në orët e pasdites forcat serbe depërtojnë edhe në këtë hapësirë dhe gjatë konfrontimit me këto forca Afrimi, Ismajli dhe Maliqi bien heroikisht për të mos vdekur kurrë.
Rënia e Afrimit dhe Ismajlit ka ndodhur më 30 prill 1999 në malet e Baksit. Trupat e dëshmorëve: Afrim Isufi dhe Ismajl Berisha u gjenden tek pas dy muajve me 2 korrik të vitit 1999 nga dy persona nga fshati Baks. Në xhepin e palltos së Afrimit e gjejnë një bllok me shënime dhe disa numra të telefonit. Në bazë të kësaj lajmërohen familjarët ku edhe bëhet identifikimi i trupave nga të afërmit babai i Ismajlit Istrefi, vëllai i Afrimit – Elhamiu, kushëriri dhe bashkëluftëtari i tyre Rexhep Ademi, daja i Afrimit- Nexhat Istogu. Po atë ditë bëhet varrimi i tyre fillimisht në varrezat e fshatit. Ndërsa rivarrimi bëhet me datë 7. 11. 1999 në varrezat e dëshmorëve në Shtuticë.
Me datë 30. 4. 1999 së bashku me Afrimin dhe Ismajlin dëshmorë, nga familja e tyre bien si martirë edhe babai i Afrimit – Bahtir Isufi, vëllai i Afrimit– Sami Isufi, vëllezërit e Ismajlit – Halit e Dastan Isufi si dhe djali i vëllait të Ismajlit – Besnik Isufi, gjithsej 7 anëtarë të familjes. Ndërsa në lagjen e tyre janë të vrarë 18 anëtarë ku tre prej tyre janë dëshmorë, Afrim Isufi, Ismajl Berisha dhe Maliq Ademi.
Dëshmori, Afrim Isufi ishte një djalë i hareshëm, shtat hedhur, mjaft i dashur për familjen dhe të afërmit e tij. Njihej për karakterin e tij të vendosur dhe të matur. Ishte person i pranuar dhe i dashur për të gjithë, një bashkëbisedues i mire dhe sy patrembur.
Pas luftës emri i tij është i skalitur për të mos vdekur kurrë në lapidarin e ngritur për dëshmorë, në Drenas, afër komunës, pastaj në përmendoren e ngritur për nder të Ilaz Kodrës tek Gradinat në Verboc, ku janë të shënuar emri i Afrimit dhe të gjithë dëshmorëve të Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, si dhe tek Memoriali i dëshmorëve në Marinë të Skenderajt.
Pas vdekjes, familjes së dëshmorit Afrim Isufit i’u dhanë mirënjohje disa herë nga Kuvendi Komunal i Drenasit, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të Dëshmorit. Për dëshmorin është shkruar edhe në librin “Drenica e Epërme dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës” të autorit Selman Krasniqi, po ashtu emri i tij lartësohet edhe tek botimi i parë i vëllimit Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – “Feniksët e Lirisë”, si dhe tek libri “Gjenocidi serb në Kosovë në prag të shekullit XXI” nga Ibrahim Koci. (L. D)

Kontrolloni gjithashtu

Faruk Nazmi Beqiri (22.1.1977 - 2.5.1999)

Faruk Nazmi Beqiri (22.1.1977 – 2.5.1999)

Faruk Beqiri u lind më 22 janar 1977 në fshatin Ceceli të vushtrrisë. Të parët …